Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Friday, 19 Apr 2024
Wednesday, 19 October 2011 19:08

Letërkëmbim: Çfarë bën Përpjekja për Kosovën?

I dashur Fatos,

Përpjekja është nga të paktat pika kontakti intelektual që më mbeten me Shqipërinë, prandaj dhe ka për mua një rëndësi të veçantë përveç asaj që kishte kur ndodhesha atje. Tjetër gjë po të flisja për krijimtarinë beletristike, në të cilën Shqipëria më kthehet pamungueshëm. A e di, ndoshta është largësia fizike ajo që ma bën vendlidjen shpirtërisht më të pranishme se kurrë, me një imperativ kompensimi për ta kërkuar e për ta rijetuar nëpërmjet imagjinatës. Po mesa duket kjo ndodhka mu pse thelbi i imagjinatës është pikërisht kthim në zanafillë. Dhe më paraqitet si një sfidë, kjo, teksa e shndërroj ne lëndë letrare përballë një lexuesi që normalisht i kushton botës së vendit tim po aq vemendje sa unë e ti ndonjë tërmeti në fshatrat e Afganistanit (ndërsa luftimet e atje tashmë i përkasin rutinës...). Sfida, një sfidë e frutshme, ngase puqet me raison d être  të letërsisë, me këtë Zonë Shengen të Shpirtrave pa Kufij, qëndron, pra, në mundësinë për t'i bërë të tjerët, si të thuash, të harrojnë koordinatat vetiake dhe të pandehin se janë shqiptarë , se fshati im është koekstensiv me botën e tyre (e cila, me që ra fjala, është një fshat gjithashtu...)