Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Enjte, 25 Pri 2024
E Enjte, 20 Tetor 2011 12:40

Mite dhe forma të reja dominimi në Shqipërinë e sotme

Ballkani, ky gadishull i lidhur gjeografikisht me Evropën dhe Mesdheun dhe i ndërtuar kulturalisht si vendi i diversiteteve, është menduar dhe përshkruar nga evropianët, siç na e kujton edhe libri i Maria Todorovës (1998), në mënyrë të tillë që, në të njëjtën

kohë, edhe të tregojë edhe të fshehë kontradiktat dhe konfliktet e Evropës. Brenda këtij konteksti ballkanik Shqipëria është paraqitur gjatë gjithë shekullit XX-të sipas konfiguracionit të një logjike volteriane dhe hegeliane si një vend i panjohur dhe misterioz, aq sa i ka shtyrë udhëtarët dhe gazetarët që e vizituan në fillim të shekullit të pohojnë se në imagjinatën e evropianëve ishte më e afërt shkretëtira e Saharasë apo Tibeti sesa Shqipëria. Edhe Bismarku e ka përkufizuar si një anomali të historisë. Ndërkaq Shqipëria e dekadave të Hoxhës, e influencave sovjetike dhe pastaj kineze, Shqipëria e ndërtuar nga propaganda e regjimit që fliste edhe në gjuhën italiane nëpërmjet Radio Tiranës, ka qenë gjatë luftës së ftohtë një gropë e zezë që mbushej herë me frikërat e një komunizmi të egër dhe herë me idealizime që e paraqisnin si fanarin e fundit të komunizmit të vërtetë në Evropë.