Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Martë, 16 Pri 2024
E Enjte, 27 Tetor 2011 06:50

Kinematografia shqiptare midis nostalgjisë, groteskut dhe të ardhmes

Burimet historike tregojnë se kontakti i parë i shqiptarëve me kinematografinë ka ndodhur përpara se të lindte prodhimi kinematografik shqiptar. Shfaqja e filmave në Shqipëri lidhet me një emër shumë të njohur për kulturën shqiptare, Kolë Idromenon (1860-1939), i vlerësuar si një prej emrave të parë të rëndësishëm të pikturës, fotografisë dhe urbanistikës shqiptare.

Në shtator të vitit 1912 hapet e para sallë publike kinemaje në Shqipëri, në shtëpinë e Kolë Idromenos në Shkodër. Gjatë periudhës midis dy luftrave botërore, në Shqipëri hapen sallat e para kinematografike ku shiheshin filma të aktorëve më të njohur të asaj kohe, si Charlie Caplin, Great Garbo, etj. Sipas historianit të kinemasë shqiptare, Abaz Hoxha, deri në vitin 1927 në Shqipëri funksiononin tetë salla kinemaje, në të cilat shfaqeshin filma, por që nuk ishin në gjendje të siguronin aktivitete në vazhdimësi. Sallat e para të rëndësishme që hapën dyert në atë kohë, fundi i viteve 1920-të dhe fillmi i viteve 1930-të, ishin kinematë Nacional në Tiranë, Luksi dhe Majestik në Korçë. Kjo e fundit u themelua nga vëllezërit Manaki, të cilët konsiderohen si kineastët e parë në Ballkan.