Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Friday, 19 Apr 2024
Wednesday, 12 October 2011 07:52

Editorial: Shqiptarët dhe nacionalizmi

A janë shqiptarët nacionalistë?

Një studente franceze që merret me historinë e Shqipërisë, mbeti e zhgënjyer kur disertacioni i saj, i mbështetur mbi tezën se shqiptarët nuk janë nacionalistë, iu hodh poshtë nga profesori frëng i cili solli argumente të kundërta duke i përmendur kohën e Enver Hoxhës kur, sipas tij, komunizmi nuk ishte tjetër veçse një veshje e nacionalizmit. Duket se jo vetëm të huajt, por edhe ne shqiptarët mbetemi ndërdyshës kur shtrojmë çështjen e ndjenjave tona nacionaliste, pasi ende pak përpjekje kemi bërë për ta shqyrtuar atë me seriozitetin e duhur e për t'i dhënë përgjigje në tërë gjërësinë dhe kompleksitetin që meriton. Duke u rrekur të përimtosh faktet që lidhen me këtë temë e sheh veten përpara shumë kundërthëniesh që të bëjnë të thuash në mënyrë paradoksale se shqiptarët janë, por s'janë nacionalistë. Po të shëtitësh nëpër rrugët e Tiranë e të vëresh emrat e kioskave dhe të dyqaneve që janë hapur vitet e fundit, do të shohësh se mbajnë pothuajse të gjithë emra të huaj. Në dy anët e një rruge buzë Lanës, që gjendet brenda harkut të dy urave, sheh se kafebaret dhe restorantet përanësh saj mbajnë vetëm këto emra: Caffe&Bar Mediterraneo, Caffe Bar Pinokio, Pall Mall Exprt (smoke with pleasure), Bar Restorant Trieste, Multiclub Flamenco, Golden Eagle Restaurant, Bar Cardinal, Caffe Bar Tripoli, Bar Eldorado, Bar Restorant Christ, Bar Restorant John Belushi, Bar Venezia, Kafe Stil. Afërmendsh konkluzioni i parë është se këta pronarë kafesh dhe restorantesh duhet të jenë qëniet më kozmopolite në botë. Aq më tepër kur dëgjon prej andej muzikë nga e gjithë bota, madje shumë shpesh edhe muzikën e fqinjit jugor grek, aq i shpallur nëpër historiografinë shqiptare si një nga kërcënuesit e kombit shqiptar. Veçse duke hedhur vështrimin përreth apo thjeshtë duke parë klientelën e tyre (mbi 90% burra), pakkush do të besonte se kjo hapje ndaj të tjerëve vjen në sajë të një emancipimi qytetar e kulturor. Pasi mbërrin këtë konkluzion të parë kërkon t'i hysh më thellë çështjes së nacionalizmit shqiptar dhe atëhere sheh se po t'i referohesh të tjera gjërave, mundtë arrish në të tjera përfundime. Skënderbeu, Lidhja e Prizerenit, Shpallja e Pavarësisë, Lufta e Vlorës, Lufta Nacional-Çlrimtare, qëndresa ndaj jugosllavëve, çështja e Kosovës, vite te lavdishme 60 me shkëputjen ndaj socialimperializmit, janë trajtuar në shtypin e përditshëm, periodikët dhe historiografinë komuniste shqiptare me një ndjenjë të ekzaltuar kombëtare. Madje edhe në botimet aktuale disa prej atyre momenteve i sheh të trajtohen me të njëjtën gjuhë të përdorur asokohe ... Po t'u shtosh këtyre letërsinë dhe artin që paraluftës ka qenë kryesisht e mbrujtur me frymën nacional romantike të rilindasve dhe pas luftës me romantizmin nacional-komunist, këngët e pafundme të trimërisë në emër të adheut ... faktin se Enver Hoxha, të gjithë kundërshtarët e tij kryesorë i akuzonte dhe eliminonte me akuzat e tradhëtisë ndaj atdheut e deri atë se përsëri akuza të cilës i tremben më shumë shqiptarët është etiketimi s iagjent i serbit apo i grekut, s'ka se si të thuash që nacionalizmi mungon në Shqipëri...

 

Për t'iu kthyer përsëri kundërthënieve, të vjen ndërmend se shumë nga politikanët shqiptarë që kanë mbrujtur këtë gjedhë propagandistike nacionaliste, qysh kur është krijuar shteti shqiptar, në mënyrë të vazhdueshme, kanë treguar se, për hir të interesave të tyre, pushtetit politik, famës apo të tjera interesash vetiake, kanë qenë të gatshëm të sakrifikonin interesat e vendit. Shembujt janë të shumtë gjatë gjithë këtij shekulli der inë ditët tona. Po ti shtosh këtij fakti arratiakët e 91-shit, plaçkitjen e thesareve kombëtare, shkatërrimin e pyjeve, shëmtimin e qyteteve me ndërtime vend e pavend, ndërrimin e emrave e shumë veprime të tjera që s'mbajnë as erën e përgjegjësisë dhe krenarisë kombëtare, s'ka se si të mos arrish në përfundimin se, në thelb, ne na mungon motivimi bazë i nacionalizmit, ai që thotë atdheu mbi të gjitha. Aq e hidhur është kundërthënia mes asaj që deklamohet dhe asaj që ndjehet në të vërtetë, sa të vjen të perifrazosh Shopenhauerin e të thuash se shqipëtari, kur është nacionalist, është në nivelin e një kafshe nacionaliste dmth., që e përdor nacionalizmin sa herë i duhet për të kënaqur instinktet e veta. Ilustrimi më i përkryer i këtij përkufizimi janë bunkerët që shëmtojnë sot trupin e Shqipërisë. Ata që i kanë jetuar ato kohë e dinë se ai shëmtim i atdheut nuk u bë për ta zbukuruar trupin që ishte shumë më i bukur pa ato pafta hekuri dhe betoni, as për ta forcuar, por thjesht si një pretekst ideologjik në luftën për pushtet, çka i bëri të mundur diktatorit asokohe eliminimin e një kaste ushtarakësh, ndaj të cilëve ai nuk ushqente më besimin e mjaftueshëm.

Na duket me vend ta prekim disi ndaras çështjen e nacionalizmit në Kosovë. Pa dyshim atje ndjenja nacionaliste, e kuptuar si nevojë e çlirimit nga shtypja serbe, është më e fortë, por edhe atje ikja masive prej truallit dhe përçarja tradicionale mesvetit, nuk të bën të mendosh se kjo ndjenjë është ashtu dhe aq e fortë. Madje ka studiues kosovarë që edhe nacionalizmin e shqiptarëve të Kosovës e kanë quajtur "të rrejshëm". Në fillimet e tij në shekullin XIX nacionalizmi, si një ideologji që shpallte të drejtën sovrane të popujve për vetvendosje, kishte një karakter emancipues dhe liberal. Ai nisej nga koncepti se të gjithë kombet dhe lëvizjet nacionaliste të tyre janë të barabarta dhe karakterizohej nga solidariteti midis kombeve. Këtë nacionalizëm një pjesë studiuesish e kanë quajtur nacionalizmi i risorxhimentos, duke iu referuar lëvizjes italiane për pavarësi dhe çlirim nga sundimi austriak. Profetët e tij, si Mazini, besonin se popujt, aq të ndryshëm në gjuhë dhe karaktere, kishin një detyrë të vetme: të ndërtonin humanizmin botëror dhe, për këtë, sejcili kishte një mision të caktuar. Kjo filozofi ishte vazhdë e nacionalizmit Francez të kapërcyellit të shek 18 dhe fillimit të shek 19. Revolucionarët francezë e justifikonin nacionalizmin e tyre me termat e misionit për të propaganduar idealet universale të lirisë, barazisë dhe vllazërisë në Evropë. Në këtë frymë lindën gjatë shekullit 19-të lëvizjet çliruese të shumë vendeve të Evropës mjaft prej të cilave sollën atë që quhet shteti komb.
Një tjetër aspekt i nacionalizmit të risorxhimentos është i ashtuquajturi nacionalizëm reformist, si ai që lindi në gjysmën e dytë të shekullit 19 në Japoni për të eliminuar pabarazinë me Perëndimin, veçanërisht pas demostrimeve të forcës që bëri flota amerikane në gjirin e Tokios më 1852. Ai i motivoi japonezët për ta reformuar shtetin e tyre nga një shtet i dobët feudal në një shtet të fuqishëm industrial dhe ushtarak që brenda disa dekadash, më 1905, qe në gjendje të mposhtëte një fuqi të madhe evropiane si Rusia. Me frymën e nacionalizmit reformist ishte edhe politika e Ataturkut në Turqi, që synonte modernizimin dhe evropianizimin e Turqisë pas kalbëzimit të Perandorisë Otomane. Edhe ajo, ashtu si reformizmi japonez i shekullit 19, u motivua fort edhe nga një lloj ksenofobie dhe frike nga kërcënimi i jashtëm. Mirëpo vetëm pas një shekulli zhvillimesh historike, ndër të cilat dy luftra botërore, evropiano-perëndimorët, kur përmendet nacionalizmi e sjellin atë ndërmend si diçka negative, pak a shumë ashtu siç e karakterizon atë më 1952 publicistidheautoriinjohuranglezVictorGollancznëautobiorgafinëetij: Nga të gjitha të këqiat që urrej, thotë ai, nacionalizmi është ai që urrej më shumë. Nacionalizmi d.m.th. egoizmi nacional, të menduarit në termat e një kombi e jo në termat e humanizmit, është i keq sepse ai përqëndrohet në gjëra jothelbësore (ku jeton një njeri, çfarë lloj gjuhe flet, cilës kulturë i përket, çfarë gjaku ka etj.) duke injoruar atë që është thelbësorja, faktin që ai është njeri. Nacionalizmi e bën një popull ta urrejë një popull tjetër sapo t'i shfaqet rasti më i vogël për të urryer; ai të çon në xhelozi, ekspansionizëm, shtypje, grindje dhe deri në luftë.
Ky gjykim i Gollanczit mbi nacionalizmin, të ashtuquajtur integral, dominon sot opinionin perëndimor dhe është shprehës i ekstremit tjetër që ka përshkuar trajektorja e nacionalizmit në Evropë gjatë këtyre dy shekujve. Brenda një shekulli, pra, nacionalizmin në Evropën Perëndimore e shohim të shndërrohet nga formues i shtetit komb në shprehës të krizëz së këtij dhe jo rrallë nga faktor kombformues në faktor kombshkatërrues. Një pyetje s'ka se si të mos shtrohet: mos vallë kjo trajektore duhet të përshkohet nga një popull, pra, mos vallë është e nevojshme të kalohet në një formë apo në një tjetër ethja e nacionalizmit që një popull të mpikset si komb, përndryshe ky rrezikohet? Në shekullin e XIX-të, duke trajtuar çështjen e nacionalizmit, Engelsi flet për popuj historikë dhe popuj johistorikë. Sipas tij të parët, ku ai fuste shtetet më të mëdha të Evropës perëndimore dhe qendrore, kishin ditur të ndërtonin shtete viabël dhe prandaj do të tregoheshin të aftë për të ndërtuar të tillë edhe në të ardhmen. Kurse të dytët, ndër të cilët Engelsi fuste sllavët e jugut, disa minoritete të Evropës perëndimore

si dhe disa vende të botës së tretë, të cilëve u kishte munguar aftësia dhe energjia, duhej të zhdukeshin, sipas tij, nga skena e historisë për të lehtësuar zhvillimin e kombeve historike. Asokohe, sipas Mazinit, Anglisë i njihej misioni i industrializimit të kolonive përtej detit, Rusisë civilizimi i Azisë, Gjermanisë zhvillimi i filozofisë kurse Italisë që të udhëhiqte botën si një Romë e tretë. Kjo s'është as më shumë as më pak veçse përsëritje e një ideje të Hegelit i cili shkruan se: Kush ka thënë Shtet ka thënë komb, dhe kush ka thënë komb ka thënë unitet i gjuhës, i religjionit, i zakonit, i ideve. Shteti që fut në trupin e vet një komb të ndryshëm nga i veti, nga të gjitha këto pikpamje, dhe e mban atë, kundër dëshirës së tij, nën një zgjedhë të urryer, bën një atentat kundër natyrës ... Megjithatë, aneksimi përbën një krim që jep të drejtën e revoltës vetëm në atë rast kur populli i aneksuar përfaqëson një ide po aq të madhe, po aq pëllore dhe viabël sa dhe ideja e personifikuar nga pushtuesi. Ka kombe që, duke mos përfaqësuar asnjë ide dhe duke pas humbur arsyen për të qënë, janë të dënuar përfundimisht të
treten.
Qysh prej atëhere historia na ka treguar se kombet të cilët, sipas Engelsit, duhet të zhdukeshin si të pa histori kanë mbijetuar. Veç se ndërkaq ata, kush më shumë dhe kush më pak, kush më herët dhe kush më vonë, kanë bërë historinë e tyre, kanë zhvilluar nacionalizmin e tyre, janë çliruar dhe, me sa duket, pikërisht kjo bërje historie ka qenë për ta faktori kryesor i kombformimit. Shembujt për këtë janë të shumtë, jo vetëm në Evropë, por edhe në ato vende që dikur ishin koloni të fuqive evropiane. Çka po ndodh në Ballkan dhe në përgjithësi në Evropën qendrore dhe Lindore duket sikur e vërteton tezën se formimi i një kombi është një proces i gjatë dhe se nacionalizmi është një nga hallkat e këtij procesi. Mirëpo këtu ndeshemi me një kundërthënie të fortë. Përvoja historike e këtyre dy shekujve tashmë ka treguar se ekziston rreziku që nacionalizmi të transformohet nga një lëvizje emancipuese në një ideologji të ekstremit të djathtë që i kundëvihet humanizmit dhe liberalizmit. Aq më të frikëshme janë pasojat e tij kur sheh se ai jo rrallë çon në ekstremizëm, deri në luftra, të cilat sot nuk zhvillohen më me
armatimet e shekullit 19-të, madje as me ato të Luftës së Dytë Botërore, por me armë shumë më shkatrrimtare. Kështu kjo hallkë e domosdshme shfaqet në fund të shekullit XX anakronike në raport me zhvillimet në Evropën Perëndimore dhe SHBA, jo si lëvizja pararojë drejt një bote më të mirë, por si një lëvizje e diskredituar nga historia. Në këtë kontekst të ri çështja e nacionalizmit dhe e raportit të ne shqiptarëve me të duket se meriton vëmendje të veçantë, pasi në Ballkan, ethja e nacionalizmit është në pikun e saj.


Pikëpyetjet shqiptare
Kush ka lexuar në revistën tonë artikullin e njërit prej etërve të nacionalizmit shqiptar, Lumo Skëndos, sheh aty se në 1912 Shqipëria ka qenë
një vend tipik johistorik, sipas përkufizimit të Engelsit, tepër i vonuar në ngjizjen e identitetit kombëtar. Asokohe, sipas Skendos, shqiptarët ndodheshin përpara imperativit që nga një grumbuj fisesh të krijonin një komb. Nëse do të bëjmë një krahasim me nacionalizmin e fqinjve, Greqisë dhe Serbisë, do të shohim se nacionalizmi i tyre, ka nisur afro një shekull përpara nacionalizmit shqiptar, atëhere kur atje filluan dhe u konkretizuan lëvizjet për çlirimin politik nga Turqia. Princ Ypsilanti, një nga heronjët e pavarësisë greke, u drejtohej grekëve më 1821 pak
a shumë me këto fjalë: Ka ardhur koha ta flakim tej zgjedhën e padurueshme dhe ta çlirojmë atdheun dhe fenë tonë nga blasfemitë e paganëve ... Le të dominohemi më së pari nga ndjenja e bashkësisë.. Të pasurit të japin një pjesë të pasurisë, priftërinjtë të inkurajojnë njerëzit me shembullin e tyre, kurse grekët që punojnë në oborre të huaj të largohen prej tyre... Ngrihuni të gjithë si një trup i
vetëm dhe tregojeni veten se jeni pasardhës të vërtetë të heronjve të kohëve klasike! Pra, megjithëse grekët asokohe kishin pasur avantazhe të mëdha ekonomike për shkak të mundësive të gjëra të lëvizjes në Perandorinë Otomane, aspiratat për liri politike zjenin si diçka më e lartë. Ishte kjo frymë, që nacionalizmin e shihte si pararoja e lëvizjeve të njerëzimit në rrugën drejt një bote më të mirë dhe më të drejtë, që e shtyu Bajronin të luftonte për pavarësinë greke. Një lëvizje e ngjashme kishte paraprirë në Serbi ku luftrat guerrile dhe revoltat kishin sjellë
më 1815, fitoren e një autonomie të kufizuar të serbve. Ndërkaq, për arsye të një prapambetjeje historike, shkaqet e së cilës i kalojnë caqet e këtij shkrimi, në fillim të shekullit 19-të lëvizja nacionaliste shqiptare ishte ende e palindur. Shqiptarët, në pjesën më të madhe të
myslimanizuar, ndjeheshin pjesë e Perandorisë Otomane që u siguronte krerëve të tyre poste dhe privilegje. Nacionalizmin shqiptar e shohim të zërë fill më vonë dhe në një tjetër kontekst historik. Ai shfaqet me mbarimin e Luftës Ruso-Turke, dhe më gjerë me degradimin e shpejtë të Perandorisë Otomane, si nevojë e ruajtjes së trevave shqiptare nga sllavët dhe grekët. Pra, ndërsa nacionalizmi i fqinjve ka filluar të ngjizet më së pari si nevojë e çlirimit nga sundimi otoman, i mbështetur mbi një identitet fetar kristian, nacionalizmi i shqiptarëve asokohe në pjesën më të madhe myslimanë, ka nisur më së pari si nevojë e çlirimit nga rreziku i fqinjëve. Madje duhet shtuar se ai ishte mjaft i dobët dhe se ndoshta nuk do të kishte arritur të krijonte shtet pas luftrave ballkanike sikur të mos kishte qenë ndërhyrja e fuqive të mëdha interesat e të cilave mplekseshin ashtu që doli e nevojshme që shteti shqiptar të formohej.

Viti 1913 i gjeti kështu shqiptarët të ndarë, dhe kjo ndarje është një tregues i dobësisë së nacionalizmit të tyre. Një palë me një shtet me kufij të përcaktuar, por të pangjizur si komb, kurse palën tjetër të mbetur nën qeverisjen serbe, objekt diskriminimi, me kushte më të vështira kombformimi, por dhe me motivime më të forta nacionaliste. Nëse do t i referohemi idesë se kombi nuk mund të konceptohet në mënyrë statike, pra, si bashkësi e njëkohëshme e gjuhës, kulturës, racës, fesë, por në mënyrë dinamike, pra, si proces i vazhdueshëm kombformimi, mund të themi se, së paku që nga 1913-ta, meqënëse fati i shqiptarëve këndej dhe andej kufirit politik nuk ka qenë ashtu dhe aq i përbashkët, edhe rrugët e zhvillimit të nacionalizmave të tyre kanë qenë të ndryshme, me pika takimi, por edhe me mjaft divergime. Po të shpreheshim në mënyrë disi të thjeshtëzuar, duke iu referuar koncepteve mbi nacionalizmin të përmendura në pjesën e dytë të këtij shkrimi, do të thonim se pas 1912-tës e deri në Luftën e Dytë na duket se në Shqipëri tentohej frymimi i njerëzve me një nacionalizëm reformues të tipit qemalist kurse në Kosovë kërkohej të zhvillohej fryma e nacionalizmit të risorxhimentos. Megjithatë na duket se ndjenja primitive e mbijetesës individuale tek njerëzit e thjeshtë dhe ajo e pushtetit të klanit tek prijësit ka qenë më e fortë se ajo e përbashkimit në emër të interesave të kombit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore mund të thuhet se nacionalizmi shqiptar arriti një nivel të ri dhe ndoshta qe edhe një pikë takimi midis fateve të shqiptarëve këtej dhe andej kufirit, pasi lufta hapi kufijtë, ngjalli shpresën e Shqipërisë etnike dhe më në përgjithësi ngjalli një lloj dashurie dhe përgjegjësie më të madhe për vendin. Ndërkaq, pas Luftës së Dytë, fitorja e socializmit në Jugosllavi dhe Shqipëri nuk i zgjidhi problemet nacionale, por në një farë mënyre i komplikoi apo i la pezull ato. Kështu ndodhi edhe me shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni, ku na duket se megjithë parullat e bashkimvëllazërimit të popujve është ruajtur dhe zhvilluar, në thelb, fryma e nacionalizmit të risorxhimentos. Në Shqipëri, për shkak të diktaturës së egër 50 vjeçare të Enver Hoxhës, ku shtypja nga shqiptarët ishte shumë më e egër se ajo që u kishte ardhur shqiptarëve nga të huajt dhe ku njerëzit u zhveshën nga prona, nacionalizmi degjeneroi në një frazeologji demagogjike të cilit i shkonte fort thënia e Gëtes se "Rrënimi i oborrit të fshatarit, po, është një fatkeqësi dhe katastrofë e vërtetë, kurse vdekja e atdheut, vetëm një fjalë boshe", çka u provua më së miri me fundin e diktaturës.


Pas rënies së komunizmit dhe dizintegrimit të shtetit jugosllav, çështja enacionalizmit dhe i raportit të shqiptarëve me të shfaqet tepër i komplikuar. Gjendja duket se paraqitet kështu: Ndërsa në Kosovë dhe Maqedoni ndjehet fryma e një nacionalizmi të risorxhimentos që pa dyshim nënkupton më së pari ndjenjat negative ndaj serbve dhe maqedonasve, me të cilët urat e komunikimit po priten gjithnjë e më shumë për t'i lënë vendin humnerave të keqkuptimit dhe të mosbesimit, në Shqipëri, e cila nuk është e pushtuar, duket i vështirë transplantimi i ndjenjave të tilla. Shqiptarët e këtejshëm, të rrazbitur nga diktatura dhe nga urrejtja për njeri tjetrin, pa pronë të sigurtë dhe pa katandi, sikur ndjejnë turbull nevojën e një lloj nacionalizmi reformues, por mbi të gjitha tek ata mbizotëron e njëjta ndjenjë primitive e mbijetesës individuale që i ka karakterizuar ndër shekuj. Ndërkaq tek klasa politike mbizotëron, si dikur, lufta për pushtetet klanore të organizuara tani në parti, e cila rrallë karakterizohet nga armëpushime në emër të interesave mbarëkombëtare apo nga përgjegjësia e vërtetë për vendin. Në mjetet e kësaj lufte nuk mungon demagogjia nacionaliste, ksenfobia dhe urrejtja ndaj fqinjve, thirrjet për të mbrojtur çështjen e Kosovës, por ato nuk bëhen dhe aq me fanatizëm nacionalist sesa me një lloj gjestikulacioni dhe pozimi pseudonacionalist. Duket, prandaj, sikur tek shqiptarët e Shqipërisë nuk paraqitet, hëpërhë, rreziku i një nacionalizmi etnik d.m.th. i një nacionalizmi me frymë kundër humanizmit, internacionalizmit dhe liberalizmit, aq më tepër kur gjendja e vendit si një vend i vogël dhe i dobët ekonomikisht, i detyron shqiptarët t'i mrrudhin këto ndjenja. Mirëpo, nga ana tjetër, kushtet social politike për lindjes e tij në të ardhmen janë shumë të favorshme. Ndër këto kushte do të përmendnim: krizën e mosbesimit në kombin, e cila, për t'u kompesuar, ka nevojë për një ideologji të tillë siç është nacionalizmi, ekzistencën tek shqiptarët e një ndjenje të fortë identiteti etnik, deri racor, rrezikun e jashtëm, kryesisht rrezikun e nacionalizmit serb, që kërkon pastrime etnike në Kosovë, luftën e ashpër politike brenda vendit e cila jo rrallë mbështetet në sllogane nacionaliste dhe akuza ndaj partive opozitare për agjentë të serbit apo të grekut.
Çështja shtrohet, a i duhet sot shqiptarëve një nacionalizëm etnik, i kuptuar si motivim përbashkimi për shkak të frikës apo urrejtjes ndaj etnisë tjetër, apo duhen gjetur rrugë të tjera? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje është shumë e vështirë. Sidoqoftë ndaj alternativës së frikës dhe urrejtjes është më lehtë të thuash Jo!  Kurse kërkimi i alternativave pozitive vjen i vështirë jo vetëm pse ato nuk mund të jenë të njëllojta për të gjithë shqiptarët në të gjitha treva ku banojnë, por edhe pse ato nuk varen vetëm nga vullneti i tyre, por edhe nga qëndrimet e fqinjve ndaj shqiptarëve. Nuk pretendojmë të japim përgjigje nëpërmjet këtij shkrimi ku më shumë jemi rrekur të shtrojmë problemin. Megjithatë, në kërkim të zgjidhjeve, na duke e nevojshëshme të vemë në dukje disa shtylla kufizuese të patundëshme dhe të sqarojmë disa koncepte. Së pari duam të vemë në dukje që në kërkimin e alternativave duhet të mësojmë jo pak nga historia e popujve evropianë të cilët në një farë mënyre u kanë prirë proceseve historike. Një nga mësimet që vjen prej tyre është se nacionalizmi ka qenë pozitiv sa kohë dhe aty ku ai ka ndihmuar kombformimet duke u mbështetur jo mbi bazën e pastërtisë etnike, racore, por mbi bazën e një marrëveshjeje shoqërore e cila ka mbrojtur të drejtat njerëzore të të gjithë pjesëtarëve të saj. Me fjalët të tjera aty ku ai ka marrë formën e të ashtuquajturit patriotizëm qytetar. Një mësim i dytë është se prirja e sigurt e njerëzimit, megjithë zigzaket, nuk është drejt mbylljes së etnive dhe kulturave, por drejt hapjes së tyre, integrimit, drejt humanizmit. Ne jetojmë sot në një botë me mundësira të mrekullueshme kontaktesh, me interesa të gjëra ekonomike kulturore të përbashkëta që na pasurojnë shpirtërisht dhe ekonomikisht. Është absurde t'i mbyllim apo kufizojmë ato. Padyshim serbë, kroatë e bosnjakë, pasi t'i përcaktojnë e mbyllin mirë e mirë kufijtë sot - nëse do t'ia arrijnë kësaj - nesër do të përpiqen të gjejnë mënyrat se si t'i hapin ato ... Qarkullon një mendim midis një numri jo të vogël shqiptarësh, i pashprehur fort publikisht, se, sikur të ishim në gjendje të bënim luftë me serbët, do të ishte mirë tia nisnim asaj. Ne mendojmë se edhe sikur të ishim në gjendje për luftë duhet të mendojmë për paqen dhe për gjetjen e rrugëve të realizimit të lirive dhe personalitetit të individit shqiptar e më gjerë të zhvillimit të identitetit kombëtar në frymën e mirëkuptimit dhe të humanizmit. Përndryshe do të rrezikonim të binim në atë gjendje për të cilën Banjamin Constant thotë: "Në emër të qënies abstrakte sakrifikohet qënia reale; në emër të popullit si masë ofrohet holkausti i popullit si individë."
Gjetja e rrugëve të zhvillimit drejt humanizmit, nëpërmjet dashurisë për atdheun dhe respektit për lirinë dhe të drejtat e individit do të të jetë në fokusin e numrit tjetër të revistës sonë.

More in this category: Ditari i mërzive »