Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Martë, 23 Pri 2024
E Enjte, 27 Tetor 2011 20:06

Mozaik historik shqipesh mërgimi

Ky është një mozaik shqipesh të mërguara të qëmotit, të Jugut e të Veriut: De Rada, Naimi, Fishta, Konica, Noli, Camaj. Të mërguara, sepse sot tingëllojnë ndryshe e larg nesh në kohë, por edhe sepse autorët e vargjeve dhe prozës që vijojnë, ishin të mërguar ose të përzënë kur shkruan vargjet e sjella këtu, ndaj përcjellin dhimbje, inat, pathos apo zhgënjim. Janë disi më romantikë e sentimentalë sesa emigrantët e sotëm, por jo edhe aq larg tyre në mjaft ide dhe përjetime. Një tjetër argument ky, për qenien e një komuniteti relativisht të njësuar në rrugëtim të vazhdueshëm, që pavarësisht nga koha, vendi ku emigron apo origjina specifike, është prodhues i diskurseve të ngjashme, kryesisht nën gjëmën ekzistenciale të mallit dhe frikës nga ndarja e përhershme prej vetes së djeshme, dhe frika nga vetja e nesërme. [Eda Derhemi]

 

Friti er e malhevet
e rrëzoi hjen e ljisit
gjaku im te lumi Vodhit.
hapni shpërvjerrësen
Ushtërtar sa u të shoh
Shkodrën e t'ime motër
te finestra kundruall.
Më atje s zuqionem
lulevet që tundën era
si suvalë e pafurnuam.
Mbjidhen shokt mbrëmanet
ndë katund, ndë vatërat.
U m i lë si ëndërrash!
As është më.


De Rada


***

Gjithë tuajt i kam parë
Mëm e at e fis e farë
Si tani gjithë i kam ndërment
Që rrinë më këtë vent
Edhe sot nër ju ata shoh
Se shpirtin e tyre ua njoh
Dhe unë si jam ndruar
E jam përzier e ndryshuar
Pa jam bërë shumë herë
Zjar e uj e balt e erë
Jam një shkëndijë pej qielli
Dhe një drudhëzë pej dielli
Edhe ndër qiej fluturonj
Edhe brenda në det qëndronj
Shumë herë fle në baltë
Diku ndodhem dhe në mjaltë
Bënem qëngj e kec i pirë
Lul e bar e gjeth i mbirë
Dua shumë fjalë t u them
Po trëmbem mos i bënj ujem


Naimi


***
Nesër nade kur mbi ne
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e din sa ujë e dhe
Mue prej teje ka me m da!
E por n'pvetsha ret mizore
E por n'pvetsha zogjt e detit
Se për ty, moj toke arbnore
S'ka me m'fol ma kush mue t shkretit...
Tjera fush e tjera zalle
Kam me pa, e tjera dete
Kam me ndie, po, tjera valle
Tjera gjuhë, n'tjera qytete
Vendin tem, por, s'kam me pa
Ku kam le e jam burrnue
Syt e mi edhe kanë me kja
Pa u gjet kush qi me i ngushllue
***
Lamtumirë ti shpija e t'parvet
Ku ma s'parit m agoi drita
E ku strehë u dhaçe shtektarvet
Miqt e babës edhe ku i prita
Lamtumirë, carani m votër
Lamtumirë, ju armët e shkreta!
Lamtumirë, ti nanë e motër!
Lamtumirë, për sa t'jet jeta!...
O shtektar, m nji vorr të ri
N'hassh ndo i herë ti, tue ndjekë shtegun
T'cilun n'ranë npër ndo i shkreti,
Aty vetë kam me kenë dekun
Nji kryq drunit, t kjosha true
Ziere e venma përmbi krye


Fishta

***
Këshilla një gazetari të ri që dëshironte të botonte një gazetë shqip në Misir

I dashur mik - në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha, shqiptarët do të thonë që s'fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s'është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s'këndohen edhe prishin sytë; në e shtypsh me letra të trasha do të thonë se je hamall e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s'është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh
gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është çervish. Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s'është koha të punojmë për
letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t'a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s qënke shqiptarë i vërtetë. Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi.


Konica


***

Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur
Çirrem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur
As i gjall as i varrosur,
Pres një shenj e pres një dritë,
Pres me vjet e pres me ditë


Noli


***

Ku kam me qenë i këputun
nga mundi i vjetve të rrëpita sa i shkamb,
mos të vijë keq ty, Taze, për mue
të shtrimë mbi drrasat e vdekjes,
kingj i gatuem për flije.
Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë
për njerzit e vet, vdekë qysh kur.
Edhe një amanet, moj grue:
kur vdiq im atë, premë dy qe
me ngimun të unshmit e thneglat e lamit
me grimca buke.
Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë
të ngishëm,
prandej ndër drekët e mija qitni
vetëm kafe të idhta.


Camaj


***