Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 24 Pri 2024
E Martë, 25 Tetor 2011 09:56

Jetë paralele? Idetë e Zija Gëkalpit dhe Branko Merxhanit mbi kombin dhe modernizmin

Nacionalizmi është pjesë përbërëse e modernitetit. Ringjallja e tij këmbëngulëse sa herë pasi është parashikuar zhdukja, kapërcimi, apo zbutja e tij, ka të bëjëme rolin kritik që ai ka në integrimin kulturor të shoqërive, përballë zhvendosjeve strukturore që sjellin proceset e modernitetit (Delanty & O Mahony, 2002: 130).

Për nacionalistët e shteteve të rinj kombëtarë modernizimi ka qenë një çështje e evropianizimit të vendit: ndërkohë që shpeshherë nacionalistët ishin entuziastë për huazimin e teknologjisë, institucioneve qeveritare, apo modeleve të organizimit të shoqërisë, prej vendeve të zhvilluara perëndimore, ata kanë qenë në dilemë se si traditat dhe kulturat vendase të mbroheshin, forcoheshin apo përshtateshin nën trysninë e kulturave perëndimore.

Zgjidhja e kësaj dileme ka angazhuar shumë intelektualë nacionalistë të vendeve të ndryshme të botës që të mos imitonin thjeshtë idetë dhe doktrinat perëndimore, por të krijonin me to dhe traditat vendore sinteza ideore, që të kishin rrënjë kombëtare dhe njëherazi të përmbanin etosin modernizues (shih Bonnet, 2003: 167-168). Sado të veçanta dhe origjinale të jenë projektet ideore nacionaliste në shtete të ndryshme, qofshin këta të fundit gjeografikisht larg njëri-tjetrit, ato tregojnë afërsi me njëra tjetrën, atëherë kur janë bashkëkohore, kur tentojnë t u japin zgjidhje problematikave të njëjta dhe kur huazojnë të njëjtat ide nga shkollat perëndimore të mendimit. Gjithashtu nuk përjashtohen komunikimet dhe huazimet e elementeve nga njëri projekt nacionalist në tjetrin. Në këtë artikull ndërmarrim një analizë krahasuese të mendimit të dy intelektualëve nacionalistë të periudhës midis dy luftërave botërore: Zija Gëkalpi (Ziya Gökalp, 1876- 1924) në Perandorinë Osmane e më pas në Republikën e Turqisë dhe Branko Merxhani (1894-1981) në Mbretërinë Shqiptare.