Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 19 Pri 2024
E Mërkurë, 19 Tetor 2011 20:26

Kopështi i Dilës dhe i Dodës

Midis maleve të Pukës, në një luginë të mbrojtur nga erërat e akullta të verilindjes, rronte familja e Dilës dhe Dodës. Shtëpia e tyre, po ta shihje nga lart, dukej si një gështenjë e madhe e rrethuar nga një kurorë me ngjyra të gjelbra, të kuqe, rozë,

portokalli. Kopshti i tyre ishte i famshëm në të gjithë luginën pasi dukej sikur nëna natyrë ishte përqëndruar në këtë pjesëz të vogël për të rritur e lulëzuar çdo të mirë të perëndisë. Mollë të kuqe, të vogla dhe të shijshme, mollë jeshile me veti kuruese, mollë të verdha e oreksndjellëse, shegë gjigande që shpërthejnë papritur si shkuma e shampanjës, dardhë të verdha, të plota dhe të buta, tërë aromë e shije, kumbulla vjollcë, jeshile, të kaltra, kumbulla kaq të magjishme sa kur shndërrohen në raki, të bëjnë të shohësh yjet ditën për diell. Familja e Dodës rronte prej shumë brezash në këtë park të mrekullueshëm ku edhe bagëtia donte të pushonte, ku Gjysmi, një bastard i vendit, me tre këmbë dhe një gjysëmbisht, hidhej për mrekulli mes domateve dhe patëllxhanave, mes bizeleve, rrepave e qepëve të mëdha që Doda një herë në dy javë zbriste t i shiste në tregun e Pukës.