Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Shtunë, 20 Pri 2024
E Mërkurë, 12 Tetor 2011 09:30

Mirazhi, rrëfimi i Ulisit

Tani ai nuk i mbante mend më ditët që ecte e ecte papushim. Ato iu ngatërruan të gjitha në mendje dhe ishin për të të tëra njëlloj, ashtu si rëra që shtrihej pafundësisht rretherrotull si një oqean i ngrirë. Shkretëtira përvëlonte si saç dhe dielli, edhe

pse ishte lart, në një pozicion të kupës qiellore, dukej sikur ishte gjithëkund, i copëtuar e i shumëfishuar në miliona diej që digjnin e digjnin mizorisht. Nuk kishte ç'mendonte më. Mendja e tij ishte një miniaturë e botës ranore që bënte pushtetin rreth tij. Kishte ecur e ecur sipas busullës e hartës s mbante mend se sa ditë e net. Buzët i ishin tharë, s'i puthiste dot më dhe goja iu mbush me rërë e shkrumb. Ai pothuajse s'kuptonte më tani madje në ishte ditë apo natë, pasi verbimi i diellit e linte shëmbëllimin e vet në retinën e tij edhe kur yjet ndrisnin si pikëllime të largëta dhe rëra ftohej e bëhej njësh me terrin.
Vetëm zemra rrihte tek ai, një zemër e fuqishme që s'donte t'ia dinte nga mundimi, por  pomponte papushim gjakun duke mbushur me energji indet e trupit. Ai e ndiente atë t'i rrihte kudo, që nga shputat e këmbëve e deri në fijet e flokëve mbledhur shuk si një shtupë e lagur nën kapë. E ndjente atë si një oshëtimë të brendshme që i mbulonte gjithçka dhe ajo qe e vetmja lidhje e tij me kohën. Ashtu, nëpër rrahjet e saj që befas u shpeshtuan, ai pa atje tej ujin, cipën argjendore të burimit dhe palmat me hijen shushuritëse. Nuk nxorri dot zë; vetëm ca gulçe iu formuluan pandërgjegjshëm dhe iu mbytën përsëri në rërën që i mbushte gojën. Ja pra, më në fund ia kishte dalë.

 

Më tepër në këtë kategori: « Tetë poezi Çuçi »