Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 19 Pri 2024
E Enjte, 27 Tetor 2011 07:24

Alfabeti i Stambollit i Shemsedin Sami Beut

Në studimet krahasuese të sistemeve të shkrimit dhe të ndërrimit të shkronjave ekziston tendenca që të theksohet me të madhe riorientimi kulturor dhe shpejtësisë me të cilën turqit kaluan nga shkronjat arabe në ato romake, por rallë përmendet periudha përpara këtij ndryshimi.

Qysh më 1863, dramaturgu azerbajxhanas Ahunzade Mirza Fethali paraqiti përpara Cemiiyet-i Ilmiye-i Osmaniye (Shoqëria Osmane e Shkencave) një propozim për ortografinë latine të gjuhës turke. Një ngjarje tjetër në reformën osmane të shkronjave, megjithëse më pak e njohur se propozimi i Ahuzades, ishte adoptimi prej shumë ish-anëtarëve të Cemiyet-i Ilmiye-i Arnavudiye (Shoqëria Shqiptare e Shkencave) në Stamboll, më 1879, i një alfabeti të bazuar mbi shkronjat latine për gjuhën shqipe. Ky alfabet i Stambollit u krijua nga Shemsedin Sami beu dhe ndryshe nga sa ndodhi me propozimin e Ahunzades, u pranua nga shtypshkronjat e reja shqiptare në Bukuresht dhe Sofje, prej nga u përhap në territoret jugore dhe qendrore shqiptare, që ishin akoma nën sundimin osman.

Alfabeti i Stambollit për gjuhën shqipe u bë alfabeti i vetëm i bazuar në shkronjat latine, që u miratua nga një popullsi në shumicë myslimane në Perandorinë Osmane; ai i paraprin me gati pesëdhjetë vjet nxjerrjes së shkronjave latine për gjuhën turke prej Ataturkut më 1928. Alfabeti i Stambollit ishte diçka e veçantë për kohën kur u shfaq, por gjithashtu ishte i njohur për përfshirjen në të të shkronjave greke dhe cirilike midis më të shumtave latine.

 

 

Më tepër në këtë kategori: « Turk, Elhamdulilah