Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Shtunë, 20 Pri 2024
E Mërkurë, 19 Tetor 2011 20:34

Post Mortem

(post-modernizmi)

Të them të drejtën, unë kurrë nuk e kam kuptuar se çfarë ishte Postmodernizmi| - tha, pa çarë kokën fare, gjatë një cikli leksionesh mbajtur m 1991 në Shtutgard, jo tjetërkush, por bash Raymond Federman, teoricien dhe autori i gjashtë romaneve fiksion post-moderniste. Pjestarët e tjerë në këtë seminar ishin John Barth, Malcolm Bradbury, William Gass dhe Ihab Hassan, me fjalë të tjera profetët më të njohur të letërsisë post-moderniste. Disa dekada më parë, me të njëjtën elegancë, ata i kishin dhënë nismën kësaj letërsie. Ndërsa përgatitesha për këtë takim dhe, duke patur parasysh kërkesën e organizatorëve, po rrekesha të përmblidhja se çfarë kishte ndodhur në Evropën Qendrore dhe Juglindore, më ra në dorë një broshurë që përmbante shkrimet e leksioneve të sipërpërmendura. Titulli ishte: Fundi i post-modernizmit: Drejtime të reja. Pasi lexova hyrjen u ndjeva si i tradhëtuar. M'u ngjall një ndjenjë e fortë skepticizmi: m'u duk se nuk do të isha kurrësesi i aftë të bëja ndonjë përmbledhje. M'u duk thjeshtë poshtëruese që, ndërkohë që më 1991 ne po përpiqeshim të shkatërronim narrativën moderne, mitet false të ideologjisë sunduese dhe përgatiteshim të hidhnim një hap të fuqishëm në situatat post-moderniste, në Shtutgard gjithshka ishte mbyllur, duke përfshirë edhe çështjet që ne kurrë nuk mundëm t ia ngrinim vetes. Duke i rihedhur shikimin, pas këtij leximi, draftit tim dhe duke i parë këto çështje, nuk kishte se si të mos më sundonte, në mënyrën më të natyrshme, një ndjenjë e fortë pasigurie.