E Mërkurë, 19 Tetor 2011 19:35

Dritare


MËNGJES


I
Mëngjesi është ulur këmbëkryq mbi këtë dhomë të zbrazët
Ku ëndërrat e natës së kaluar
Nuk rrinë dot
Se s'kanë çarçaf për t u mbuluar.
Duhen hapur dritaret
Që ky mëngjes-kasnec i paftuar
I gjithë borxheve që sapo kam filluar t'i paguaj
Të mos hapë më gojën me zhurmë,
Po të ngrihet të ikë në rrëmujën
E ditës që e ndjek.


Duhen shtyrë kanatet
Drejt majave të pemëve e çative,
Drejt tymit që ngrihet
Si e vetmja shenjë jetë e këtyre shtëpive.
Duhen drithëruar xhamat lehtë
Për të mos e trembur shtriqjen e beftë
Të vajzës që fle në apartamentin përballë,
Që zgjohet heshturazi me krahët bosh
Dhe më rrëfen të gjitha ëndërrat me sy poshtë
Kur mirëmëngjes më thotë në shkallë.
Duhen hapur të dyja kanatet
Për t'u mbështetur mbi parmak
Kur gjyshet, dhe të dashurat,
Dyqanxhinjtë e kohës dhe mëditësit e pritjes,
Pleqtë e bardhë dhe fëmijët qaramanë,
Mendimtarët, qentë dhe presidentët
Gjumit t'i dalin matanë.
Duhet të jesh në këmbë kur gogolët të fshihen varreve,
Zgjuar para zileve,
I ngopur pa kafe,
S'ka kohë tjetër për të filluar poemën e dritareve.

 


II
Kanatet gërvishen mbi dërrasat e vjetra të kasës,
Kush ka kohë të mendojë për pak bojë vaji
Që do bjerë nga fërkimi.
Do paguajmë për një tjetër dorë bojë kur të vijë maji.
Duhet kapur rrezja e parë,
Për të qindtën herë me radhë,
Duhen parë avujt e tokës së ngrirë
Para se të pikturosh zgjimin.
Duhen harruar grindjet e gruas,
Ëndërra e keqe e djalit të madh,
Duhen ngatërruar e ringatërruar bojërat
Pa hedhur në banjë balltakun e parë.
Po, po, po, do t'ua bëj bukën gati para se të shkojnë në shkollë.
Lemë t'i mbaroj këto shkarravina...
Nuk e gjen gjë reçelin.
Ç'pret pastaj... Tintoreton apo Botiçelin?
Po pse duhet që të matem me këta snobë,
Kush tha që jashtë katalogëve nuk ka modë.
Kush tha se ka vetëm kapela sikstine
Ç'janë këto bushtra filistine
Që presin të vrapoj maratonën e perëndimit
Unë dua që ta pikturoj shqip zgjimin.
Harroji pejsazhet klasike, kompozimet, kopjimet e zararet,
Zgjimi im është gjithmonë kryevepër kur hap dritaret.


III
Kur hap dritaren
E di se ka mbetur vetëm
Me përgjigjet që s'i nxirrte dot dje.
E ndjen se makthi i pikëpyetjeve
Që mbrëme i përtypte me bukë të ftohtë
E ka lënë përgjithmonë.
Por në dhomë është ngrohtë.
Ajri i qullët i mëngjesit
Ia përkëdhel fytyrën pa kushte.
Kur dëgjon të lehurat
Që ngjiten nga oborret
Fytyra e tij rrjedh jashtë kontureve,
Zgjatet dhe fillon t i duket si një qen i zi,
Pa veshë, me bisht të ngrirë, pa këmbë,
Pa push, me jargë, pa zinxhir,
Me pleshta, me rodhe, me dhëmbë.
Të lehurat i kumbojnë prapa kokës.
Tani nuk ka pse t i druhet botës.
Plakat s e kanë pirë ende kafen e parë.
Ndoshta duhet të blejë edhe ajo dru me gomarë.
Të lehurat ikin tutje.
Si qen plehrash, ai ishte përkulur
Me lutje
Për një përkëdhelje
Dhe kishte ikur vjedhurazi në një gjumë pa zgjim,
Me një copë të saj, duke kuisur në agim.
Kishte ikur duke lënë prapa vetëm kujtimin e dhëmbëve të errët.
Sa mirë bëri që i hapi dritaret herët!


IV
Dritaret janë vjetëruar.
I dëgjon krimbat kur grinden natën
Nëpër dërrasat e lidhura me tutkall.
U merren mendtë sa herë që ai hap dritaret.
Po kujt s'i merren mend këto kohë!
Mëngjesi s e lë të qahet për endërrat e natës.
Trilli i një shkulmi ere
Që nuk e di nga vjen dhe ku shkon
Ia lidh gojën
Me të gjitha shpresat që nuk i kanë vdekur
Oh si ia ndez prapë mendjen!
Me një mijë prapësira.
Me një mijë ide që i harron gjatë ditës.
Me një mijë dëshira që i harron kur bie në shtrat.
Mëngjesi do ta lërë ndonjë ditë sakat
Me peshën e gjithë premtimeve që i ka bërë vetes.
Do t'ia mbushë me ndonjë eliksir lugën.
Do ta lërë fillikat.
Do ta bëjë të marrë rrugën.
S do ta lërë të mendohet gjatë,
S do i lërë kohë të puthë gruan,
S do i lërë fytyrë të kthehet prapë.
Duhet rralluar ndoshta doza e ajrit të pakontrolluar,
Që vjen pa naze, shkon pa lajmëruar,
Se ia ngacmon keqas dreqërit
Që i ka mbyllur me kujdes viteve.
Dhe ai e di se ç'dreqër bien në gjumë me të!
Djaj të vështirë,
Që për një gabim të vogël,
Mund ta çojnë nga karrikja ku humbet ditët,
Ta zvarrisin deri tek ministri,
T'ia mbushin duart me letra dorëheqjeje,
Tia veshin shefit të dikasterit me shuplakë,
T'ia bëjnë mendjen tym dhe sytë flakë.
Ku i dihet se ku mund ta nxjerrë dufi i tyre
Në ç'brigje epshi, në ç'udhë intrige?
Ndoshta mund ta lënë flokëbardhë
Por brenda t'i vënë thëngjij për ta marrë në qafë.
Ta lënë me dhjamë në bark
Por brenda t'i shtijnë uri të pashueshme,
Impulse të pabesa
Për t'i shkundur vetë pemët e ndaluara.
Ta cysin të hajë hurma arabije dhe rush.
Të hajë pa reshtur
Deri sa të gjithë përbërjen proteinike
Ta ketë ndërruar.
Të bëhet në fakt tjetër njeri
I madh, mendjemadh, i pakontrolluar!
Në vështrim të parë,
Djaj të tillë duken si ata që vijnë shpesh vërdallë.
Por vitet e netët pa gjumë e kanë mësuar,
Se s duhet besuar pamja.
Djajtë të hedhin trutë e gomarit pa kuptuar.
Të bëjnë t'i pështysh të gjithë dordolecët
Që varen zyrave të këtij qyteti
Krahas pikturave të shpëlara
Nën portretet e zverdhura
(Letra s'pyet ç'mban mbi vete dopiopetë presidenti apo mustaqe mbreti).
Dreqër të tillë të bëjnë të hidhesh në revolucion.
Ule zëre kaqol! gati sa bërtet,
Nuk thuhen fjalë të pista me gruan në dhomë.
Pastaj vetë ke vendosur të mos merresh me ëndërra banale,
Tund kokën me vete,
Dhe shton duke hequr cigaren nga buzët,
Kjo botë u çuaka para me grimca inkrementale.


V
Në dritare,
Shufrat ku duken gërvishtje sharash
Ia ftohin duart e thata.
Dhjami që ka vënë nga bujaria e gardianit
E tradhëton para të ftohtit të hidhur
Si kurajoja para se të bjerë nata.
I lidhur me një verdikt të shkarravitur
Bisedave mbi pjata me hala korani,
Të një tjetër partizani
Që zanat e maleve e puthën me zjarr
Deri sa mendtë t'i merrnin valë,
Pret deri sa qielli të zverdhet
Dhe ngadalë në qeli të derdhet
I kuq.
Si verë
Që të ngroh shpirtin
Dhe të çgërmuq.
Drita e agimit
I shkel syrin si adoleshente çapkëne
Me sy të kaltër
Që brenda në qeli duken të hirtë.
Por tani nuk ka pse t'i trembet tundimit.
Pas shufrave,
Drita e mëngjesit
S e rrek dot me asnjë flirt.


VI
Dritaret e kësaj dhome shohin një varrezë makinash
Që ndan gropën e madhe kur vjell plehrat qyteti
Nga rruga e shtrembër.
Bryma ia ka vjedhur vlagën
Pirgjeve që fermentohen
Në këtë periferi të largët.
Vetëm në dritare,
Në mëngjes,
Kur gishti i mesit
Nuk ka më kallon e reshtave që ka shkruar mbrëmë
I kthehet një vizion i frikshëm
Sikur i duhet të presë sa të vdesin të gjithë përreth.
Të rudhet duke qarë nëpër varrime.
Të fishket nëpër rrugë me pak kalimtarë.
Të mbajë hesape morgjeve.
Të mbetet i vetmi i gjallë
Që ua di historinë këtyre plehrave.
Sikur i duhet të presë të shpërbëhen plehrat
Dhe të humbin në xhepat e vegjël të kohës.
Në gropën ku qelbeshin erë
Shishet e zbrazura, frutat e kalbura dhe letrat e grisura
Të mbijë një livadh a një pyll
E ai të shtrihet në bar
Të fshihet pas drurëve
T'i shëtisë sytë nga ylli në yll
Duke pritur të ndërtohen qyteza të reja.
Vetëm kur hap dritaret,
Në mëngjes,
E di se kjo fanitje do t'i mbesë
Diku në skutat e mendjes.
Ngadalë,
Avujt ngrihen mbi plehra,
Ngadhnjimtarë mbi brymën,
Lundrojnë mbi varrezën e makinave
Dhe në dritare mbajnë frymën.
Këta avuj diplomantët e rinj
Duan t i shfrytëzojnë të ngrohin qytetin,
Dhe pastaj t i distilojnë
(Që të ruajnë detin).
Këta avuj të puthin si kanabis,
Të dehin si erë rakie
Të sjellin në qejf si erë benzine
Në një makinë që çan borën
Dhe ndalet kur dikush buzë rrugës
Ngre dorën.
Ndoshta qytezat që i faniten në ëndërra
Do të ndërtohen vetëm kur të jenë kalbur të gjitha plehërat
Kur të gjithë avujt mbytës të jenë larguar nga erërat,
Kur zierja që gëlonte në thellësinë e pirgjeve
Të mbetet në kujtesën kolektive
Si tinguj të largët alarmi.


VII
Këto dritare i kanë hapur më parë,
Sekretarë të parë,
Kryetarë presidiumesh,
Në shpirt komisarë.
Të gjithë janë rrekur të thithin ajrin e mëngjesit
Pas mbledhjesh të gjata
Me diskutime spirale,
Akuza të thata,
Që pleksur me tymin e duhanit,
Rëndodeshin nga nata.
Dhe të përkulur mbi parmak,
Sekretarët, kryetarët, komisarët
Janë falur tek ajri i mëngjesit
Për pak prehje, për pak mirëkuptim,
Se akuzat i kanë hedhur tryezave
Nën presion, me nxitim,
Të ndjellë nga fryma e keqe e kohës,
Në trishtim.
Ndoshta ajri i mëngjesit do ta falë,
Për shkresën që nënshkroi mbrëmë
Dhe për të gjitha shkresat që ka nënshkruar viteve të fundit
(I ulur këmbëkryq në këto dhoma ku më parë vinte vetëm me ftesa),
I vetmuar, i torturuar nga frika, i padalë,
I pagjumë nga inati dhe pendesa.
Nga dritarja, qyteti ku zbriti dikur
Me aq shumë epsh dhe ëndërra
Duket kryeneç, i largët, i pashtruar,
Ironik edhe pse i përgjumur.
Nuk e di në se njerëzit që ecin në trotuarin përballë
Janë roje apo kalimtarë.
Veç hapat e tyre të çrregullt,
Zvarrë ia terheqin një pyetje
Deri në gojë:
Mos vallë je dhe ti komisar?
Në mëngjes, në dritare,
Do të ulet dhe mjekrën ta mbështesë mbi parmak
Të lerë vetëm sytë përjashtë
Ta shohë botën përsëri nga kulla si fëmijë
At i kombit? Ç'ironi!
Kush do të më japë mua pak gji?
I rrahur nga një vorbull pyetjesh,
Të grumbulluara gjatë viteve që vjen në këtë zyrë,
Shtërngon këtë stilograf,
Bie i dërrmuar mbi kolltuk,
E ardhmja s'e lë të pushojë me boshllëkun e saj.
E kaluara me fajin:
Ç'jam unë: Uashington, Xhorxh i Tretë, Makiavel apo bashibozuk?
Të shtënat që vijnë nga skajet e qytëtit
Ia ndërpresin meditimin.
E shtyjnë t'i mbylli dritaret.
Por vetëm për një cast.
Dritaret duhen lënë hapur
Qoftë edhe sikur ajri i mëngjesit të sjellë vetëm barut,
Apo të derdhë pika shiu në sixhadet e zyrës si harbut.
Dritaret duhen lënë hapur
Sepse vetëm kështu degjohen
Zhurmat e pazarit,
Të qeshurat e vajzave,
Britmat e policëve që rrethojnë pallatin,
Autoblindat që kalojnë sheshit.
Era e mëngjesit
Ia mban gjallë shpresën
Të mos ikë nga kjo zyrë si çakall.
Të mos degdiset në shënimet në fund të faqeve të librave të historisë.
Ndoshta do të mund të mbijetojë pas zisë.
I shtyn më tej kanatet
Ashtu si dikur zgjatej të kapte qershi
Monopateve.
Qyteti po zgjohet.
Të shtënat vazhdojnë si zile orësh.
Vazja që ulet në zyrën tjetër hyn me një tufë letrash në dorë
Me hapa të lehtë.
Buzëqesh dhe ikën pa folur.
Ah sikur të ishtë në gjendje të buzëqeshte.
Pas këtij dimri të mallkuar
Që erdhi zvarrë e shkoi kaluar
Në shpirt i kanë ngelur vetëm ngërdheshje
Që nuk i dalin buzëve kur i do.
Nga kraharori i ndrydhur në kostumin blu
I del një psherëtimë
Midis ekstazës dhe dënesës.
Nuk dua të shkoj si vrasësi i shpresës.


PASDITE


I
Kanatet zgjaten drejt qendrës së qytetit
Aty ku rrugët puthen të trallisura
Dhe polici i vetmuar i trafikut heq dorë nga koreografia e detyrës
Për të ndezur një cigare.
Kanatet e hapura lënë të dalë jashtë
Mbeturinat e epshit të trazuar.
Si xhinde,
Mbeturinat vërtitën rrugëve të mëhallës
Duke shkundur dyert
E tërhequr shikime nga dhoma që i ka çliruar.
Dhoma duket tepër e zbrazët
Dhe gjinjtë e vegjël që ngrihen nën forcën e mushkërive
Duken të lodhur
Nga pesha e faqeve të parruara.
Dritaret kanë një pakt me horizontin.
Nga parmaku me pluhur të kuq mund të shoh detin
Me pak fat dhe kthjelltësi.
Dita nuk duket asnjëherë më patëkeq
Se nga parmaku i dhomes ku ke bërë dashuri.
Vetëm kur hap dritaret
E di se nuk ka ç del nga varret
E trazuara nga krismat.
Se matufëve u kanë shterur jargët,
Psikopatëve u kanë mbaruar nismat.
Vetëm në dritare
E di se kurvat do lënë trotuaret
Dhe do mbushin radhët e shoqatave
Historianët do t'u turren lopatave
Për të hapur themele kioskash.
Doktorët do të veshin bluza të bardha.
Ministrat do të bëjnë reçel me dardhat
Që u vijnë në shtëpitë e dashnoreve
Dhe demagogët do fshihen llogoreve
Të paranojës.
Vetëm kur shtyj kanatet
E di se këtij vendi që fanitet herë lugat e herë kavalier
Do t'i kthehen shqisat.
Do të bëhet zot i gojës
Dhe i mendjes
Pavarësisht nga premisat.
Ç'tmerr
Për parazitët që ma marrin frymën
Duke u falur disa herë në ditë
Që t'u tretet shpejt gjaku
Që kanë pirë
Pa urth, as bark as të vjella.
Veç tek parmaku
Harrohet ndjellja
E shoqërisë së tyre mortore
Në vilat e zbukuruara me punë dore.
Vetëm në mëngjes,
Vetëm në dritare,
Mund t'u shqitesh
Thonjve të të gjithë paraardhësve
Që komunizmin e veshën si petk
Në një altar ku deshën të hypnin
Duke u zënë kush t'ia vinte më parë
Këmbën tjetrit në zverk.
Ata vollën me gulçe
Sa e zhytën gjithë vendin në vrer
Dhe i trullosën gjithë bijtë.
Në vetëpërbuzje,
Duan ende t'i tërheqin cungjet që rritën
Me shërbesa qyqare.
Duan t'i radhisin në intriga të vogla
Që për mungesë kohe i quajnë proletare.
Të bindur se me t'i futur brenda
Nuk do të kenë më druajtje
Nga vështrimet kureshtare.
Faji do të jetë i kudogjendur,
I barabartë.
Nuk do të ketë më
Demokratë blu,
Kompromisaxhinj të gdhendur,
Mendimtarë të artë.
Vendi do t'i hyjë përsëri rrugës së vjetër
Me xhepa të arnuar
Dhe do t i mbajë inatet në letër.
Cikli i profecisë do të jetë i plotë.
Mëria to pllakosë mërinë,
Marria do lind mbi marrinë,
Vetmia do ndjellë vetminë,
Çdo lutje do jetë e kotë.


II
Sikur të kishte më tepër kohë
Do të qëndronte më tëpër në dritare.
Për të studiuar lulet
Edhe pse pasdreket i errësojnë artficialisht ngjyrat
Me nervat e ditës.
Karafilat që mbjell plaka në kopshtin përballë
Mund t'i humbin mes ëndërrave,
Mund t'i shpupurisenmes bojrave,
Ta trallisin me të kuqin e ndezur.
Mund ta bëjnë t i hedhë penelatat ngadalë
Mbi makiazhin që ka vendour
T'u bëjë pendesave që nder si kompresa
Mbi dashurinë e fundit,
Për gruan e fundit,
Për trillin e fundit,
Për dehjen e fundit
Me sytë e dikujt tjetër.
Është vështirë të shohësh ëndërrat e mëngjesit
Në dritaren e pasdrekës.
Por mund të shohësh fëmijë që qajnë në pluhur
Vajza që flasin me djem, ulur mbi shkallë,
Me duar mbi fustanet e shkurtra,
Me drithma të pakontrolluara në shalë.
Me flokë që mund të pikturohen në të kuq
Po të duash mos të shkojë origjinaliteti huq.
Të vërtetat e mëngjesit
I zë ngërçi në mekanicitetin e ditës
Dhe penelatat që ngatërron në mendje
Harrohen duke pritur të çlodhet
Para se t'i hedhë në letër.
Ndoshta duhet pikturuar me bojra që u përkasin të gjithëve.
Me të kuqe të ndezur deri në gjak,
Me të gjelbër bari që ka filluar të thahet,
Me të hirtë pritjeje që s harron aspak,
Me të zezë vaji për ngjyrat e humbura
Me të bardhë malli për gratë e shkuara.
Ndoshta vetëm atëherë pikturat do të shtrihen si valë,
Si fije që lidhin të gjithë ata që ka vërdallë.
Do ta bëjnë rob të lumtur të mizërisë së ngatërruar në fije,
Botiçeli do ta kuptojë, Tintoretoja do ta falë.


III
Dritarja sjell avuj
Nga pirgjet e plehrave
Pa ndihmën e erërave
Të pasditës.
Fëmijët që rrëmojnë
Ulen e ngrihen
Me valën që vjen nga poshtë pirgjeve,
Me britma të pathara nga vapa.
Pirgjet gëlojnë
Me thërrimet e të vërtëtës
Së shkarravitur në librat e hedhur
Dhe mashtrimet e mbledhura në volume luksoze.
E vërteta ngrihet me avujt
Për të rënë peng
E një shkulmi ere
Që vjen papritur,
S'nginjet dot
Dhe shkon i uritur.
Ah sikur në këto pirgje
Të kalbeshin dy gabimet stërgjyshore
Të mikrokozmit që i rrethon.
Ngërçi zgaq që buzët kolektive
I lidh gonxhe para gabimeve
Të ikte me erën
Pa hedhur shkelma
Pa shqyer derën.
Trimëria e konservuar
Për të kundërshtuar ujditë me vëllezërit e prapë
Të ridhte si boja e librave të shpartalluar.
Të ikte me vesën
Pa dert për dallditë
E gojëtarëve mjeranë
Që kur nuk u mjafton kafja
Marrin lejen nga realiteti
Dhe si raport mjeku
Paraqesin besën.


IV
Plakat me shami lidhur pas flokëve të ralla
Janë futur në dhomat përdhese.
Për t'i shpëtuar vapës së pasditës.
E përzhitur para saj shtrihet mëhalla.
Nga dritarja dëgjohen dënesa.
Si dënesat e saj mbrëmë.
Qen të tjerë presin të ikin,
Me kocka dhëmbëve, pasi të kenë ngrënë.
Afshi i pasditës ia than djersët pa dalë.
Por dritaren s'do ta mbyllë.
Sot i duhet djersa, afshi,
Fshatari që fanitet pas avujsh,
I ngjeshur në një xhaketë,
Mbi një kalë me hap të pavendosur,
Të qarat e foshnjeve pa dhëmbë
Dhe dielli i pluhurosur.
Nga dritarja dëgjohen të tjera dënesa.
Ndoshta qentë do të ngulin thonjtë,
Do të nxjerrin jargë të gjata,
Do të lehin pa ftesa,
Dhe nuk do të largohen pa i zënë nata.
Në dritare,
Me kurriz kthyer nga orenditë e një shtëpie
Ku ëndërrat i vdiqën gjatë lindjes
Ose i abortuan
Harron fatin e keq
Që e gozhdoi në këtë botë me pluhur
Dhe njerëzit që për ta gozhduar
Erdhën me çekanë në duar,
Me fasule në bark
Dhe shpirtra të frymëzuar.
Sa pak hapësirë
I ka mbetur për t u shtirë
Sikur e do këtë limbo
Ku një mizëri tuhafësh
Përgjunjen si të kurdisur
Para të vetmes siguri:
Dijes se me një dorë të ngritur
Mund ta përplasin poshtë
Të sfilitur.
Edhe sa herë do të ngrejë kryet
Për të bërë be
Se ndoshta duhet të fillojë një jetë të re.
Të humbë diku në male,
Të bjerë në gjumë mes borës
Të mos e vrasë mendjen fare.
Ah sa e gënjen liria në dritare!


V
Shufrat e kësaj dritareje qyqare
E ndajnë në ngastra qiellin e pasdites
Ku insekte flijohen pa rite
Nga zogj që u befin nga pas
Pa verdikte, pa padi,
Me uri.
Në duar i ka ngelur kavanozi i reçelit,
Në gojë shija e duarve të gruas midis ftonjve,
Në skutat e mendjes letra e një ish-shoku që shet të vërteta të distiluara,
Ashklat e kanateve i kanë mbetur thonjve.
Pasditeve, mendimet i koagulohen në citate,
Të gatshme për t'u ruajur në epruveta,
Për t'u tretur me ujë të bekuar,
Për t'i nisur nëpër çeta.
Pas hekurave s'i duhen silogjizmat pedante,
As thonjëzat për t'u dhënë hakun autorëve të ideve,
As induksionet largpamëse, deduksionet elegante,
Në qeli e vërteta është peng e mutacioneve të reve.
Retë e përshkojnë për pak çaste
Hapësirën që nderet pas dritares.
Indiferentë ndaj lutjeve,
Ato humbin pas mureve mëkatare.


VI
Në këtë dritare
Sheh vetëm fasada gri
Dhe fytyra po aq të çimentuara përbri.
Pasditja hyn pa zhurmë
Dhe ecën mes tavolinave
Pa lënë gjurmë.
Hapësirat e ngushtuara
Nga psikozat e drejtorit
Ridimensionohen.
Egot e çnderuara
Të kolegëve
(Shokë në sagën e mllefit)
Lëmohen.
Dritarja fut ajër të papërpunuar,
Agjent provokator
Hedhur gabimisht
Në një burg vogëlsirash.
Ku besimet e gjithkujt
Ruhen në formalinë
Mbi tryezën ku drejtori
Luan me gravatën
Dhe letrat
E skeduara dhe riskeduara
Në rafte që s'i ruan kush.
Djajtë e mëngjesit,
Tulatur sirtareve,
E kanë lënë fillikat
Si formë pa materie mes varreve.
Drejtori heq duart nga gravata,
Dhe brof jashtë zyrës,
Rob i një trilli të ri:
Fillon të bëjë ushtrime ekuilibri
Mbi nerva të tendosura si tela
Që zhuriten nga e premtja,
Njomen nga e shtuna,
Dhe rudhen përsëri kur e djela
Mbaron me ngjyra gri.
Po ajri i pakontrolluar
Që hyn nga dritarja
E trazon duke ardhur e shkuar
I paparalajmëruar.
I turret dritares me vrull.
E mbyll.
Kthehet nga zyra si fëmijë i dlirë
Fërkon duart dhe thotë:
Më mirë!


VII
Portreti i Skënderbeut
Nuk i rëndon më mbi zverk.
Të dalldisur,
Plangprishësit e kanë shpallur njerk.
Tani që pushteti
I ka rjedhur si uji verës në qafë
U afrohet i zhbërë parmakëve
Si marionetë
Që ia kanë këputur gjymtyrët
Në mes të provës gjenerale.
I flakur si gafë
E turpshme,
Nuk di se ç maskë të mbajë në dritare:
Atë të Hektorit të tradhëtuar nga hyjnitë,
Apo diçka më banale.


NATË


I
Gotat që piu
Për të festuar
Prehjen që gjen në këtë dritare pa shufra
I ngjiten shtruar në deje.
Në brendësi të kokës,
I transformohen
Në nota psikedelike,
Kuante të një bote më pak elastike
Gardianësh, partizanësh dhe mjeranësh.
Në dritare,
Është e vështirë të orientohesh mes konstelacioneve
Pa ndihmën e gjeometrisë statike të shufrave.
Qielli shpaloset njëcopet,
Si mushama mbi një transhe
Me mumje nga luftëra
Të harruara.
Nën yje,
Këmbëzbathur mbi qilim,
Me bark në kasën e dritares,
E nesërmja e tundon
(Me mbeturinat e poetikës djaloshare,
Arshivuar dikur në kujtesë)
Po aq sa e tremb.
Si gjemb,
Frika se mund të hapë përsëri arkat e Pandorës,
Në kurset e politikës ose punëdores,
S e lë të bjerë në gjumë.
Nën yje,
Në dritare,
I merren mendtë
Duke përfytyruar
Rrugë ku tretet duke vrapuar
I ndjekur nga xhuxhër me cfurqe
Që kërkojnë hajmalitë e premtuara në vetminë e qelisë.
I merret fryma,
I thahen djersët,
Duke menduar
Se mund të ngelë pas turmës me hapa më të gjata,
Pa barqe të rënduara
Që humbet në horizontet e torturuara
Të ambicies.


II
Si penel,
Nata udhëton lart e poshtë
Mbi ngjyrat.
Ngadalë zhduket vija e horizontit,
Humbin karafilat,
Vidhen konturet e reve,
Shkrihen siluetat.
Fytyrat në dritare heqin maskat
Si midhje që dalin nga guackat.
Shpirtrat i nxjerrin gjuhën ditës
Dhe kalimtarëve me biçikleta.
Kavaleta,
Një kuadrat arbitrar
I dufeve të ditës,
Varur mbi tre pikëçuditëse
Zhvishet nga vlerat kuptimore
Dhe hedh natën mbi vete
Si plaga koren.
Qindra penelata,
Rivlerësime momentale
Të botës ku jeton
Çpolitizohen në prehjen
Që sjell nata.
Ëndërra e përsëritur
I humbet edhe një herë
Si Hirushe tinzare
Deri sa mëngjesi
Të trokasë përsëri në dritare.
Bukuria transferohet
Brenda mureve,
Nën çarçafë
Mbi fytyrën e vazjës që fle me kukullën përbri.
Tintoretoja përgjumet,
Botiçeli s ka ku rri.


III
Maska e Hektorit nuk i duhet më.
S ka mbetur njeri ta dëgjojë nën dritare.
Era sjell një melodi me zë.
Disa afishe fëshfërijnë në trotuare.
Nën yje,
Në dritare,
Pas brinjëve ndjen një tjetër rrahje
Një tjetër ritëm.
S duhet të shkojë si sheleg
Në thertoren e harresës.
Duhet të ulërasë, çirret, ngjirret,
Vetëm kështu
Do të bëhet ndoshta përsëri i përkëdheluri i shpresës.


IV
Fëshfërima gjethesh
Hyjnë nga dritarja
Si efektet zonore të një filmi të vjetër.
Vetëtimat e shurdhëta
Si regëtima projektori
Fiksojnë në mure
Letrat që fluturojnë jashtë.
E nesërmja e pret si dopiogjashtë
Pas një loje të humbur pa filluar mirë.
Nuk e di në sapo ka dalë apo ka hyrë
Në një tjetër humbëtirë.
Për herë të parë nuk e trembin
As lojërat, as fati as pritja.
Me gjinj të rënduar nga dita
Dhe premtime që rendin
T i shpëtojnë keqardhjes për veten,
I lë kujtimet e poshtërimeve t'i treten.
I dalin lotë
Kur thotë se dopiogjashtën do ta mbajë në dorë
(Trofe të pakërkuar).
Në dritare ka vetëm një rrugë:
E nesërmja duhet përqafuar.


V
Edhe një herë
I premton vetes se do të japë dorëheqjen,
Para se djajtë që mban përbrenda
Në gjumë t'i bien.
Yjet që fshihen pas reve,
Llampa inkandeshente
Që ka shpëtuar pa thyer
Dhe era që vjen në dritare
Mbeten indiferente.
Sapo premton,
Pesha e mijëra letrave që ka lënë në zyrë,
Nuk e pengon më te marrë frymë.
(Megjithëse ende ka azmën).
Muskujt e qafës
Që i kanë ngrirë duke ndjekur lëvizjet e drejtorit
I çlirohen.
Brenda vetes diçka i rrjedh rrëmbyeshëm
Si lumë
I fryrë nga shirat e nëntorit.
Mendimet i shtriqen me zhurmë
Duke u përgatitur për
Akrobacitë e ëndërrave.
Dhe djajtë bien në gjumë.


VI
Në vorbull,
Hedhurinat rënkojnë
Duke mbytur zërat e dashnorëve
Që vendosin të martohen në shtrate me erë dashurie
Dhe të martuarve që kur bëjnë dashuri mbajnë vetëm erë shtëpie.
Sa shumë pirgje
Ka vjellë ky qytet i vogël
Ku ecin vajza me minifunde
Dhe burra me tirqe.
Të harruar
Si njerëz që nuk kapën dot evakuimin
Pleqtë hanë kos,
Nënat gatuajnë byreqe.
Me cigaret baballarët ndajnë trishtimin.
A ka ndonjë qenie, forcë a send që i dëgjon?
Fermentimi vazhdon,
Ngadalë,
I paepur,
Si forcë e parashkruar.
Gjyshet mbështjellin bukën me gazeta thashethemesh.
Nënqeshin me fjalët që thonë fëmijët në gjumë
Dhe falenderojnë zotin a fatin:
Jeta mund t'u kish krijuar gjithfarë problemesh.
Bota me gropën e plehrave,
Varrezën e makinave
Rrugën e shtrembër,
Vajzat që i dalin në ëndërr
Shpërthen me forcë kozmike.
Përsiatjet e gjata
Dhe vizionet e frikshme
Humbin cipat tragjike.
Papritur gjendet në rrjedhën e kohës,
Në një tjetër dimension.
S di në bëhet fjalë për një rrafsh apo thjesht një iluzion.
Ndjen vetëm që rrjedha e kohës nuk ka më efekte barbare.
A ka njeri tjetër që do ta kalojë natën në dritare?


VII
Në dritare,
Nata më duket si hapësirë e domosdoshme për ëndërrat
Dhe tymi i cigares dëshmi e mendimeve.
Bota duket ndryshe pa dritën e duhur për flijimet në altarin e vogëlsisë.
Lus
Që në ëndërrat e natës
Politikanët që pllukoskojnë në akuariume,
Vajzat që bien në dashuri me kopertinat
Atletët që vrapojnë në vakume
Dhe shokët që thinjen mbi marrina
Të nëshkruajnë një marrëveshje:
T'i thyejnë akuariumet,
T'i grisin kopertinat,
T'u heqin tapën vakumeve,
T'i fshijnë marrinat.
Dhe në një botë të zhveshur nga klasifikimet,
Rolet, personalitetet, fatet
T'i ndajnë nga e para.
Në dritare,
Nën yje,
E dua botën ku më kanë hedhur.
Madje edhe me kombinacione që nuk i kam zgjedhur.
Por e dua pa zjarr, serenada, vjersha.
Magnetizmi i saj buron nga dija
Se koha, prindërit, mekanizmat hyjnore a ordinere
(Në varësi nga interpretimi)
Kanë vendosur që me të të ndaj ekzistencën.
Si fije,
Mendimet vërtiten.
Krijojnë fshikëza me kufij të deklaruar për të gjithë.
Një bashkësi të karakterizuar
Nga kolegjialiteti i genit.
Në dritare,
Duke pritur të dalin yjet
I fal lugatët që fshihen në varre.
Mësoj t'i dalloj njollat e murrme nga hijet.
Përpiqem t'i lidh me njëra tjetrën dritëzat e dritareve të tjera
Dhe përpiqem t'i jap kësaj rrjete vlera.
Dashur pa dashur,
Në lirinë e ëndërrave,
Bëhemi të gjithë pjesë të një organizmi gjigant
Me plagë të njëjta, premtime të çakorduara,
Personalitet pak delirant
Dhe mendime që me mite ia kanë ngjyer,
Shohim se pas një letargjie të gjatë
Na janë hapur befas mijëra dritare
Dhe na janë mbyllur po aq dyer.
Të lodhur nga të gjitha fillimet e sabotuara,
Të hequr nga ambicia,
Të dhjamur nga stresi,
E dimë se borxhet i kemi të papaguara.
Ëndërrat i kemi të pambaruara.
Historitë sa i kemi nisur.
Dhe pse pas bilanceve njëri tjetrin e shajmë
E dimë se xhamat nga zhurmat veç sa na janë krisur.
Këmbët na mbajnë.
Kolektivisht,
Për pak hapësirë shkojmë në kurbet.
Kur na ikin dritat ëndërrojmë për fanare.
Për pak prehje nga realiteti bëjmë gabime.
Për pak frymëzim dalim në dritare.

Zëra të ngjashëm (sipas fushës)

kthehu më sipër