E Enjte, 13 Tetor 2011 07:15

Lule shqipo lule djale

Kur u vendos që Përpjekja e nëntë t'i kushtohej shqiptarit nëpër botë më fërgëlloi trupi njëlloj si njëherë e njëkohë përballë një teme të madhe hartimi shkruar në dërrasë të zezë nga dora e zyshës së bukur të letërsisë dhe më pushtuan

aso emocionesh të flakta që vetëm Epoka e Utopisë së Madhe ia mbrrinte t'i ngjallte përmes titujsh përthithës si Mirëmëngjes Republikë, Shqiponjat fluturojnë lart, Buka e duarve tona, Njeriu i Ri Din Hyka, Lule për 8 marsin, Endërr industriale ... mbamë, o perëndi se m'u muar mendja duke parë syhapur ëndrrën për të stisur e futur në vazon e vogël të Përpjekjes një buqetë lulesh të zgjedhura me aromë të fortë shqiptare, lule të rralla, të kërryera nga krejt ajo bahçe që gjaku shqiptar vaditi nëpër rrugët e Botës së Lirë, edhe pse, duhet të rrëfej kryekreje se jam fare i vetëdijshëm që të shkruash sot për Shqiptarin nëpër botë është po aq e zorshme sa t'i thoshe dikur mirëmëngjes Republikës apo t'i rrokje me sy shqiponjat në fluturimin e tyre të lartë, bile, kam përshtypjen se është edhe më e vështirë se kaq, sepse Shqipua Nëpër Botë jo vetëm e ngërthen brenda vetes të gjithë ngarkesën e madhe simbolike të mëngjesit të Republikës, të fluturimit të lartë të shqiponjave, të erës së bukës së prodhuar në vend, të këmbës së drunjtë të Din Hykës, të lule mimozave të këputura nëpër lulishte për të kremtuar 8 marsin e s ëmës, të çelikut, allçisë, baltës dhe bronxit, por edhe e shpërfaq në mënyrë krijuese këtë ngarkesë teksa jep e merr për të ndrruar vend e për t'u hedhur symbyllazi nga shtrati i përroit të tij të thatë në krevatin tundues të familjes së madhe andej detit, e paskëtaj, sa për të dhënë një shembull të shkallës së lartë të vështirësisë që paraqet trajtimi i kësaj temë lapidare të ditëve tona, mjaft të them se sot Shqipos nuk i thua dot më as mirëmëngfes sepse bën vaki që, cok në atë çast që një kopje e tij rrufit kafenë e parë në agullirën e Tiranës, një tjetër kopje ha fjala vjen zemrën në ndonjë burg matanë oqeanit, një kopje e tretë është le të themi duke kashaisur një kalë në mesditën e nxehtë të Australisë, një kopje e katërt gjendet dreqi e di se në ç'orë të ditës a të natës duke kurdisur ndonjë sherr në Afrikën e Jugut apo ndoshta edhe në Vietnam, e bile një kopje e pestë mund të jetë ndërkohë duke shetitur nëpër muzgun e ftohtë të Stokholmit në pritje të Çmimit Nobel, pra, mjaft t'i thuash mirëmëngjes atij të Tiranës për t'u prishur me katër të tjerët që qerthullojnë të lirë rrotull globit.

 

Zëra të ngjashëm (sipas fushës)

kthehu më sipër