Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Saturday, 20 Apr 2024
Saturday, 22 October 2011 21:44

Diskutim rreth kumtesës së G. Bonfantes

Në lidhje me kumtesën e Prof. Xhuliano Bonfantes dua të theksoj që në fillim se ne gëzohemi si albanologë që një indoevropianist dhe teoricien i njohur në fushën e glosologjisë si Prof. Bonfante, i çmuar edhe nga

Norbert Jokli për kontributet e tij të rëndësishme në linguistikën indoevropiane, po e zgjeron interesimin e tij për problemet gjuhëve të lashta ballkanike, ndër të tjera edhe për problemet e gjenezës së gjuhës shqipe. Sigurisht, në fushën e studimeve ballkanologjike, ashtu si edhe në fushat e tjera, lindin teori të ndryshme. Shkenca shkon përpara; por ka raste shkenca kthehet edhe prapa, hipoteza të mëparshme rimerren përsëri, disa fakte vijnë përsëri në konsideratë e kështu me radhë. Pikërisht në këto përpjekje, me këto zikzake shkenca shkon përpara. Në kumtesën e Prof. Bonfantes, siç e theksoi edhe ai vetë, parashtrohet sidomos hipoteza e prejardhjes trake të gjuhës shqipe, e cila është rimarrë kohët e fundit në mënyrë të theksuar nga studiuesi rumun Russu. Mund të thuhet që vepra e këtij dijetari është një paraqitje e re e tezës trake të shtruar më përpara edhe nga dijetarë të tjerë. Unë nuk do të ndalem këtu në mënyrë të veçantë për të diskutuar në lidhje me tezat e prejardhjes trake ose ilire të gjuhës shqipe.