Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Enjte, 18 Pri 2024
E Hënë, 31 Tetor 2011 19:11

Poezi

Shoku im, shkon të shohë nënën

..dhe rruga
është afruar prej atij magneti.
Një dorë djersitur nga pritja,
vesë meraku
e një behari të lagësht,
dashuri nëne
Unë s kam nënë.


Ëndrrat dhe varri i saj,
i mbajnë mëri dashurisë sime,
që emigroi pa lejë mes lotit të dhimbjes
Shoku im,
shkon të shohë nënën
Nata nxiton të zvogëlojë shtatin
dhe dita,
ka zmadhuar hapat
Orët do të vishen bukur
dhe dielli,
do të fshihet në retina
Shoku im,
shkon të shohë nënën
I thashë ta puthë dhe për mua
si shërim
për shpirtin e trembur
nga ëndërat e mallit !

 

 

Detin
e kam brenda vetes
edhe pse malet e vëndlindjes
dominojnë hartën gjeografike të shpirtit.
Kam baticë, zbaticë,
puhiza gëzimi dhe inate valësh
Rris peshq, ngjyra, alga
dhe peshkaqenë të zemëruar
prej mënyrash sjelljeje
Veshur mbaj kostume
të kaltra dhe jeshile,
për të fshehur atë që s duket.
Detin e kam brenda vetes
të thellë, të frikshëm, joshës,
prandaj njëkohësisht
më duan dhe më urrejnë
të tjerët !

Pa emigrantin...
...ngjyrat humbasin veten
dhe mozaiku i ditës
heshtet mes dhimbjesh që flasin...
Orët thërrasin nxitimin
dhe shpirtrat,
zbrazur si enë e derdhur...
Pa emigrantin,
koha verbohet
dhe stinët
ngatërrojnë ecjen deri në përhumbje...
Unë, ti, të gjithë ne
do të jemi të thatë si re pluhuri
me më pak shokë
dhe dashurish copëzuar në thyerje...
Pa emigrantin,
pesha atomike e ajrit
do të jetë zero
dhe e nesërmja...,
e kaluar...!