Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 24 Pri 2024
E Martë, 25 Tetor 2011 09:37

Mayhew

Jetët e shumicës së njerëzve janë të paracaktuara prej mjedisit që i rrethon. Ata i pranojnë rrethanat në mes të të cilave i ka hedhur fati, jo vetëm me nënështrim, por edhe me vullnet të mirë.

Ata u ngjajnë tramvajeve, që rendin me kënaqësi rrugëve mbi shinat e tyre dhe ndjejnë urrëjtje për makinat e vogla dhe të shkathta, të cilat sulen lart e poshtë me shpejtësi, mespërmes trafikut të dendur dhe nxitojnë të kënaqura nëpër vendet e lëna bosh nga të tjerat. I respektoj ata, janë qytetarë, bashkëshortë e baballarë të mirë, por nuk i gjej aspak emocionantë. Jam mahnitur nga ata njerëz, shumë të paktë në të gjithë racën njerëzore, të cilët e marrin jetën në duart e tyre dhe duket se e shpenzojnë sipas dëshirës së tyre. Sepse mund të ndodhë që të mos e kemi vullnetin tonë të lirë por në të gjithë ngjarjet të kemi vetëm iluzionin e tij. Në një udhëkryq, na duket se mund të shkojmë djathtas apo majtas dhe për zgjedhjen e bërë një herë, tërë zhvillimi i historisë njerëzore vështirë se do të mund të tregojë nëse ishim të detyruar të merrnim kthesën e zgjedhur.