Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Thursday, 25 Apr 2024
Saturday, 22 October 2011 19:36

Ndërtimi i një shteti në gjysmë-protektoriat. Përvoja nga Bosnjë-Hercegovina

Kam kënaqësinë të flas në këtë mjedis akademik rreth punës praktike për të cilën studimet në antropologjinë kulturore dhe sociologji më përgatitën kaq mirë, edhe pse m'u desh njëfarë kohe të hiqja qafe nocionin

stereotipik që këto lloj studimesh nuk kanë praktikisht ndonjë zbatim të dobishëm. Njëherë e njëkohë bazën e kisha në Bosnje, me një apartament dhe zyrë në Sarajevë, si përfaqësuese e një fondacioni politik gjerman në një mjedis në të cilin kanë dalë në sipërfaqe shumë botë të pjesshme, si pasojë e luftës së 1992-1995-s. M'u desh njëfarë kohe të perceptoja dhe të njihja ekzistencën e këtyre botëve të pjesshme dhe të kuptoja se, pavarësisht nga ndërveprimi midis tyre, mbyllja ndaj njëra-tjetrës dhe dallimet e tyre përjetësohen në jetën e përditshme. Në njërën anë ekziston bota e kufizuar e të huajve në Bosnje dhe Hercegovinë, një procesion që hyn në vend së bashku me ngritjen e një gjysmëprotektorati ndërkombëtar, krahas atyre të huajve që zakonisht arrijnë me ngritjen e ambasadave dhe organizmave të tjera të huaja në një kryeqytet.