Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Martë, 16 Pri 2024
E Shtunë, 05 Nëntor 2011 16:15

Vrasja e Byhnerit

(Persiatje mbi shfaqjen e dramës së Georg Byhnerit "Vrasja e Dantonit", nga Teatri Kombëtar)

Georg Byhneri ka jetuar në gjysmën e parë të shekullit XIX, në epokën e romantizmit. Ai vdiq në moshën 24 vjeçare, shumë i ri pra, ashtu si mjaft poetë romantikë, siç e klasifikojnë rëndom edhe atë. Sidoqoftë, ai është nga ata krijues të rrallë që, për nga vizioni kreativ, qëndronin çuditërisht jashtë asaj kohe dhe përtej saj (si Blejku ose E. A. Poe, fjala vjen, ose, më herët, Jeronim Boshi), gjithë duke mbetur margjinalë në kohën e tyre dhe duke u zbuluar estetikisht, me njëfarë habie, nga pasardhës pak a shumë të largët (premiera e parë e Vrasjes së Dantonit është dhënë më 1927, dmth. 100 vjet mbas vdekjes së shkrimtarit).
Në kontekstin shqiptar të fundshekullit XX, Georg Byhneri, me Vrasjen e Dantonit , nuk është aspak i jashtëm, i huaj, përkundrazi, gjendet në një kontekst të vetin par exellence. E jo vetëm në rrafshin e perceptimit estetik bashkëkohor, ose të konfliktit mbarënjerëzor tragjik, a ndoshta absurd, të individit me fuqi të errëta të kaosit brenda apo jashtë qënies së tij, (ndoshta në rastin e Byhnerit, si krijues i atij lloji të veçantë që përmendëm, do të mund të flitej për konflikt, apo fat, tragjikoabsurd).
Në kontekstin shqiptar të fundshekullit XX, Byhneri, me Vrasjen e Dantonit , gjen elementin e tij edhe në një rrafsh më të dukshëm dhe më të lëvizshmin e një vepre artistike, në rrafshin politik.