Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 19 Pri 2024
E Enjte, 13 Tetor 2011 06:41

Ndal politikës "Krimi ndjell Krim": Promemorie

Drejtuar:
Opinionit publik shqiptar
Forcave politike në pushtet dhe kreut të tyre, Presidentit të Republikës
Forcave politike opozitare
Ushtrisë dhe Policisë


Për dijeni: Përfaqësive diplomatike të akredituara në Tiranë

Po ndjekim me vëmendje dhe shqetësim të thellë zhvillimet dramatike të ditëve të fundit në vendin tonë. E themi që në filim se kjo që po ndodh nuk është diçka e papritur dhe e paparashikuar, por veçse afrimi drejt aktit të fundit të politikës krimi ndjell krimin, që ka ndjekur pushteti aktual, me SaliBerishën në krye, qysh prej katër vjetësh.

E lindur nga një aspiratë sa e fuqishme, aq edhe e turbullt për liri e demokraci, Partia Demokratike shumë shpejt pushoi së qeni një parti demokratësh dhe u shndërrua në një emër me të cilin abuzohet nga një mafje politike në pushtet. Gabimet e njëpasnjëshme, qysh të nesërmen e marrjes së pushtetit dhe paaftësia e kryetarit të saj Sali Berisha për të reflektuar mbi to, për shkak të verbimit të tij nga etja për pushtet, bënë që shumë shpejt nga gjiri i saj të largohej pjesa më e emancipuar dhe më e kulturuar e politikanëve të rinj shqiptarë dhe aty të mbetet një përzjerje ishkomunistësh të vjetër fanatikë, të konvertuar në antikomunistë fanatikë, disa ishtë përndjekur në shërbim të tyre dhe gjithëfarë konformistësh të tjerë të rritur nga diktatura enveriste. Me këtë strukturë intelektuale dhe shpirtërore kjo forcë politike nuk qe në gjendje të ndërtonte një shtet që t'i udhëhiqte shqiptarët në rrugën e gjatë dhe të vështirë të lirisë. Ajo shumë shpejt mori kthesën për në qorrsokakun e vjetër të injorancës dhe nënshtrimit tradicional ndaj sundimit autoritar, e cila është edhe rruga më komode për ata që nuk e shikojnë shtetin si shërbim ndaj shoqërisë, por vetëm si mjet për të fituar privilegje e për të kënaqur instikte nga më të egrat. Kështu rifilloi, në kurriz të popullit të varfër shqiptar, ende të pamësuar me shijen e lirisë, politika krimi ndjel lkrimin.

Hap pas hapi pushteti i Berishës:

u hoqi shqiptarëve të drejtën e porsafituar të demostrimit;

u ngushtoi në minimum hapësirën e porsafituar të informacionit;

u hoqi pavarësinë e porsafituar të gjykatave;

ua ktheu televizionin e porsaçliruar në mjet fyerjeje dhe presioni;

u shkatërroi mjedisin natyror dhe u ndoti mjedisin shpirtëror;

i përçau sipas logjikës leniniste o me  ne, o kundra nesh!;

rrahu dhe burgosi padrejtësisht;

shkatërroi opozitën;

i vodhi popullit mundësinë e vetme për të shpëtuar nga kjo klikë, votën e lirë...;

Grabitja e madhe financiare, për të cilën shqiptarët protestojnë sot, është pjesë e grabitjes së madhe politike, pjesë e krimit që ka ndjellur krimin, i cili, në thelb, është krim ndaj lirisë. Skenat e dhunshme e tepër të dhimbshme që pamë në televizion dhe që u
shëmbëllejnë si pika uji atyre të viteve 1990-91, nuk i shikojmë thjesht si revoltë për humbje të hollash, por si rrjedhojë e pritshme e një jete me liri të dhunuar, si rrjedhojë e një abuzimi të paskrupullt me durimin e popullit shqiptar. Prandaj Partia në pushtet duhet të ndjejë përgjegjësi të thellë edhe për ato. Është e pritshme që një popull që nuk e lë të demostrojë as me lule të demostrojë me gurë.
Është e pritshme që një popull që nuk e lë t'i korrigjojë institucionet e pushtetit me votën dhe opozitën e tij, t'i korrigjojë ato me flakë.
Eshte e pritshme zemërata popullore ndaj një shteti që, pasi ka bërë punën e hajdutit, kërkon të vihet në rolin e gjykatësit. Forca politike në pushtet, duke mohuar përgjegjësinë e tyre për krijimin e kësaj situate, duke përjashtuar çdo bashkëpunim të sinqertë me opozitën, si dhe duke vendosur një gjendje shtetrrethimi të pashpallur, nuk bënë gjë tjetër veçse po thellon krizën e saj të besimit, politikën e krimi ndjell krimin. Askush nuk mund të besojë më se ajo do të mund të gjejë zgjidhje të ndershme qoftë dhe në ndarjen e
kapitaleve të ngrira të qytetarëve shqiptarë.
Ndërkaq, ne mendojmë se problemi më i madh nuk është thjesht kthimi i të hollave, por fakti që kjo politikë e papërgjegjshme e ka lënë vendin para një perspektive tejet të zymtë, për të cilën të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgatitur që ta përballojmë së bashku. Në Shqipëri shumë shpejt mund të shfaqen probleme politike, sociale dhe ekonomike me pasoja të rrezikshme. Vendi ynë kërcënohet nga rënia e fuqisë blerëse, nga rënia drastike e nivelit të jetesës, nga thellimi i varfërisë, nga një hemoragji e re eksodi, nga shkatërrimi i atyre pak gjërave që janë ndërtuar.
Këtë gjendje nuk mund ta parandalojë apo ta lehtësojë një forcë politike që ka humbur çdo autoritet pikërisht për arsye se është ajo që e ka shkaktuar, një forcë politike që ka uzurpuar pushtetin nëpërmjet grabitjes së votave të sovranit popull dhe një president që asnjëherë gjatë këtyre katër vjetëve nuk është ngritur mbi interesat e kësaj force politike. As edhe një qeveri teknike jashtëpartiake nuk do të mund ta kishte këtë autoritet.
Vendi ka nevojë që në krye të tij të vihet sa më parë një autoritet i vërtetë dhe i qëndrueshëm, një autoritet i mbështetur jo te frika, por te besimi. I tillë do të mund të ishte vetëm një PARLAMENT i dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme. Duke pasur parasysh sa më sipër, në emër të mbijetesës dhe të lirisë së këtij kombi të shumëvuajtur dhe të së ardhmessë fëmijëve shqiptarë:

I bëjmë thirrje popullit shqiptar:

të evitojë shkatërrimin, shpërthimet e dhunës dhe provokacionet e policisë sekrete, duke vazhduar parreshtur me protesta paqësore.
I bëjmë thirrje qeverisë, presidentit, partisë në pushtet: të mos tregohen dritëshkurtër duke ngulmuar në masa represive dhe në
tensionimin e situatës politike, të cilat kurrësesi nuk mund t'i zgjidhin problemet e rënda ekonomike e sociale ekzistuese dhe ato që do të vijnë, por të pranojnë përgjegjësinë e tyre për gjendjen e krijuar dhe të përgatisin një largim sa më dinjitoz nga skena politike duke i kthyer sovranit popull të drejtën e votës.
U bëjmë thirrje partive opozitare: të ndërgjegjësohen për vështirësitë dhe përgjegjësitë tejet të mëdha që ka përpara politika shqiptare dhe t'i dominojnë ethet e luftës për pushtet, të lënë mënjanë dallimet ideologjike e nuancat programore, për të punuar së bashku që të ndërtojnë një ALTERNATIVE të shpëtimit të kombit dhe të demokracisë.
U bëjmë thirrje ushtarëve, oficerëve dhe punonjësve të policisë në të gjitha nivelet:
të mos shndërrohen në vegla të dhunës së një grupi politikanësh kundër popullit, kundër vëllezërve dhe motrave të tyre në fatkeqësi dhe të kujtojnë se ushtria është për mbrojtjen e atdheut, ndërsa policia është për të mbrojtur qetësinë e popullit.

U bëjmë thirje të gjitha forcave politike, në pushtet dhe në opozitë: të ulen në tryezën e bisedimeve, si hap i parë i daljes nga kjo gjendje dhe si shembull emancipues për krejt shoqërinë shqiptare.
I duhet dhënë fund sa më shpejt politikës tradicionalisht shkatërrimtare krimi ndjell krimin.


28 janar 1997
Agim Isaku
Arben Kumbaro
Ardian Klosi
Armand Shkullaku
Artan Imami
Bashkim Shehu
Ben Blushi
Bujar Xhaferri
Daut Gumeni
Edi Rama
Fatos Lubonja
Fron Nazi
Frrok Çupi
Gjergj Peçi
Kurt Kola
Martin Leka
Nikollë Lesi
Vladimir Prela


Të pavarur nga partitë politike