E Mërkurë, 22 Maj 2013 07:06

Editorial

Para disa kohësh në shtypin shqiptar doli një peticion i mbiquajtur: "Kundër rishikimit të historisë nën mbikqyrjen e autoriteteve shtetërore turke" i firmosur nga një numër i madh intelektualësh, i cili na tërhoqi veçanërisht vëmendjen pasi rishkrimi i histori/ografisë është një nga seksionet kryesore të Revistës Përpjekja. Edhe ky numër mbi Pavarësinë që po del pas festimeve të 100 vjetorit është, sipas nesh, një rishkrim i historiografisë në kuptimin e botimit të teksteve që e interpretojnë ndryshe këtë ngjarje nga si e interpreton historia jonë zyrtare. Nuk mund prandaj që, duke paraqitur këtë numër, të mos ballafaqohemi me këtë peticion në mbrojtje të punës që kemi bërë dhe bëjmë.

"Faktet historike dhe argumentet shkencore, janë ngjarje dhe momente jetike në historinë e një kombi. Ato s'mund të ndryshohen me ndërhyrje të jashtme…" thuhet në hyrje të peticionit. Në këtë  pohim, që përbën si të thuash preambulën e peticionit, bien në sy tre gjëra:

Së pari, sipas firmëtarëve "faktet historike" dhe "argumentet shkencore" identifikohen me njëri-tjetrin duke u quajtur "ngjarje" dhe "momente historike". Kjo të çon tek ideja e së "vërtetës objektive" aq e ekzaltur në kohën e sundimit të ideologjisë. Ndërkaq, ne mendojmë se ka shumë kohë, të paktën që me Kantin, që e dimë se shkenca nuk na thotë të vërteta objektive apo absolute, se ajo është produkt i mendjes njerëzore, një përpjekje për të organizuar "kaosin" nëpërmjet "formës". Aq më pak historia mund të konsiderohet thënëse të vërtetash objektive. Përkundrazi, ajo konsiderohet par definition subjektive. "Nuk ka fakte; ka interpretime të tyre". (Niçe).
Së dyti, këta "fakte historike" apo "argumente shkencor", mbiquhen prej firmëtarëve "jetikë" për ekzistencën e kombit duke u bërë si të thuash të paprekshëm e duke marrë, kësisoj, një konotacion përtej shkencor. Një historiografi e trajtuar si shkrim i shenjtë nuk është kompatibël me shkencën.
Së treti, firmosësit më një anë bëjnë thirrje për mosndryshimin e historisë me "ndërhyrje nga jashtë" në emër të lirisë shkencore, më anë tjetër përcaktojnë qartazi vijat ideologjike se si duhet shkruar historia. Në fakt, peticioni është një ilustrim par exellence i asaj që Sllobodan Naumovic në artikullin e tij të këtij numri e quan "sindromi i përkatësisë së dyfishtë": që shfaqet kur grupet e studiuesve dhe intelektualëve vendas i venë vetes detyrë që me punën e tyre t'i shërbejnë jo shkencës, por interesave të grupit të gjerë të cilit i përksin - në këtë rast ideologjisë kombëtare.
Po t'i bashkosh këta elementë të peticionit nuk është e vështirë të arrish në përfundimin se fryma e tij është ajo ideologjisë së diktaturës apo e diktaturës së ideologjisë që na ka sunduar për pesëdhjetë vjet mënyrën e të menduarit e të vështruarit edhe të historisë. Karakteristikë e kësaj ideologjie ishte se ajo tentonte të ishte njëherësh edhe teori e argumentuar shkencërisht, edhe fe që kërkonte besimin absolut në të dhe një investim të fortë afektiv të besimtarëve të saj e ku intelektualët vendas bëhen klerikët e saj. (Shih për këtë edhe "Privatësia në sistemin totalitar", F Lubonja Përpjekja 23).
Nuk është vështirë të kuptosh se firmosësit e peticionit kërkojnë ruajtjen e ideologjizimit nacional romantik të historisë të përpunuar më së pari nga rilindasit dhe të ripërpunuar në kohën e nacional - komunizmit të Enver Hoxhës, madje duke e radikalizuar diskursin vetorientalist të rilindasve që synonin shkëputjen e çdo lidhjeje me botën orientale në emër të evropianizimit.
Nisur nga ky pozicionim thellësisht i ideologjizuar, prandaj dhe shumë pak shkencor, ata kërkojnë të zhbëjnë çdo tentativë për të rishkruar një historiografi sipas të cilës "pushtimi osman shkaktoi një "gropë të zezë" ne historinë e kombit shqiptar duke ndërprerë procesin normal historik te zhvillimit të kombit tonë" si dhe atë sipas të cilës shqiptarët luftuan vazhdimisht për lirinë e tyre, për gjuhën duke ruajtur në thelb të pacënuar identitetin e tyre, - "një qëndresë që përbën një faqe të ndritur jo vetëm në historinë e shqiptarëve, por edhe në historinë e Evropës." Dihet se shpallja e pavarësisë konsiderohet si momenti kulminant i kësaj historiografie mitologjike.
Lidhur me këtë Noel Malcolm në shkrimin e tij  "Mitet e identitetit kombëtar shqiptar" (Përpjekja 15-16 f. 183) bën qartazi diferencën midis mitit të betejave të vazhdueshme kombëtare të ndërtuar nga rilindasit mitndërtues dhe realitetit historik të marrëdhënieve të shqiptarëve në Perandorinë Osmane. Duke ballafquar  protagonistët e asaj kohe ai citon Ismail Qemalin që shkruan:
"Që nga ajo kohë (vdekja e Skënderbeut), megjithëse shqiptarët asnjëherë nuk kanë humbur dëshirën pasionante për pavarësi, ata kanë qenë i vetmi popull i Ballkanit me të vërtetë i lidhur me Perandorinë Osmane, gjithmonë të gatshëm për ta mbështetur atë, gjithmonë të lumtur që ndihmonin fuqizimin e saj dhe përfitonin nga ky fuqizim." (Ismail Qemal Vlora, Albania and the albanians botuar së pari në The Quarterly Review (1917, ribotuar në Ylli i Mëngjesit, vol. 2, n.5 (29 shtator 1917), f. 129-34. Një pasqyrim i ngjashëm - shkruan Malcolm - mund të nxirret edhe nga shkrimet e Eqrem Bej Vlorës ose edhe nga komentet e Isa Boletinit, të raportuara nga Aubrey Herbert. Ndërkaq ai citon Faik Konicën i cili në numrin e parë të gazetës së tij The Trumpet of Croya (Trumpeta e Krujës), botuar në St Louis, Missouri, më 1919 shkruan: "Uroj që të shkëpus çdo lidhje ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, të çrrënjos me sa të jetë e mundur rezultatet e pushtimit dhe të lidh të tashmen me të shkuarën, duke bërë të mundur që vendi im te rifillojë evolucionin e tij të natyrshëm, pikërisht aty ku ai u ndërpre nga pushtuesit e huaj."
Sipas Malcolmit divergjenca vjen për dy arësye. Së pari se publicistët e vendosur jashtë Shqipërisë si Konica, Noli, Çekrezi dhe Dako kishin një mendim më të plotë të kërkesave politike të ditës të diktuara nga politikat e Fuqive të Mëdha, por edhe sepse ata shkruanin sipas "diktatit të skicave mitike, të rrënjosura në mendimin e tyre." Duke komentuar thënien e Konicës, Malkolm shkruan: "Vështirë se mund të gjendet një përcaktim më i qartë i botkuptimit mitik mbi kohën: një gjysëm mijëvjeçari historie njerëzore fshihet me lehtësi, dhe ajo që mbetet nga ana tjetër "lidhet", sikur asgjë të mos kishte ndodhur brenda kësaj kohe. Kjo mund të jetë e mundur jo në botën reale të kohës njerëzore, por në botën e pakohë (mitike), ku në thelb identiteti përcaktohet me supozim."
Ne mendojmë se është e rëndësishme të hidhet drita e studimit shkencor mbi "botën reale të kohës njerëzore" për ta njohur historinë tonë në kompleksitetin e vet dhe jo sipas thjeshtëzimeve mitike dhe manipulimeve ideologjike. Ky numër siç e thamë i dedikohet pavarësisë.
Historianët Nathali Clyer, Peter Likursi, Krisztián Csaplár-Degovics, Guido Pescosolido, Ledia Dushku na japin një pasqyrë pikërisht të kompleksitetit të asaj periudhe asaj periudhe, të faktorëve të shumtë që sollën pavarësinë e Shqipërisë. Clayer, pasi shtjellon faktorët makro dhe mikro, na jep në tekstin e parë historinë e qëndrimit dhe veprimit të Ismail bej Vlorës në këtë kontekst, duke formuluar edhe disa refleksione mbi studimin e nacionalizmave ballkanikë. Në shkrimin e dytë, ajo u rikthehet kryengritjeve të viteve 1908 - 1912 të vlerësuara në historiografinë shqiptare si "një kryengritje e vetme" duke hedhur dritë mbi natyrën shumë më komplekse dhe diverse të këtyre kryengritjeve, ashtu sikurse edhe të pozitave e qëndrimeve të aktorëve të ndryshëm, e duke vënë në dukje edhe kufizimet e studimeve të derimësotshme në lidhje me to.
Likursi merret me kontributin e shqiptarëve në Revolucionin Xhonturk, ku bije në sy se në atë periudhë shumë veprime të tyre, deri edhe një përkushtim ndaj perandorisë që krahasohej me atë të turqve, ishin të kushtëzuar edhe nga identiteti osman i tyre për të cilin në historiografinë zyrtare thuajse nuk është folur kurrë.
Krisztián Csaplár-Degovics, në artikullin e tij të parë jep një pasqyrë përmbledhëse të rolit të Austro-Hungarisë në konsolidimin e nacionalizmit shqiptar dhe shpalljen e Pavarësisë. Kurse në të dytin analizon Luftën e Parë Ballkanike, duke na dhënë edhe një kronologji të ngjarjeve të vjeshtës së vitit 1912 dhe duke rindërtuar rrethanat lokale të shpalljes së pavarësisë.

Guido Pescosolido analizon figurën e Francesco Crispi-t, një prej burrave të shtetit më të rëndësishëm në historinë e Italisë në kapërcyell të shekujve XIX-XX, duke na treguar se si origjina dhe kultura e tij arbëreshe ndikoi në vizionin e tij për problemin e nacionalitetit dhe veçanërisht në vizionin e tij për raportet e Italisë me Ballkanin e posaçërisht me Shqipërinë.
Ledia Dushku përqëndrohet në raportet midis Shqipërisë dhe Greqisë në prag të shpalljes së Pavarësisë, duke treguar evoluimin e interesave aneksioniste greke dhe sygjeron se përpjekjet greke për të parandaluar shpalljen e pavarësisë çuan në shpalljen e Pavarësisë tre ditë më herët nga sa ishte planifikuar, më 28 nëntor 1912.
Një pjesë e dytë shkrimesh me autorë Holta Vrioni, Alexander Vezenkov, Sllobodan Naumovic, Shkëlzen Gashi janë ese dhe studime kritike mbi mënyrën se si është shkruar historiografia e ndikuar nga ideologjizimet e vjetra apo të reja.
Holta Vrioni pasqyron dhe analizon pretendimet e artikuluara të oxhaqeve shqiptarë rreth origjinave të tyre, si origjina fisnike apo të pastra shqiptare, duke i vendosur këto pretendime në perspektivën historike dhe kontekstuale të asaj kohe.
Alexander Vezenkov analizon "Rilindjen Kombëtare" në ligjërimin e historiografisë bullgare duke e krahasuar atë me ligjërimet e historiografive ballkanike, përfshirë edhe atë shqiptare.
Sllobodan Naumovic në esenë e tij mbi origjinat e diskurseve të ideologjizuara në etnologjinë ballkanike shtjellon se është sindromi i përkatësisë së dyfishtë (double insider syndrom) më fort sesa dashuria për romantizmin ai që ka sjellë ideologjizimin nacionalist të shkencave të etnologjisë në Ballkan.
Shkëlzen Gashi, në punimin e tij analizon tekstet mësimore të shkollave fillore e të mesme të Kosovës, Shqipërisë e Sërbisë mbi vitin 1912. Artikulli nxjerr në pah shpërputhjet mes historiografive në fjalë dhe falsifikimet përkatëse të secilës palë.
Së fundi, Ermal Hasimja nëpërmjet një reflektimi tejet kritik mbi festimin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë del në përfundimin se ky festim nuk ishte veçse një harbim amnezik ndaj faktit se këta 100 vjet pavarësi kanë prodhuar në periudhën më të madhe tragjedi për shqiptarët, duke na sugjeruar edhe se sa e nevojshme është njohja e historisë reale për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë.




kthehu më sipër