Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Martë, 23 Pri 2024
E Mërkurë, 12 Tetor 2011 17:28

Tregime tejet të shkurtra, minitregime

Ekziston një antologji shumë shumë interesante në spanjisht, përgatitur nga Antonio Fernandez Ferrer, Antologjia e tregimeve më të shkurtra të botës dhe të letërsisë hispanoamerikane, e cila mban një titull të çuditshëm: Dora e Milingonës.

Kureshtia për titullin më bëri të zbuloja, jo pa shumë përpjekje, burimin nga ku ishte frymëzuar titullvënësi; qe një thënie e të madhit të letrave hispanike, Juan Ramon Jimenesit, të cilën do ta riprodhoj me ç'më ka mbetur në kujtesë: Një libër mund të zvogëlohet sa ta nxerë dora e milingonës, sepse ka brenda idenë që mund ta zmadhojë e t'i japë përmasat e universit.
Julio Cortazari e bënte dallimin midis romanit dhe tregimit, duke thënë se romani është si filmi, ndërsa minitregimi si fotografia. Dhe vërtet, ky vlerësim cortasian të bën të mendosh se ajo që lexojmë në një tregim të shkurtër, tamam si pamja që kemi përpara në një fotografi, duhet të na udhëheqë patjetër dhe në mënyrë të sigurt drejt ndërtimit figurativ të mesazhit që transmeton tregimi, të botës së fiksuar në celuloid. Sfida e tregimit të shkurtër, e minitregimit, mbështetet në një strukturë tejet të veçantë narrative, në konkretizimin e idesë duke përdorur një numër shumë të kufizuar fjalësh, por që bartin mundësinë për të dhënë, ashtu si një fotografi mjeshtërore, një botë të tërë, përtej të gjitha fjalëve të shtrira në tekst, që vetë lexuesit i takon ta ndërtojë, duke patur një fillim të gatshëm, një emocion të ndezur, një mister të lindur ...