Shqiptarët nuk janë aspak të mbrojtur nga ethe të tilla. Shembulli i prejardhjes të hamendësuar joshqiptare të Migjenit është një nga më kuptimplotët. Ajo ka qenë për një kohë të gjatë tabu. Të thuhej se Millosh Gjergj Nikolla, ishte me zanafillë joshqiptare, me sa dukej malazeze, kjo merrej si fyerje. Në të vërtetë, jo vetëm nuk ka asnjë fyerje, por ka qenë nder për botën shqiptare, që mundi të magjepste e ta bënte të vetin një nga talentet më të mëdhenj të kohës. Rasti i Migjenit tregon se universi shqiptar bashkë me gjuhën shqipe, ai univers e ajo gjuhë që ne e kemi bërë zakon ta shkelim me këmbë, ka fuqi thithëse e integruese tepër të fortë.