Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Enjte, 25 Pri 2024
E Mërkurë, 12 Tetor 2011 09:12

Mendime të shkarravitura

Nji mik qi ushtron me zotsi e nder nji zeje me të cilën i a siguron vetes jetesën ma s'miri, nji ditë qiti e më tha: I lumi ti! Je shkrimtar e puna qi ban të kënaqë. E dij se asht e mundshëme: nuk jam prej atyne qi mendojnë se puna e tryezës lodhë

ma pak se ajo qi lypë posë truve edhe kambë e kërçikë, por...por të mbushë me kreni, me krenin e arsyeshme qi ndien nji krijues bukurije, e kam fjalën natyrisht te ajo bukuri
letrare që bujarson shpirtin e lexuesit, tue e nxjerrë s paku për do kohë nga andrallat apo hallet e rrnesës së përditshme. Lum lumi ti!
E shikova për seri, gadi si me inad. Nji shakulluer mendimesh më tronditi përmbrenda. E i a prita:

- Mos m a kij aspak lakmi zejen qi ushtroj. Njitash, mik i dashtun jam gati ta ndrroj ket zeje t'eme me at t'anden. Shkrimtar i shqipes... A din shka don me thanë? Të lutem më ndigjo me durim, sepse ndiej nevojën të shfrej nji herë e mirë. Dh'e pritshem kët rasë. Libri i parë qi botova, nji poemth dramatik, më shkaktoi ma shum kokëçamje se sa kënaqje. Gjyshi i em m'u idhënue. Bejtaxhi!... A kishte si me vojtëma poshtë nipi? Besoj se pleqtë t'onë asokohe pelqejshin prej birnis e nipnis ma tepër ndoj gjest trimnije qi dishmonte se gjaku i farefisit nuk duronte cënim nderi se sa nji ndamje në shej për punë kulturore. Në rini t'onë, ma fort çmohej kush kishte vra nji njeri (kuptohet për çashtje nderi) se ai qi merrej me shkrime e të tilla punë të papuna. Me letërsi mujshin e duhej të merreshin priftën e fretën. Këtyne përdorimi i pendës (kalemi i dorës...) u kishte hije. Jo vetëm por, tue shkrue e botue plotsojshin detyrët e zyrës së vet. Shekullarët kishin sheshe tjera ku me derdhë mundin e zotsin e tyne. Nuk mbaruen me kaq pasojat e botimit të librit të parë. Pronari i shtypshkronjës, i cili për me vu në shtyp at vepërz t'eme më kishte ba t'i nenshkruej nji kambial, në ditën ma të ngushtën, kur ishem pa fe metelikut në xhep, më kërkoi me i rrahë paret dhe nuk kje punë qi me ma shty afatin e pagesës së kambialit.