Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Enjte, 25 Pri 2024
E Mërkurë, 12 Tetor 2011 08:49

Lufta në paqe

Askush nuk e mendon se këtu është bërë luftë. Edhe është bërë, edhe s'është bërë. Edhe armë kanë krisur, po luftë s'ka patur. Për vite të tëra njerëzit kanë luftuar herë me bashkështetasit e tyre - serbët, herë me njëri-tjetrin. Eshtë as luftë e

nxehtë, as luftë e ftohtë! Po ç'dreq lufte qenka kjo? N ëKosovë është një luftë që zhvillohet në paqe!...

Për të shkuar drejt bashkëatdhetarëve për herë të parë, vetja të duket si në ëndërr. Izolimi totalitar e sloganet e njohura për patriotizmin dhe Kosovën kanë lënë gjurmë të thella, tej parashikimeve për 2 milion shqiptarë që jetojnë në Kosovë e trojet e tjera në Serbi. Nga Beogradi, me një autobuz komod nisemi drejt Prishtinës. Të gjithë flasin serbisht. Muzika e kasetofonit transmeton pa pushim këngë sllave me zë të lartë. Dhjetra valixhe me kod janë vendosur në bagazhet anësore të autobuzit. Të tjerë i mbajnë ato në dorë. Njeriu që kam në krahun tim flet serbisht me shokun e tij. Vështroj pa pushim rrotull me gjithë shqisat që të mund të kap një fjalë në shqip. Eshtë e pamundur. Herëherë lëshoj ndonjë ofshamë me dy-tre fjalë shqip që të mund të tërheq vëmendjen e dikujt. Eshtë e pamundur. Kemi udhëtuar dy orë rrugë dhe mërzitja ka filluar t'i kalojë kufinjtë. Dua të di dhe të shoh për gjithçka, qoftë edhe nga dritarja e autobuzit. Pasi durimi im e ka kaluar cakun, ngrihem në këmbë, vështroj pak dhe thërras: Eeej, a ka shqiptarë këtu? Shumë koka kthehen drejt meje. Jam shqiptar, thashë, ndërsa u ula
sërish në sedilen time. Prita pak çaste se mos dikush do të më fliste dhe ndërsa gjithçka vazhdonte në monotoninë e zakonëshme, i fola në shqip njeriut që kisha në krah: A je shqiptar, zotni ?