Revista PERPJEKJA

LOADING
PREV
NEXT
http://revistaperpjekja.org/components/com_gk3_photoslide/thumbs_big/696447kopertina_36_37.jpg

Fac sapias et liber eris

  Bëhu i ditur që të jesh i lirë

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Nr. 9 » Shkrimtari Kadare në olimpin frëng të moralit dhe politikës
E Shtunë, 20 Pri 2024
E Hënë, 17 Tetor 2011 09:13

Shkrimtari Kadare në olimpin frëng të moralit dhe politikës

Një nga ngjarjet më të trumpetuara të jetës kulturore shqiptare në harkun e kohës midis dy numrave të revistës ishte pranimi i Ismail Kadaresë si anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale dhe Politike. Media shqiptare e përdori të

gjithë retorikën e trashëguar nga epoka nacional-komuniste për t'i bërë jehonë kësaj ngjarjeje. Televizioni, i cili kishte shkuar enkas në Paris, e shfaqi dy herë xhirimin e ceremonisë së bashku me intervistat që u kishte marrë të pranishëmve, adhurues shqiptarë dhe francezë të shkrimtarit, përzjerë në një lumë vlerësimesh ditirambike. Gazetat proqeveritare botuan jo vetëm fjalën e Kadaresë, por edhe atë të akademikëve francezë. Koha jonë, më e madhja gazetë e pavarur e vendit, që deri dje nuk i kishte kursyer shpotitë, madje dhe akuzat ndaj vlerave moralo - politike të shkrimtarit, kësaj here jo vetëm u bë njësh me rreshtin e gjatë të lavdithurësve, por arriti deri edhe t'i kërkojë ndjesë Kadaresë gjenial për ndonjë pasaktësi që ka shkruar lidhur me të kohët e fundit dhe ta shpallë pranimin e tij në A.SH.M.P. si më të madhen ngjarje në historinë e kulturës shqiptare (?!).
Njeriu i kupolave, siç e quajti Mishel Pikoli, dukej se i bindi të gjithë bashkatdhetarët se kësaj radhe vetë Franca e Lumieres-ve ishte dorëzuar e tëra nën këmbët e tij dhe se, paskëtaj, duhet të jesh jo vetëm superziliqar, por armik i Shqipërisë, madje edhe i Francës, që të guxosh t'i shohësh me dyshim vlerat e tij të përbotshme. Shtypi dhe media as iu qasën kësaj here opinioneve të atyre njerëzve të kulturës dhe politikës të cilët nuk i entuziazmon ashtu dhe aq vepra e Kadaresë - akoma më pak kontributi i saj në fushën e moralit dhe politikës. I mbetet kështu Përpjekjes e cila qysh në fillimet e saj ka parapëlqyer të jetë një copë nga ajo forcë që prorëdon të keqen, por bën mirë të shprehë mendimet dyshuese dhe kritike lidhur me pranimin e Kadaresë anëtar të një akademie që mëton të jetë një lloj olimpi i zotave tokësorë të moralit dhe politikës.