Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 19 Pri 2024
E Martë, 18 Tetor 2011 10:44

Tirana - ferri urban i fundshekullit të XX

Qyteti socialist shqiptar, siç mund të jemi të gjithë të njëmendjeje, nuk qe aspak cilësor, prandaj është e kuptueshme që ai të mos përfshihej qoftë dhe në mendimin urbanistik të vendeve të kampit socialist. Politika urbane në Shqipëri përgjithësisht

nuk u udhëhoq nga parime urbanistike. Nuk arriti të përvijohej ndonjë politikë ripërcaktimi territorial si në Çekosllovaki, një teori e zgjerimit të qyteteve ekzistuese pa asgjësuar bërthamat historike si në Rumani, një politikë planesh në nivel rrethi si në Bullgari apo ajo e krijimit të zonave rezidenciale me shtëpi të tipit vila private si në Hungari. Ndonëse të ideologjizuara, këto politika patën në bazë të tyre edhe parime urbane të shkollave perëndimore. Në Evropën Lindore, falë një kulture shpirtërore e materiale më urbane se e jona, faktorët, që kushtëzuan përgjithësisht politikën urbane të vendeve socialiste, u anashkaluan. Në Shqipëri nuk ndodhi kështu, ato u ndoqën me një fanatizëm primitiv. Arketipi urban i qytetit shqiptar rezultonte pa karekteristika kulturore, gjeografike e historike (për shkak të eliminimit të kuartiereve të vjetra që u zhdukën në emër të së resë dhe luftës kundër mbeturinave të së kaluarës ) pa ngarkesa - Fenomen që në Hungari u vu re pas planit rregullues të viteve 70 dhe që shkaktoi fërkime ndërmjet organeve partiake të vendit dhe atyre egzekutive.