Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 19 Pri 2024
E Enjte, 27 Tetor 2011 07:22

Tregu, Etnia dhe Identiteti: Çarshia e vjetër e Shkupit

Studimi i tregjeve gjithnjë ka qenë një nga problemet kryesore të antropologjisë ekonomike. Ato janë studiuar jo vetëm për funksionin e tyre ekonomik, por edhe për atë social. Tregjet tradicionale, e veçanërisht pazaret e vjetra, e tërheqin vëmendjen e kërkuesit pasi kanë përfaqësuar jo vetëm hapësirat urbane të shkëmbimit ekonomik, por edhe hapësirat urbane me intensitetin më të lartë të komunikimit shoqëror dhe kulturor.

Në Shqipëri pjesa më e madhe e pazareve, apo çarshive të vjetra janë shembur e rrënuar, me shumë pak përjashtime. Ndërkohë, në disa kryeqytete ballkanike, si Shkupi dhe Sarajeva për shembull ato vazhdojnë të ekzistojnë. Të bësh kërkim për pazaret e humbura të Shqipërisë do të thotë të ndërthurësh metodat e antropologut me ato të historianit, por kërshëria e antropologut për të vëzhguar dhe përjetuar, në këtë rast mbeten të papërmbushura. Jo vetëm kjo kërshëri, por edhe nevoja për të krahasuar çarshitë e së djeshmes me ato të të sotmes, më shtynë të ndërmarr një punë terreni dyjavore në çarshinë e vjetër të Shkupit.