Ashtu si kudo në Ballkan, çështja e islamizimit nuk është e thjeshtë që të trajtohet në gjirin e shoqërisë shqiptare, sidoqë në Shqipërinë e shekullit të XX-të, si dhe në komunitetet shqiptare të ish Jugosllavisë
(Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi), myslimanët përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë. Duke iu referuar njërit prej themeleve të nacionalizmave ballkanike të krishtera, periudha osmane konsiderohet si një periudhë e zezë, periudhë e nënshtrimit ndaj okupatorit turk. Në rastin e Shqipërisë, dy janë faktorët që kanë ndikuar dhe vazhdojnë po ashtu të ndikojnë edhe sot diskutimin mbi fenomenin e konvertimit në fenë islame të një numri të madh shqiptarësh: nga njëra anë, dëshirën e disave për të ndërtuar (ose për të pare - në rastin e vëzhguesve të huaj) një shtet në të cilin ndarjet fetare do të ishin kapërcyer; dhe nga ana tjetër, hapjen e një debati të brëndshëm mbi një mohim eventual të fesë islame, sinonim të një Orienti të vonuar. Rrjedhimisht, imazhi që përftohet kërkon, në shumë raste, një shqyrtim kritik.