Revista PERPJEKJA

LOADING
PREV
NEXT
http://revistaperpjekja.org/components/com_gk3_photoslide/thumbs_big/333134Banner_.png

Fac sapias et liber eris

  Bëhu i ditur që të jesh i lirë

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Parathënie: Shqipëria në Shekullin XX - Studime Aktuale dhe Perspektiva të Reja
E Martë, 28 Mar 2017
E Enjte, 22 Maj 2014 13:48

Parathënie: Shqipëria në Shekullin XX - Studime Aktuale dhe Perspektiva të Reja

Shqiptarët kanë përjetuar në shekullin XX ngjarje të mëdha, momente solemne e çaste kritike, pushtues të huaj e diktatorë vendas, përmbysje rrënjësore, transformacione intensive e tranzicione problematike. Historia e Shqipërisë në shekullin XX është historia e cezurave të shumta e të thella. Në harkun kohor mes „kohës osmane“ dhe „tranzicionit paskomunist“ shoqëritë shqiptare iu nënshtruan disa herë kthesave rrënjësore politike të shoqëruara me pasoja të ndjeshme sociale e kulturore. Kjo e bën historinë e Shqipërisë së shekullit XX një objekt studimi sa interesant, aq edhe të vështirë. Për më tepër, dy faktorë shtesë e bëjnë hulumtimin e kësaj periudhe edhe më sfidues: Së pari, përpos përshtypjes, që mund të krijohet nga numri i madh i shkrimeve publicistike e gazetareske, njohuritë tona shkencore mbi shumë aspekte të historisë së Shqipërisë në këtë periudhë janë ende të kufizuara. Së dyti, afërsia kohore dhe aktualiteti politik i temave të historisë bashkëkohore ushtrojnë presion tek historianët dhe e bëjnë hulumtimin e tyre një çështje njëkohësisht të rëndësishme, por edhe shumë delikate. Ky numër paraqet një „përpjekje“ për të „ndriçuar“ aspekte të ndryshme të historisë së Shqipërisë në shekullin XX nga perspektiva e displinave të ndryshme shkencore si antropologji, histori, shkenca politike, teologjike dhe linguistike. Qëllimi i këtij numri nuk është paraqitja gjithëpërfshirëse e historisë së Shqipërisë në shekullin XX, por e disa aspekteve të veçanta të historisë politike, ekonomike, sociale, kulturore e fetare.

Ajo çfarë e karakterizon këte numër nuk është filli i përbashkët tematik i artikujve, por përkundrazi, shumëllojshmëria e temave, qasjeve teoriko-metodologjike dhe disiplinave shkencore. Artikujt e këtij vëllimi prezantojnë rezultate hulumtimesh aktuale dhe kryesisht janë shkruar nga doktorante/a ose studiuese/a të reja/rinj. Vlen për t’u theksuar, se pjesa më e madhe e autorëve „shkelin“ „terren të paprekur“ studimi. Punimet pioniere sa ofrojnë mundësi të „arta“ për zbulimin e njohurive krejt të reja, aq përbëjnë edhe një sfidë të madhe. Në historiografinë ndërkombëtare hulumtimi historik konsiderohet jo si kërkim dhe zbulim i të „vërtetës absolute“, por si proces i të „afruarit“ drejt fenomeneve komplekse historike duke u nisur nga këndveshtrime e qasje të caktuara, të cilat i përgjigjen kritereve shkencore, bëhen transparente nga historiani/a dhe janë të hapura për diskutim. Duke u nisur nga kjo bindje, edhe artikujt e këtij numri nuk udhëhiqen nga ideja e zbulimit të „historisë së vërtetë“, rishkrimit apo konfirmimit të historiografisë së deritanishme, por nga synimi për të prezantuar njohuri të tjera, pa pretenduar trajtimin shterues të temave dhe supermacinë e qasjeve të përdorura, por njëkohësisht edhe duke iu shmangur autocensurës. Duke u nisur nga sfondi historik i temës së trajtuar, artikujt mund të ndahen në tre grupe:

Tre shkrimet e para trajtojnë aspekte të ndryshme të historisë së Shqipërisë para Luftës së Dytë Botërore. Armanda Hysa përdor studimin e pazareve në Shqipëri në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX për të kuptuar rolin e individit në komunitet si dhe lidhjen mes individuales dhe kolekives në bashkësitë urbane të periudhës osmane. Qasja e përdorur ka për bazë dialektikën mes substantivistëve dhe formalistëve, që në ekstremet e tyre e shohin individin paramodern ose thjeshtë si njeri morali, ose thjeshtë si njeri ekonomik. Enriketa Papa studion strukturën familjare në Shqipëri rreth vitit 1918 duke u bazuar mbi të dhënat e censusit të kryer nga trupat austro-hungareze përgjatë Luftës së Parë Botërore në zonën e tyre të administrimit ushtarak. Papa krahason strukturën shtëpiake të popullsisë së Shqipërisë me teoritë mbi familjen dhe strukturat shtëpiake të Europës Juglindore dhe Ballkanit dhe argumenton, se në cilën teori mund të vendosim modelin shtëpiak shqiptar, brenda atij kompleks apo atij të thjeshtë, duke vënë në dukje ndryshimin midis strukturave familjare rurale dhe atyre urbane. Gentiana Kera analizon, se si ndikoi zgjerimi i hapësirës publike urbane në Tiranë në periudhën mes dy luftërave botërore në jetën e banorëve dhe veçanërisht në jetën e grave. Artikulli i saj paraqet një kontribut në kërkimin urban me karakter historiko-antropologjik.        
Pjesa më e madhe e artikujve trajtojnë aspekte të historisë së Shqipërise në komunizëm. Gama e temave, qasjeve dhe displinave shkencore është shumë e gjerë. Artikulli i Johana Shahinit paraqet një analizë teorike dhe historiko-institucionale të sistemit komunist shqiptar, duke u fokusuar tek faktorët, që çuan në krijimin e profilit specifik patrimonialist të tij. Idrit Idrizi analizon disa elementë të sundimit komunist ne periudhën e vonë, duke u nisur nga perspektiva e historisë kulturore dhe hulumtimi në nivelin mikrohistorik, si dhe ilustron kontributin e mundshëm të qasjes së historisë kulturore për hulumtimin e periudhës komuniste. Me anë të hulumtimit të procesit të rekrutimit të fuqisë punëtore për Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, Visar Nonaj analizon pasojat kulturore-shoqërore të politikës komuniste të industrializimit. Gjithashtu artikulli i tij hedh dritë mbi disa aspekte ekonomiko-historike të ecurisë së kombinatit. Gjergj Erebara qëmton rolin e faktorit demografik dhe raportit të popullsisë me burimet natyrore të vendit në krizën ekonomike të viteve 1980-të. Artikulli krahason rastin shqiptar me modelet teorike malthusiane dhe seniane dhe diskuton disa dallime të krizës ekonomike në Shqipëri nga ajo në vendet e tjera socialiste të Europës Lindore. Egin Ceka hulumton marrëdhëniet e shtetit me fenë në Shqipërinë komuniste duke u fokusuar tek politikat e shtetit dhe drejtuesve të tij të lartë. Artikulli prek një sërë temash si funksioni legjitimues për pushtetin i ndalimit të fesë dhe zëvendësimit të saj me ateizmin shtetëror, roli i intelektualëve si përçues të ateizmit në shoqëri, mbijetesa e fenomeneve dhe besimeve fetare deri në rënien e sistemit socialist. Dy artikuj i dedikohen politikës komuniste ndaj gruas. Luljeta Ikonomi dhe Shannon Woodcock hedhin dritë mbi mënyrën, se si letër-ankesat e viktimave të përdhunimeve seksuale drejtuar Enver Hoxhës instrumentalizoheshin nga ky i fundit për të forcuar kontrollin e tij mbi Partinë dhe rolin e kësaj mbi shtetin dhe shoqërinë shqiptare, duke demonstruar ne këte mënyrë diskrepancën mes propagandës së emancipimit të gruas dhe realitetit gjatë të ashtuquajtutit “Revolucioni Kulturor Shqiptar”. Punimi i Irida Vorpsit analizon përfaqësimin vizual të grave në Shqipëri nga vitet 1945 deri në 1990, të pasqyruar në fotografitë e revistës “Shqiptarja e Re”, organ i Organizatës Bashkimi i Grave të Shqipërisë. Studimi bazohet në teorinë e analizës dhe zbërthimit të fotografisë dhe propozon analizën vizuale përmes konceptit të “glorifikimit simbolik”, duke e pranuar këtë të fundit si pjesë të domosdoshme të përpjekjes ideologjike të regjimit për të vërtetuar, se pjesëmarrja e gruas në politikë dhe si fuqi punëtore ishte shenjë e emancipimit të saj. Vizualja përben edhe fokusin e artikullit të Lazim Ahmedit, i cili diskuton përfytyrimin e kundërshtarëve të jashtëm në karikaturat e revistës Hosteni, duke u nisur nga këndvështrime të ndryshme teorike. Hipoteza e tij është se shfaqja e këtyre karikaturave nuk ka qënë vetëm një mjet poshtërimi ndaj armikut dhe argëtues për popullin, por më së shumti edhe një bërje publike e kujtesës kolektive shqiptare. Grupi i artikujve mbi periudhen komuniste mbyllet me dy artikuj nga disiplina linguistike. Ardian Vehbiu trajton fenomenin e fletë- rrufesë dhe krahason atë me dazibao-n kineze dhe stengazeta-n sovjetike, kurse Ardita Dylgjeri analizon disa karakteristika të ligjërimit politik nën regjimin komunist, duke u fokusuar tek fenomeni i “gjuhës së drunjtë”.      
Dy artikujt e fundit të këtij numri kanë si objekt studimi aspekte të periudhës paskomuniste. Cecilie Endresen hulumton qasjen e klerikëve shqiptarë ndaj ritualeve të familjes dhe jetës. Artikulli mbështetet mbi intervistat e zhvilluara nga autorja me 27 klerikë myslimanë, bektashianë, ortodoksë dhe katolikë nga i gjithë vendi dhe përbën një kontribut në hulumtimin e diversitetit fetar shqiptar në teori dhe praktikë. Hans Lempert paraqet përqasjet teorike dhe konceptet, që mund të përdoren për hulumtimin e diskursit bashkëkohor nacionalist në Shqipëri, si dhe diskuton fushat e tematikat kryesore të tij. Artikulli vë në pah rëndësine, që ka i ashtuquajturi “nacionalizëm banal” në shoqëritë në tranzicion siç është ajo shqiptare.  
Botimi i këtij numri e ka zanafillen e vet në workshop-in e organizuar në Vjenë të Austrisë më 1 Mars 2013. Pjesa më e madhe e artikujve të botuar këtu janë një version i zgjeruar i referateve të mbajtura në këte workshop. Editorët e këtij numri falenderojnë përzermërsisht Institutin e Historisë së Europës Lindore të Universitetit të Vjenës, që mbështeti organizimin e këtij workshop-i. Diskutimi i gjerë i punimeve si dhe i problemeve teoriko-metodologjike në këte workshop, padyshim ka kontribuar në rritjen e cilësisë shkencore të artikujve. Në këtë vend, editorët gjithashtu gjejnë rastin të falenderojnë të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre konstruktiv në workshop si dhe për artikujt e shkruar.  
Së fundi, editorët falenderojnë stafin drejtues të revistës „Përpjekja“ për mundësinë e botimit të këtij numri, si dhe i shprehin mirënjohje të veçantë Znj. Albana Rexhepaj për kontributin e pazëvendësueshëm dhe kujdesin që nga organizimi i workshop-it deri në botimin përfundimtar të këtij vëllimi. Deshira jonë për të botuar artikujt në këtë revistë lidhet me profilin e „Përpjekjes“ dhe synimin e saj për promovimin e „dialogut të pluralitetit“ në shoqërinë shqiptare, për „orientimin e opinionit publik drejt një kulture më të hapur, më krijuese dhe më vetëkritike“. Nën këtë frymë shpresojmë, që me përpjekjen tonë modeste të kemi kontribuar në pasurimin e stadit te hulumtimit për Shqipërinë e shekullit XX me njohuri të reja, të përftuara me anë të metodave shkencore e të hapura për diskutim.  

Irida Vorpsi dhe Idrit Idrizi
Tiranë/Vjenë, Shkurt 2014