Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 19 Pri 2024
E Martë, 25 Tetor 2011 09:32

Blloku (pa nostalgji)

Nëntor 1944

Ishte një rrugë e gjatë dhe e lodhshme, që u hëngri dy ditë për shkak të vështirësive, por ata ishin të rinj dhe nuk e ndjenë. E filluan mbi kuaj, pastaj vazhduan me makina, prapë me kuaj dhe përsëri me makina, sepse shumë ura ishin të shembura ose gjysëm të shembura nga lufta.

Atje ku kishin mundur, banorët kishin prerë pemë dhe i kishin vënë trungjet e tyre përsëgjati për të kaluar karrot e makinat, atje ku nuk mundnin ata merrnin përsëri kuaj. Vende vende u takoi të ecnin edhe më këmbë. Liri Belishova dhe dy bashkërrugëtarët e saj, partizanë, udhëheqës të rinj të Partisë Komuniste, kishin shumë herë arsye për ta bërë rrugën nga qyteti i Beratit për në Tiranë me këmbë të lehta: sepse kishte mbaruar lufta, se atë e kishin fituar ata e se po ktheheshin ngadhnjyes në Tiranë, me një detyrë të rëndësishme. Aq sa, kur hipën për herë të parë mbi kuaj, pasi kaluan një përrua e mbrritën në një vënd të shtruar, iu shkrep të bënin edhe gara të shkurtra se kush do të dilte i pari. Liria dilte gjithnjë e para sa herë lëshoheshin në galop. Kjo i mërziti të dy bashkëshokët e saj meshkuj derisa një nga shoqëruesit tha se shoqja Liri do të dilte gjithnjë e para, sepse kishte pelë. Madje ajo ishte një pelë e veçantë qe kishte përfunduar në Shtabin e Përgjithshëm si trofe fitimtarësh. Mbi të kishte hipur edhe vetë Viktor Emanueli kur kishte vizituar Shqipërinë.