Në kopshtin e shtëpisë së tij parisiene, ndërkohë që zhurma e qytetit të madh na mbërrinte si sfond, ashtu si dhe Shqipëria e bisedave tona, vura re se fliste një shqipe të kulluar letrare. Ishte hera e parë që hasja gjë të tillë te një shqiptar të Kosovës, sado që kam takuar me mijëra! Sepse kosovarët ose flasin gegënishte të kulluar veriperëndimore, ose e bastardojnë gjuhën duke e kthyer në zhargon, ose, nën stresin e toskërsishtes sonë të normuar bëjnë gabime të çuditshme tëtipit kam me menduar apo jam shkuar. Ndërsa Ehati e ekzekutonte letrarishten shqipe si të ishte ndonjë tokatë e lehtë Jugu, vërtet e vështirë për masën, por jo për veriorin me shqisa fine.
Po kaq më habiti angazhimi i tij intelektual si dhe njohja e imtë e skenës shqiptare në Francë. Artist që nuk gjen asnjë arsye ta mohojë kombësinë, meditues që s'mërzitet nga sherret e vazhdueshme dhe intrigat e skenës, gjithmonë me shpresë se edhe kultura shqipe një ditë do të jetë ndër ato që i fal njeriut krenari dhe identitet. Në gjuhën e kësaj kulture mediton Ehat Musa edhe për artin e vet; një sprovë të vogël na e dha për revistën Përpjekja, e cila ia kishte fituar zemrën.
Ardian Klosi