Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Njoftime » Nr. 26-27 » Hyrje në përmbajtjen e këtij numri
E Martë, 23 Pri 2024
E Hënë, 31 Tetor 2011 18:39

Hyrje në përmbajtjen e këtij numri

Ky numër i revistës Përpjekja përshkruan dhe analizon emigrantët e pas 90-ës nga këndvështrime të ndryshme, jetët e tyre paralele, problemet e tyre të zanafillës, ato të sotmet, dhe ato që priten në të ardhmen.

Është një vëllim që rrëfen për shqiptarët që ikën, ata që mbetën dhe ata që mund apo do të ikin më pas (spekulohet edhe për mundësitë e kthimit në atdhe dhe interpretohen e shqyrtohen rastet kur kjo ka ndodhur), për mënyrën se si e perceptojnë veten e si shihen prej tjetrit jashtë grupit. Praktikisht, vlen për të njohur narrativën e emigracionit të këtyre njëzet vjetëve të fundit, dhe ndoshta u vlen njëlloj apo më shumë atyre dy të tretave të popullsisë që ende gjenden brenda Shqipërisë.

 

Në këtë numër, ashtu si edhe në letërsinë shkencore botërore, bashkëjetojnë tre terma referues themelorë: termi migracion/migrim (migrues, migrant etj.) i referohet lëvizjes në përgjithësi (pavarësisht nga perspektivat relative të vendit nga ku largohen apo atij ku inkuadrohen, dhe pavarësisht nga faktori nëse lëvizja kryhet brenda apo jashtë të njëjtit territor shtetëror) të grupeve shqiptare pas 90-ës, sido që nuk lidhet domosdoshmërisht veç me ta; termi imigracion (imigrant, imigrues etj.) përdoret kur lëvizja e një grupi apo grupi vetë, shihen nga pikëvështrimi i vendit apo popullsisë drejt së cilës shkohet, pra nga perspektiva e vendit, qeverisë a popullsisë pritëse; termi emigracion (emigrant, emigrues etj.) përdoret në rastet e vështrimit të lëvizjes apo grupit lëvizës nga perspektiva e vendit a popullsisë së origjinës nga ku këto grupe u larguan. Ky term i fundit është më i përdorshmi në këtë numër. Por studiuesi vetë, mund t u takojë ose të pozicionohet në cilindo nga tri rrafshet e përmendura, pavarësisht nga origjina e tij natyrale, e pavarësisht nëse etnikisht e shoqërisht i takon apo jo grupit për të cilin shkruan. Termat emigracion dhe imigracion u referohen zakonisht lëvizjeve të popullsive përtej kufijve shtetërorë.

Është ky një vëllim për shqiptarët në lëvizjen kaotike mërguese, për rrokopujën e pashmangshme dhe të dhimbshme të pas 90-ës. Liria, çfarëdo qoftë ajo, për shqiptarët erdhi me një çmim të lartë që po paguhet stoikisht në përçapjet për mbijetesë, shpesh pa e kuptuar fare, prej një, dy a më shumë brezash, jetësh njerëzish që në dukje ikin shpejt e pa gjurmë si vija hequr bregut ranor që rreh vala, por që në fakt janë haraçi për tranzicionin specifik drejt ëndrrës së papërcaktuar.
Shqipëria është një masë fizike apo ideore së cilës i ikën një e treta, pikërisht ajo pjesë e popullsisë që e ka lënë dhe ka emigruar. Ky numër i Përpjekjes sjell analiza e interpretime në formë eseje apo shkrimi akademik, për këto zëra, shifra, qarje dështimi, ëndrra, fajësime e rimëkëmbje, për gojët metonimike të atyre copave që tashmë mungojnë në Shqipëri, si copa nga një puzzle i jetës së shkuar që dyshohet të ketë qenë ndonjëherë. Që, gjithsesi, nuk mungojnë në kuptimin absolut, sepse janë diku tjetër, si gjymtyrë ende të gjalla që përpëliten e kërkojnë pa arsye një ritakim me masën cunge, reale apo imagjinare, nga ku janë larguar.
A e sfidojnë emigrantët tanë të brezit të parë Claude Levi-Strauss-in që thosh se speciet që i zhvendos nga mjedisi ku u zhvilluan, kthehen në qenie patologjike? Apo e përforcojnë thënien e tij, tamam tani që ai, 100-vjeçar, la këtë botë kryesisht populluar nga emigrantët? Të rinjtë që ikën të vegjël apo lindën rrugëve të mërgimit, janë ndryshe, janë të qetë e më të sigurtë. I japin vëmendje vendit që lanë pas prindërit, por veç kur, sa e si duan ata. Shqipëria e pakujdesshme e humbi energjinë dhe dijen e tyre të pakushtëzuar (së paku kështu duket në këtë pikë), ndërsa ata fituan rrënjë të reja dhe larine nga e kaluara, që brezi i parë i ikur nuk e fiton dot aq lehtë. Temë themelore që tufëzon lehtësisht shkrimet e këtij numri është të ndjerët e të kuptuarit e emigracionit si dramë e plagë e individit, familjes, dhe shoqërisë, si dhe mbijetesa e pastër natyrore dhe e paorganizuar e emigrantëve shqiptarë, që nuk patën dhe ende nuk kanë shtet amë që merr përsipër përkujdesjet zyrtare ndihmuese, organizuese dhe mbrojtëse ndaj tyre. Gjithsesi, konceptohet si një dramë që jetohet për ditë, që natyralizohet e përbrendësohet, e që humbet kështu dramaticitetin duke marrë ngjyrën gri të ambientit dhe duke u normalizuar. Por akuza e argumentuar e shkrimeve nuk mbetet vetëm brenda institucioneve shqiptare, por shtrihet në paaftësitë, frikërat dhe paragjykimet e burokracive, mediave dhe publikëve pritës shumëfarësh. Shkrimet e trajtojnë individin emigrant si qenie që ndërton kritikën e vet, dhe vetë emigrantin e shohin si një qenie të përzierë e komplekse ku bashkëjetojnë vepruesi i pavarur, viktima dhe shkaktari i viktimës. Pa dyshim, teksa kanë kaluar njëzet vjet, ka plot zhvillime pozitive, madje edhe rastësi të mrekullueshme mes emigrantësh. Por ka edhe një lumë hallesh e dertesh, mallesh e pengjesh, ku janë derdhur në curril të pakët, historitë individuale të të gjithë emigrantëve. Kujtimet dhe përjetimet e ditëve të para të emigracionit janë përcaktuese, e nuk besoj të zhduken kurrë nga vetëdija e emigrantit, ndaj ato marrin një vëmendje të veçantë në këtë vëllim.
Pas njëzet vjetësh, emigracioni ynë ka krijuar mëngëpërveshur profilin e vet ka nisur të piqet, të pretendojë, të krijojë mëtues, e t i takojë vendit të ri aq sa të vjetrit, e gjithnjë e më pak këtij të fundit. Disa shenja të metamorfozës vijnë në mendje menjëherë: shqiptarët, edhe ata të brezit të pare emigrues që ikën relativisht të rinj, kanë nisur të shkruajnë në gjuhë të huaj herë herë e kanë zor t'i përkthejnë shkrimet e veta në shqip, herë të tjera as që duan më t i përkthejnë dhe i veshin Shqipërisë petkun e njerkës; plot të rinj të brezit të dytë flasin me vështirësi shqip, dhe as e shkruajnë e as e lexojnë atë, sidomos kur janë shkolluar tërësisht jashtë Shqipërie; gjithashtu vjen në mend fakti që vendet pritës janë më të ambientuar tashmë me shqiptarët si edhe shqiptarët me ta; po formësohen më mirë e më saktë të dhënat statistikore mbi shqiptarët e ikur, të rregullt e të parregullt, gjë që deri dje ishte totalisht kaotike, dhe ravijëzimet e kulturës dhe mendësisë së emigrantit tërheqin më fort e seriozisht fokusin e shkencës dhe mediave; gjithashtu forcat politike brenda Shqipërisë janë bërë më të ndjeshme ndaj emigrimit e kanë drejtuar veshin ndaj këtij grupi potencial votash dhe influence financiare shënjuese. Tashmë e majta është disi më përpara në këtë drejtim, por pa dyshim e dhjathta nuk vonon dhe ka për zemër sidomos grupet emigrante të pararënies së Perdes së Hekurt. Brezi i dytë është rritur e ndihet larg, jo vetëm larg Shqipërisë, por edhe brezit të parë emigrant hallexhi, e që ende bart kulturën, mendësitë dhe,
ngjitur kërthizës, kordonin ende të pakëputur me mëmëdheun. Megjithë këtë lidhje, grupet e emigruara nga Shqipëria në tërësi janë shembull
i dukurisë që antropologu Nestor Garcia Canclini quan deterritorializimi i kulturave të Botës së Tretë nëpërmjet lëvizjeve migratore të popullsive bartëse të këtyre kulturave, dhe rivendosja e tyre në zemër të metropoleve të Botës së Parë, ku rikonfigurohen ndikimet, tensionet dhe ndërveprimet. Çështja është se kontekstet e ndërveprimet e reja ndikojnë jo veç kulturat pritëse, por edhe ato ardhëse, dhe një ndër ndryshimet themelore që ndodh është distancimi progresiv nga kultura amë, si dhe fragmentarizimi i ishujve të ndryshëm kulturorë shqiptarë të emigruar në toka të ndryshme ku u nënshtrohen ndikimeve të kulturave të ndryshme. Pasojë e fundme e mundshme dhe e pritshme, është homogjenizimi me kulturat pritëse dhe këputja e fijeve me kulturën origjinale, që në shkrimin tim mbi emigracionin tonë në SHBA, unë e quaj tëhuajëzim kulturor ndaj origjinës. Spekuloj mbi bazën e logjikës se, pas njëzet vjetësh zhvillimi të tillë, ishujt e ndryshëm të kulturave emigruese shqiptare (të integruara nëpër botë të ndryshme gjeografike e kulturore), kanë arritur një stad ku i ngjajnë më fort njëra-tjetrës, sesa kulturës nga ku vijnë. Pra, sado ndryshe nga njëri-tjetri në histori familjare, kushte, shtet pritës e edukim, shqiptarët e emigruar janë shumë më të ngjashëm kulturalisht me njëri-tjetrin, sesa me shqiptarët që nuk dolën jashtë vendit, edhe sikur me këta të fundit të ndajnë të njëjtat origjina sociale apo profesionale. Arsyeja? Sepse ata janë ndikuar nga i njëjti faktor ndryshues i ngjashëm për vende me zhvillime kulturore e ekonomike po ashtu të ngjashme, faktor ky shumë i ndryshëm nga faktori sociokulturor e ekonomik që ka përcaktuar ndryshimet brenda Shqipërisë për shqiptarët që nuk emigruan ose ata që u kthyen mbrapsh herët, këto njëzet vjet. Vijat themelore të këtij tëhuajëzimi si dhe dukuritë e ndryshme social-kulturore lidhur me këtë mërgim të fundit (procesi dhe veçantitë e adaptimit dhe akulturimit, lidhjet e ndryshme me Shqipërinë, roli i kësaj të fundit dhe i emigrantëve ndaj saj, zhvillimet e reja brenda grupeve të emigruara, që nga zhvendosjet në dominancat gjuhësore, rolet në familje, deri tek pranitë e martesave të përziera, të divorceve më të shumta pas largimit nga Shqipëria etj, dhe një letërsi e gjerë artistike në shqip ose në gjuhë të huaja e krijuar në vendet e emigrimit), mbeten çështje shumë të rëndësishme të zhvillimeve tona në identitet e imazh ndërtuar gradualisht e shoqërisht, që nuk mund të neglizhohen më nga shkencat shoqërore shqiptare.

 

Tematika e shkrimeve

Ka një rimarrje të natyrshme tematike që shfaqet ndër shkrime: deti, malli, dyzimi kulturor e shpirtëror, paragjykimi ynë dhe i të huajve ndaj nesh, paraqitja propagandistike dhe sensacionale e mediave dhe roli i saj disaplanësh, tëhuajëzimi nga kultura amë, braktisja thuajse totale e mërgimtarit nga shteti amë, dhe largimi me hap të sigurtë i brezit të dytë prej shqiptarisë. Të gjithë shkrimet karakterizohen nga një vështrim
shumëplanësh, kërkim për argumente shpjeguese, dhe vështrim kritik i mënyrës se si u zhvillua emigracioni ynë, kushteve dhe rolit të institucioneve dhe kulturave ushqyese në to. Si të tillë shkrimet sfidojnë shumë nga konceptete e konsideruara normative, zyrtare apo legjitime si në kulturën shqiptare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Kronologjikisht shkrimet shtjellojnë faktorët që ndikuan dhe formësuan fillimet e emigracionit, ndryshimet në këto njëzet vjet, lidhjet dhe fërkimet progresive mes brezave të emigruar me një përqendrim të veçantë në brezin e dytë që përcakton fatet e diasporës së re shqiptare, dhe spekulime logjike rreth gjasave se si do zhvillohet diaspora jonë e re në të ardhmen. Aspekte të marrëdhënieve të emigrantit me institucionet janë një tjetër dimension tematik përgjatë të cilit zhvillohen disa nga analizat. Të tilla janë ndryshimet apo jo në ndërgjegjen dhe pozicionimin e emigrantit ndaj vendit amë e pritës, kushtëzuar nga integrimi/mosintegrimi zyrtar në të dy vendet, dhe varësitë e integrimit kulturor nga ai zyrtar, si dhe nga specifikat ligjore që lidhen me emigrantin.
Po këtij rrafshi i takon edhe analiza e mungesës totale të politikëbërjes, apo vonesave në reagimet e qeverive të ndryshme shqiptare në lidhje me emigracionin, si dhe dialogu monologjik që zhvillohet mes institucioneve qeverisëse shqiptare dhe dominancës së institucioneve të huaja, në kurriz të popullsisë shqiptare të larguar apo të mbetur në Shqipëri. Ky proces, logjikisht, e ka shndërruar Shqipërinë në geto të Ballkanit , siç thotë Vullnetari. Që të gjitha shkrimet, shkencore dhe artistike, gërshetojnë edhe pikëvështrime të ndryshme: si e sheh veten emigranti, si shihen emigrantët prej bashkatdhetarëve e këta prej emigrantëve, si shihen prej vendasve autoktonë në vendet e ngulimit dhe si i shohin emigrantët këta të fundit, dhe, si shihen prej institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare e si i shohin emigrantët ato.

Artikujt dhe poezitë e përfshira

Vëllimi i këtij numri të Përpjekjes përfaqësohet nga 21 njësi (artikuj e grupime poetike) dhe 18 autorë. Shkrimet në këtë numër grupohen si më poshtë: Së pari, janë përfaqësuar gjeografikisht zonat themelore të emigrimit të shqiptarëve në përpjesëtim të drejtë me sasinë e shqiptarëve lëvizur drejt tyre, që përkon edhe me intensitetin e problematikave social-kulturore dhe politike që gjëllojnë në hapësirat shqiptare, brenda e jashtë Shqipërie. Kjo kategori shkrimesh fokusohet në një hapësirë të caktuar dhe merret kryesisht me dukuritë karakteristike të kësaj hapësire. Grupimi sipas gjeografive prihet nga një shkrim i Russell King-ut mbi të dhëna të përgjithshme mbi lëvizjet migratore në Shqipërinë e pas viteve 90, dhe disa ravijëzime teorike themelore mbi pasojat pozitive e negative të këtyre lëvizjeve. Më pas radhiten, së pari, Italia dhe Greqia, më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në Evropën Perëndimore me më pak emigrantë shqiptarë, janë zgjedhur Anglia dhe Zvicra. Për nga gjinia dhe stili i shkrimeve, paraqitja e të dhënave, e analizës dhe përshkrimit të dukurive që hasen në secilin grup gjeografik, shkrimet janë të ndryshme. Lexuesi kalon nga një lloj zhanri në tjetrin, dhe njëkohësisht merr pikëvështrime e ndjesi të ndryshme të eksperiencave migratore të shqiptarëve në vende e situata specifike. Italia dhe Greqia, si destinacionet që bartën peshën më të madhe (Italia, edhe atë fillestare, dhe ky vend përbënte edhe shënjestrën e ëndrrës disa-dekadëshe të shqiptarëve në erën e
Mbylljes së Madhe ), dhe fenomenologjinë më të larmishme të valëve të përvitshme të emigracionit shqiptar që nga vitet 90 deri sot, janë përfaqësuar me shkrime akademike që analizojnë të dhënat sipas metodave cilësore ose statistikore (Nikos Gogonas, Rando Devole), me ese me vështrim shkencor fokusuar në mënyrën se si u formësua imazhi i emigrantit shqiptar nga mediat (Ardian Vehbiu/Rando Devole), si dhe tregime të lira artistike dhe narrativa biografike e autobiografike të hapave të parë të emigracionit intensiv e kaotik në këto vende (Gazmend Kapllani, Ardian Vehbiu). Emigracioni ynë në ShBA, i treti për nga pesha e madhësia, vjen me një punim që gërsheton, në pjesë të ndryshme, shkrimin akademik, esenë, meditimin personal dhe poezinë (shkrim nga Eda Derhemi). Emigracioni ynë në Angli përfaqësohet nga një shkrim akademik mbi tiparet themelore të këtij grupi mërgues në kushtet specifike të Anglisë (Zana Vathi), si dhe ridel pjesërisht në një shkrim mbi trafikimin (Stephanie Schwandner-Sievers). Mërgimi në Zvicër, vjen nga një analizë bazuar mbi vëzhgim dhe eksperiencë personale të
marrëdhënieve vendas-të ardhur (Albana Rexhepaj), me fokus në grupin Kosovar të emigrimit, që shpesh për të huajt konceptohet si grup emigrues shqiptar pa dallim zone origjine. Shkrimet me kriter përkatësinë gjeografike të emigracionit shqiptar, përmbyllen me një shkrim që analizon rolin e shtetit shqiptar dhe institucioneve ndërkombëtare si faktor ndikues (mungesë apo prani) në zhvillimet e emigracionit shqiptar në tri faza themelore: deri në vitet 90, në vitet 90, dhe në dhjetëvjeçarin pas tyre (Juli Vullnetari).
Shkrime të tjera orientohen jo brenda një zone hapësinore specifike, por sipas një dukurie të caktuar, pavarësisht nga vendi ku emigrohet: rrjedhimisht në to analizohen dukuri me një gjeografi shumëvendëshe dhe të lëvizshme, si në rastin e analizës së ndryshimit ose jo të dinamikave të rolit gjinor në familjen fshatare e të qytetit të vogël shqiptar (zona e Fierit), lidhur me dërgesat financiare, të studiueses Erin Smith; trafikimin njerëzor për seks, nga studiuesja Stephanie Schwandner-Sievers për rastin e femrave shqiptare të trafikuara (ajo merret me rastin e Anglisë, por vështrimi teorik i faktorëve që e bëjnë dukurinë e prostituimit një zgjedhje të detyruar nga ana e grave, dominon
gjeografinë e rastit studimor) e më pas të kthyera në Shqipëri ose të rifutura në qarkun e trafikimit; dhe nga studiuesi Nicola Mai, për rastin e meshkujve shqiptarë në rolin e tutorit dhe pÿÿ rofilin e tyre psiko-social nëpër botë e në Shqipëri. Dy studiuesit e fundit i zhveshin aktorët e analizave të tyre nga rolet në të cilat jemi mësuar t i shohim zakonisht, pra gruaja e trafikuar si viktimë që u fut në qarkun e prostitucionit me forcë nga meshkujt, dhe burri trafikues (ose tutori), si personifikim i ligësisë, mashtrimit dhe abuzimit ndaj femrave, e i konsiderojnë ata si zgjedhës profesionesh të caktuara, zgjedhje që kushtëzohet nga dukuri komplekse shoqërore.
Shkencëtarë të fushave të ndryshme të dijes me metodologji e nga shkolla të ndryshme, shkrimtarë apo poetë (në shumë raste, të gjitha këto bashkë), shumë nga kontribuesit e këtij vëllimi, janë gjithashtu edhe emigrantë, që nuk e kanë përftuar njohurinë e vet mbi emigracionin nga larg e në mënyrë skolastike, por edhe nga brenda grupeve emigruese. Pjesë e këtij numri janë edhe pesë studiues e dy poetë të huaj. Lidhja e tyre me çështje të emigracionit shqiptar është disa-dekadëshe, pra tashmë, pjesë e natyrshme e jetës së tyre. Nga ana tjetër, nëpërmjet tyre sillet në numër një balancë e këndvështrimit kulturor të ndryshëm nga ai i studiuesve shqiptarë, që, për çdo rast, mund të kishte internalizime të një biasi apo stereotipesh kulturore shqiptare të pandërgjegjshme. Një tjetër karakteristikë e përgjithshme e vëllimit është paraqitja e
balancuar femra-meshkuj (tetë vs. nëntë) mes shkruesve, si atyre që i bazojnë shkrimet në metodologji shkencore, ashtu edhe krijuesve artistikë. Përgjatë numrit janë shpërndarë disa cikle të shkurtra me poezi të sotme, vështruar dhe shkruar prej poetësh emigrantë. Poezitë janë konceptuar si sheshe pushimi mes disa artikujsh teorikë, dhe përgjithësisht përkojnë gjeografikisht me tematikat e artikujve. Poetët e përfshirë këtu, janë të gjithë qenie alternative në jetë, profesione, eksperienca e ndjesi poetike, që nuk i takojnë ndonjë kategorie të paracaktuar ortodoksisht, dhe as pritshmërive të zakonshme të lexuesve. Poetesha arbëreshe Giuseppina Demetra Schiro shkruan nga Piana degli Albanesi, tiranasja Albana Shala shkruan nga Amsterdami, devolliti Luan Xhuli dhe sarandioti Romeo Çollaku, nga Athina, e italiani Filippo Davoli, nga Macerata e Italisë. Të gjitha poezitë bashkohen nga tematika e mërgimit që trajtohet në to.
Në rubrikën ndërgjegje historike kam zgjedhur disa copa të segmentuara poezish a proze disa-dialektore shqipesh të mërguara hershëm, shkruar në kapërcyell të shekullit të shkuar e përgjatë tij. Disa prej tyre lexuesi i lëçitur i njeh, por, po të liheshin pa përfaqësuar në këtë numër të Përpjekjes, do ishte, pakashumë, sikur numri i tërë të shkruhej e botohej duke eliminuar nga të gjitha fjalët një zanore dominante, fjalavjen a, e, ose i: lexuesit do ia dilnin të kuptonin gjithçka, por prapë diçka bazale do ndihej se mungonte. Është interesante të vërehet sa përbashkësi ka mes ndjesive të emigrantëve të sotëm e atyre të qëmotit, sado me këmbë në tokë qoftë perceptimi dhe vetëperceptimi modern i emigrantit. Ndoshta, një shenjë tjetër kjo se shqiptarët jo aq fort paskan ndryshuar këto njëqind vjetët e fundit. Ndoshta, ngjashmëria dëshmon edhe një prodhim me formë domosdoshmërisht sentimentale apo romantike të të ikurit (vërejtur edhe nëpër shumicën e intervistave dhënë nga emigrantët) që ekziston paralel me jetët e problematikën realiste të emigracionit (dëshmuar në gjithë analizat
akademike dhe esetë).
Falënderoj botuesit dhe punonjësit e Përpjekjes, për ndihmën e vazhdueshme përgjatë punës me numrin dhe përzgjedhjes së kontribuesve. Falënderoj veçanërisht bashkëpunëtorët e këtij numri, me të cilët punova për gati një vit për ta krijuar këtë vëllim. Është një punë e kryer me dashuri nga të gjithë kontribuesit e numrit (disa prej të cilëve morën pjesë me vullnet të mirë edhe në përkthimin e shkrimeve), me merak
qëmtues shkencëtarësh dhe idealizëm shkrimtarësh e poetësh, dhe me interesin e vetëm që të nxjerrim së toku një numër sa më gjithpërfshirës, realist, të vlershëm për studiuesit dhe institucionet e interesuara në çështjet e emigracionit shqiptar, dhe të këndshëm për lexuesit.