Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Thursday, 25 Apr 2024
Saturday, 22 October 2011 21:47

Përgjigje

Më vjen keq se nuk mund t'i pranoj kritikat që m'u bënë, mbasi nuk është rrëzuar asnjë prej argumenteve të mia, dhe as nuk mund të mohohen ato shtatëdhjetë fjalë që janë të përbashkëta midis shqipes dhe

rumanishtes, dhe as që mund të mohohet (fakt me shumë rëndësi) se elementi latin i shqipes dhe i rumanishtes është i njëjtë dhe se është shumë i ndryshëm nga dalmatishtja dhe nga gjuhët e tjera romane.

M'u tha se mbështetem mbi fakte gjuhësore dhe jo mbi fakte historike. Unë nuk e marr vesh se çfarë kuptohet me këtë. Gjuhësia, për mua, bën pjesë në historinë, dmth. historia duhet të ketë parasysh faktet gjuhësore. Fakti se spanjollët flasin latinisht është një fakt historik. Ndoshta e keni fjalën për atë që quhet historia diplomatike, dmth. historia ashtu si del nga dokumentet e shkruara, diplomat, burimet, etj. Mirëpo, nga kjo pikpamje, ne jemi në errësirë të plotë, qoftë për shqiptarët, qoftë për rumunët, sepse nuk kemi fare dokumenta.

Këto dokumenta mungojnë për shumë shekuj, dhe prandaj gjuhësia duhet të zëvendësojë në këtë rast historinë. Se shqipja ka pak fjalë nga greqishtja e vjetër, këtë e kam nxjerrë pikërisht nga punimi i Prof. Çabejt, një punim shumë i mirë, ku Çabej përmend tre raste, në qoftë se nuk gabohem. A ka shkruar apo jo punime të tjera më vonë, këtë duhet ta pranoj se nuk e di. Por, edhe në qoftë se fjalët e greqishtes së vjetër janë dhjetë a pesëmbëdhjetë, në vend të treve që përmenda më sipër, kjo nuk do ta ndryshonte shumë gjendjen: shqipja ka pak fjalë që rrjedhin nga greqishtja e vjetër. Prandaj, këto fjalë të greqishtes së vjetër rrjedhin natyrisht nga substrati ilir, të cilin unë nuk ia mohoj shqipes, ashtu siç e ka theksuar dhe mbrojtur La Piana. Unë kam thënë vetëm e vetëm: shqipja është kryesisht trakishte dhe se vetëm një pjesë e vogël e shqipes është ilirishte. Për fat të keq nuk kam arritur t'i kuptoj mirë argumentet sepse nuk e flas shqipen, për çka më vjen keq dhe i kërkoj ndjesë auditorit. Atë që arrita ta kuptoj nëpërmjet përkthimit që më bënë dy kolegët, i jam përgjigjur se nuk më ka bindur, prandaj u ktheva te teza që u kam paraqitur më parë.
Ju falenderoj shumë.