Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Martë, 23 Pri 2024
E Martë, 18 Tetor 2011 10:42

Nuk janë vetëm hajdutë dhe prostituta. Një propozim për shqiptarët "e tjerë".

Javën që shkoi u çel në Milano, si çdo vit, Salloni i Librit Antik. Ndofta është përshtypja ime ose ndofta ma shtinë në mendje miqtë e shumtë që takova kësaj here, por sot, krahas tregtimit të dorëshkrimeve me miniatura dhe atlasëve të shekullit XVII

me çmime aspak joshëse, po përhapet gjithnjë e më shumë modernariati. Botimi i parë i librit të Montale-s Kocka sepieje ose ai i Campana-s Këngë orfike kushtojnë më shtrenjtë se disa inkunabule.
Por, fundja, po ta mendosh mirë, pas pak kohësh këta libra do t i takojnë shekullit të mëparshëm, e atëherë do të shihet se ata kanë qenë shtypur në shumë më pak kopje sesa disa botime "Ciceroni" të Manuzio-s. Meqenëse ishte fjala për gjëra të rralla, u thashë librarëve dhe koleksionistëve se rasti ma kishte sjellë të kisha në dorë një thesar bibliografik. Ç'është e vërteta, sapo kisha marrë (në fakt, ia kishin dërguar botuesit tim Bompiani që para një muaji) katër kopje të përkthimit në Shqipëri të librit tim Emri i trëndafilit, dalë nga shtypi në fund të vitit 1996 ose në fillim të 1997-s. Duke bërë një llogari të thjeshtë më dilte se, për shkak të tragjedisë së piramidave mashtruese, askush nuk do të kishte pasur të holla për ta blerë, prandaj ai do të ishte libri më pak i shitur i universit. Gjithashtu, në valën e plaçkitjeve të shumta, magazina e botuesit duhej të kish marrë zjarr; kështu që katër kopjet e mia duhej të ishin të vetmet që kishin shpëtuar. Sa i vlerësoni?, pyesja. Mund të isha i vetmi (bashkë me mafien) që do të nxirrte përfitime ekonomike nga tragjedia shqiptare.