Në letërsinë mes dy Luftrave, ku si pasojë e evoluimit të sistemit letrar në tërësi, kemi një prurje tejet të larmishme modelesh, edhe ky zhanër forcohet dukshëm qoftë nga ana sasiore, qoftë nga ana cilësore. Madje, sikurse është theksuar tashmë nga kritika, në këtë periudhë letërsia shqiptare nxjerr shkrimtarë të profilizuar për të si Etëhen Haxhiademi dhe Kristo Floqi. Evoluimi i zhanrit dramatik në ndërkohën 1945-1990 është segmentuar në disa periudha, duke u bazuar kryesisht në prurjen tematike, por edhe në veçoritë strukturore. Deri në vitet 50-të tema qëndrore e teksteve dramatike është Lufta Nacionalçlirimtare; më pas, sidomos nga mesi i viteve 60-të e në vijim prurja tematike zgjerohet, duke përfshirë temat historike dhe sidomos temën e ndërtimit të socializmit, që mund të përcaktohet si kryetema, nga e cila gjenerojnë nëntema të tjera si: edukimi ideologjik i popullsisë e brumosja me idelin komunist, goditja e ideologjive të tjera, lufta e klasave, shndërrimi revolucionar i fshatit, etj. Deformimi i sistemit letrar shqiptar në këtë periudhë, për arsye eskluzivisht politikoideologjike, siç kemi patur rast ta trajtojmë tjetërkund, dëshmohet qartë edhe nga tekstet e zhanrit dramatik, të cilat si pjesë e qenësishme e prodhimit letrar, janë të shtrënguara të modelohen sipas realizmit socialist, modeli kanonik dhe i vetëm.