Revista PERPJEKJA

LOADING
PREV
NEXT
http://revistaperpjekja.org/components/com_gk3_photoslide/thumbs_big/333134Banner_.png

Fac sapias et liber eris

  Bëhu i ditur që të jesh i lirë

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Gratë në Hapësirën Publike: Jeta Urbane në Tiranë në Periudhën mes dy Luftërave Botërore
E Mërkurë, 20 Sht 2017
E Enjte, 22 Maj 2014 13:36

Gratë në Hapësirën Publike: Jeta Urbane në Tiranë në Periudhën mes dy Luftërave Botërore

 

 

Pas shpalljes së Tiranës si kryeqytet i shtetit shqiptar, në vitin 1920, dhe rikonfirmimit të këtij statusi në vitin 1925, Tirana përjetoi tendenca të rëndësishme, përsa i takon planifikimit urban. Tirana, një qytet i vogël provincial me rreth 10,000 banorë në vitin 1918, u përball papritur me sfidën për t’u shndërruar në kryeqytetin politik të Shqipërisë, dhe, si rrjedhim, përjetoi ndryshime të rëndësishme në strukturën urbane dhe arkitekturë. Një nga rrjedhojat më të rëndësishme të planifikimit urban në Tiranë në periudhën mes dy luftërave botërore ishte zgjerimi dhe përmirësimi i hapësirës dhe ndërtesave publike. Planet rregulluese që u hartuan dhe u zbatuan në vitet 1920-të dhe 1930-të sollën ndryshime të rëndësishme në strukturën urbane të Tiranës dhe e zgjeruan hapësirën publike për banorët e kryeqytetit.
Përmirësimi dhe transformimi i strukturës urbane dhe krijimi i hapësirave të reja publike ndikoi në jetën e qytetarëve përmes ofrimit të mundësive më të mira për argëtim, dhe si rrjedhojë stimuloi forma dhe institucione të reja të jetës dhe kulturës urbane. Hapja e rrugëve të reja të gjera dhe bulevardeve, e lokaleve dhe restoranteve moderne, si dhe elektrifikimi i rrugëve kryesore të qytetit krijoi hapësira publike më të përshtatshme dhe një mjedis më të sigurtë për rritjen e prezencës së grave në sferën publike. Rritja e pranisë së grave në hapësirën publike dhe jetën urbane vihet re në dy aspekte kryesore. Së pari, tek krijimi i shoqatave të grave dhe zgjerimi i aktivitetit të tyre, dhe së dyti, tek përfshirja e grave në format e reja të argëtimit dhe të shoqërizimit, si shëtitjet, kinemaja dhe aktivitetet artistike.
Përmirësimi i infrastrukturës urbane, i shoqëruar edhe nga aktivizmi i grave, intensifikimi i debatit publik mbi emancipimin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe ndikimi i modeleve europiano-perëndimore në jetën e përditshme të banorëve të kryeqytetit krijoi një kornizë më të përshtatshme për rritjen e pranisë së grave në hapësirën publike dhe pjesmarrjen e tyre në jetën urbane. Rrethanat ishin më të favorshme sidomos në kryeqytet, si rrjedhojë e zgjerimit të hapësirës publike në kuadrin e transformimit urban që përjetoi Tirana në periudhën mes luftërave botërore.
Pavarësisht nga prania në rritje e grave në hapësirën publike, mungesa e mundësive të punësimit, si rezultat i industrializimit dhe urbanizimit të ngadaltë të vendit, por edhe i vazhdimësisë së qëndrimeve tradicionale në lidhje me rolin e grave brenda familjes, u bënë pengesa të rëndësishme për punësimin e grave. Si rrjedhojë, jeta e përditshme e shumicës së grave në qytetet shqiptare nuk pësoi ndryshime rrënjësore dhe niveli i ulët arsimor i grave ishte një faktor i rëndësishëm që ndikoi në vazhdimësinë e izolimit të grave brenda familjes. Izolimi i mëparshëm i grave brenda hapësirës private u reflektua edhe në godinat publike, shembulli i së cilës ishin hapësirat e veçanta për gratë në kinematë e kryeqytetit.