Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 13 Dhj 2017
E Hënë, 17 Shtator 2012 06:16

Nga Skënderbeu mitik në atë historik

 

Libri i fundit i prof. Oliver Jens Schmitt është një ndër librat më të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë. Kjo për arsyen se ai trajton një figurë si ajo e Gjergj Kastriot Skënderbeut, një ndër protagonistët e skenës politike të pjesës perëndimore të Ballkanit të mesit të shekullit të XV.

 

Njëherazi ai ka qenë, dhe ende është, një ndër mitet themelues të kombit shqiptar. Për mendimin tim kjo vepër ka një rëndësi të dyanshme: 1-  sepse ndriçon një periudhë të Mesjetës së vonë, për të cilën ne kemi pak njohuri, dhe për më tepër është një periudhë shndrrimesh rrënjësore që lidhen me fillimin e dominimit osman në Ballkan; 2-  sepse zhvesh nga mbulesa e trashë e mitit një personazh si Skënderbeu dhe e vendos atë në sfondin e vet të kohës. Skënderbeu në këtë libër është një aktor politik në mozaikun e forcave dhe interesave politike të brëndshme dhe të jashtme. Në sajë të këtij libri, Skënderbeu zbret nga lartësia e figurës legjendare dhe vjen si një personazh tokësor. Ky aspekt i dytë mua më duket veçanërisht i rëndësishëm, sepse vetëm dekonstruktimi i figurave mitike mund të ndihmojë në njohjen e historisë.