Mendimi se shtëpia mund të ishte simboli i shqiptarëve më lindi duke vëzhguar historinë, të sotmen dhe kulturën e këtij populli. Prandaj dua t i kthehemsë pari historisë. Për fat të keq historiografia në Ballkan (po edhe gjetiu) është më fort një çështje politike sesa shkencore. Në shërbim të politikës së ditës historianët i shpjegojnë popullit se deri ku, dikur në Mesjeten e thellë, shtrihej mbretëria e kombit të tyre. Ata tregojnë histori te dyshimta për krimet, masakrat e dëbimet që kanë ushtruar popujt fqinjë ndaj kombit të tyre paqedashës dhe heroik. Kështu historiografia kryen punën paraprake propagandistike për politikanët, të cilët pastaj me forcën e armëve duan të rikrijojnë mbretëritë e tyre të vjetra dhe për krimet e kryera ndaj popullit të tyre të hakmerren njëherë e përgjithmonë me mizori, masakra e dëbime të reja. Veçanërisht e politizuar është edhe çështja e prejardhjes së shqiptarëve.