Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Enjte, 18 Pri 2024
E Mërkurë, 12 Tetor 2011 17:47

Adam Miçniku në Shqipëri

Një nga ngjarjet e rëndësishme të jetës kulturore shqiptare gjatë harkut të kohës që ndan dy numrat e revistës ishte edhe vizita e Adam Michnikut. Fatkeqësisht kjo vizitë nuk gjeti në Shqipëri jehonën që meriton fama e Michnikut si disident i

djeshëm dhe si ideolog i sotëm i tranzicionit - që të dyja të njohura në shkallë botërore. Nuk dimë pse ndodhi kështu, për shkak se sistemi ynë i vlerave është ende shumë i çoroditur apo pse ndoshta dikujt nuk i pëlqente ta propagandonte ashtu dhe aq ardhjen e tij. Ai ishte i ftuar në një seminar në Durrës dhe bëri një takim me gazetarë në Qendrën e medias të Sorrosit nga i cili po japim një kronikë të shkurtër të cilën po e fusim në rubrikën "Tranzitologji" pasi Michnikun e konsiderojmë si një nga ideologët e tranzicionit postkomunist.
Që në çastin e parë kur e takon, kur e sheh të flasë, kur të drejtohet kupton se ke të bësh me një njeri që rrezaton liri, që ecën në këtë botë përmbi atë rrjetën e ndërtuar nga njerëzit korrektë dhe të respektueshëm, çuditërisht pa ngecur në leqet e saj shpesh herë të thurur me kollaro dipllomatësh, politikanësh, administratorësh e biznesmenësh. Një njeri që duket se është dhe mbetet po ai përpara askushit, kolegut, politikanit, policit, presidentit, përpara vetë Zotit. Nuk dihet pse janë kaq të rrallë njerëzit që mbeten vetvetja në çdo situatë. Çfarë kanë më të zhvilluar se të tjerët, ndoshta sinqertitetin, ndoshta inteligjencën, ndoshta kurajon qytetare apo ndoshta janë një kombinim fatlum i të trejave.