Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Tuesday, 23 Apr 2024
Saturday, 22 October 2011 21:32

Kundër kulturës autiste

Ky numër i Përpjekjes, që i dedikohet çështjeve të ndryshme të gjuhës dhe të letërsisë, hapet me një debat të zhvilluar në KUVENDIN E STUDIMEVE ILIRE, që u mbajt në Tiranë nga 15 deri më 20 shtator

1972, midis gjuhëtarit italian me famë botërore Giuliano Bonfante, i cili vdiq këtë vit në Itali në moshën 100 vjeçare, dhe gjuhëtarëve tanë Eqrem Çabej dhe Androkli Kostallari1 . Debati midis tyre zhvillohet mbi vërtetësinë e tezës së etnogjenezës iliro shqiptare. Bonfante sjell argumente në favor të tezës trako shqiptare kurse Çabej dhe Kostallari e kundërshtojnë shkencëtarin italian në emër të tezës ilire. Në përgjigjen e tij përfundimtare Bonfante shprehet: Më vjen keq se nuk mund t i pranoj kritikat që m'u bënë, mbasi nuk është rrëzuar asnjë prej argumenteve të mia, duke mbyllur kështu një debat që ndoshta është i vetmi që u mundësua në atë kohë të konsideruar të hapjes së Shqipërisë dhe që u pasua pastaj me periudhën e gjatë të luftës së egër kundër të ashtuquajturit liberalizëm në të cilën shkenca e gjuhësisë shqiptare, ashtu sikurse në përgjithësi kultura shqiptare, humbi çdo kontakt, e aq më pak dialog, me shkencën e kulturën përtej kufirit, duke hyrë kështu në një periudhë autizmi edhe më të rëndë.

 

Pa u ndalur në hollësira rreth debatit, shumë interesant si për profesionistët edhe për lexuesit që nuk kanë profesion gjuhësinë, në këtë editorial duam të ritheksojmë edhe një herë arësyen pse Përpjekja ngulmon në botimin e materialeve të tilla ku vihen në diskutim të vërteta që kanë marrë vulën e padiskutueshmërisë së tyre në kohën e diktaturës e që vazhdojnë të mbeten kësisoj, të padiskutueshme, edhe 15 vjet pas rënies së komunizmit. Arsyeja është se e shohim kulturën dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi, edhe pas 15 vjetësh dalje nga regjimi komunist, të paftë për të dekonstruktuar shumë mite që u fabrikuan e u adoptuan në kohën e regjimit komunist dhe u përdorën prej tij si instrumente pushteti e manipulimi. Poende, sepse e shohim këtë kulturë të dominohet nga të njëjtat metoda edhe sot.

Nuk mund të mos vihet re në debatin në fjalë ballafaqimi midis një shkencëtari të lirë dhe dy shkencëtarëve që janë të detyruar të mbrojnë një tezë që tashmë është shndrruar në dogmë dhe instrumentalizuar në emër të ideologjisë nacional komuniste të pushtetit, i cili, jo rastësisht, pikërisht në  fillim të viteve 60, pas izolimit që krijoi ndarja nga Kampi Lindor, ka filluar të rimarrë e kultivojë fort mitet nacionaliste. Është koha, pra, kur, për qëllimet e pushtetit, Enver Hoxha fillon t i mshojë tezave nacionaliste në propagandën e tij duke i futur ato si udhërrëfyese edhe në institucionet e shumta shkencore, në krijimtarinë letrare artistike gjithashtu, duke përforcuar kësisoj mitet nacional romantike të shekullit të XIX që, nëse kishin vlerë për krijimin e identitetit shqiptar në shekullin e XIX, në gjysmën e dytë të shekullit XX i shohim të bëhen jo vetëm anakronikë e frenues të mendimit të ri shkencor, por edhe të kthehen në instrument izolimi, manipulimi dhe shtypjeje. Në këtë kontekst është interesant të vihet re në debatin midis Bonfantes dhe Çabejt e Kostallarit citimi, nga ana e shkencëtarit italian, i një punimi më të hershëm të Çabejt që ai e cilëson shumë të mirë lidhur me numrin e vogël të greqizmave të vjetra në shqipe (vetëm tre) të cilin ay e përdor në argumentet e tij në favor të tezës trake. Por, sikurse del nga debati, ideologjizimi i shkencës ka bërë që Çabej në studimet e mëpastajme ta ketë ndryshuar idenë e tij dhe numrin ta ketë rritur në 30. Në debat, po ashtu, bije në sy rezistenca e shkencëtarëve shqiptarë për t iu referuar shkencëtarëve dhe studiuesve më të mëvonshëm, bashëkohorë, në emër të mbetjes tek të vërtetat e vjetra të kthyera tashmë në dogma.
Problemi, në thelb, nuk është thjesht se cila prej tezave është më e vërtetë. Problemi është se shndrrimi i të vërtetave shkencore në mite e dogma dhe krijimi imonopolitmbi këto të vërteta për qëllime të pushtetit politik dhe kulturor janë një sëmundje kronike e kulturës shqiptare që edhe sot e pengon këtë të ecë e zhvillohet. Kjo, sëbashku me paaftësinë për të pranuar mendimin ndryshe dhe për të zhvilluar dialogun midis ideve dhe qëndrimeve të ndryshme, është edhe sot një nga pengesat kryesore të shoqërisë shqiptare. Kjo sëmundje ka bërë që kultura shqiptare të vazhdojë të vuajë nga një lloj autizmi si paaftësi për tu hapur ndaj të tjerëve, për të dialoguar e komunikur me të tjerët, por edhe si paaftësi për të njohur vetveten nëpërmjet asaj se si na shohin e njohin të tjerët. Kjo kulturë vazhdon edhe sot në vend se të zhvillojë mendimin kritik të fabrikojë mite, të vërteta të padiskutueshme, që dëshmojnë për një stad ende foshnjor të mendimit të shoqërisë në tërësi. Kjo kulturë ka bërë që ende të mos jemi në gjendje të zhvillojmë frymën kritike në kulturën tonë e, mestjerash, edhe kritikën e mirëfilltë letrare artistike, por të mbetemi në glorifikime apo demonizime pa përmbajtje që rezultojnë shterpe përsa i përket aftësisë për të gjeneruar përparim të vërtetë të njohjes, komunikimit dhe krijimtarisë.

Ja pse ngulmojmë, si edhe më parë, në botimin e materialeve kësisoj. Edhe tekstet që pasojnë debatin midis Bonfantes dhe shkencëtarëve tanë janë në frymën e dekonstruktimit të miteve të vjetra nëpërmjet një optike antiautoritariste, antimanipulative. Edhe ata i shërbenë ngjalljes së frymës kritikës aq të nevojshme kjo për të dalë nga autizmi i kulturës sonë në emër të përparimit të njohjes, komunikimit, mendimit e krijimtarisë së lirë.

More in this category: Shqipja dhe ilirishtja »