Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Enjte, 25 Pri 2024
E Premte, 25 Shkurt 2011 10:12

Kontakt nga afër

Në këtë kapitull të nxjerrë nga libri i tyre La Scoperta dell’Albania (“Zbulimi i Shqipërisë”, Edizioni Paoline, Milano 1996), autorët analizojnë reagimet e para të shtypit italian ndaj zbarkimit të refugjatëve shqiptarë në brigjet e Italisë së Jugut në fillim te vitit 1991.

Pas pothuajse një gjysmë shekulli izolimi politik të Shqipërisë dhe një indiference pothuajse prej padroni nga ana e italianëve, ky kontakt i parë u paralajmërua nga e ashtuquajtura Krizë e Ambasadave në Tiranë, në korrik 1990, duke i zënë prapëseprapë në befasi autoritetet dhe publikun italian përsa i përket përmasave të eksodit. Edhe pse Shqipëria dhe Italia qëndrojnë ije më ije me njëra tjetrën dhe janë të ndara nga deti i ngushtë Adriatik, publiku italian nuk dinte asgjë për Shqipërinë dhe për arsyet që i motivuan këta dhjetëra mijëra njerëz të kapërcenin detin me anije tregtare të rrëmbyera dhe varka të stisura atypëraty. Ndërsa Kryqi i Kuq dhe institucione të ndryshme të mbrojtjes së rendit hynë në garë me kohën dhe u munduan të sistemonin miqtë e ardhur befas, mjetet e informacionit masiv morën përsipër detyrën gati të pamundur të përgatitjes së publikut për ngjarjet që do të pasonin. Kjo përfshinte, së pari, një paraqitje të përciptë të Shqiptarit të Huaj: në fillim si një krijesë që kishte nevojë për mirëkuptim të krishterë, më vonë si kërcënim për rendin publik dhe më në fund si kërcënim ekzistencial për Qytetërimin Perëndimor. Diskutimet për komunizmin, racën, lirinë dhe Evropën do të hidhnin më tepër dritë mbi vizionin ndaj botës së shumicës dërrmuese të italianëve pas rënies së Murit të Berlinit se sa mbi motivet reale dhe problemet e vetë refugjatëve. Fazat e ndryshme të këtij shndërrimi pasqyrohen në ndryshimin e humorit të shtypit italian, që u zu në befasi po aq i papërgatitur sa edhe Qeveria Italiane përballë fenomenit. Gjithashtu, në shumë raste, disa prej të cilave janë të dokumentuara mirë, mediat i dhanë informacion jo vetëm publikut por edhe qeverisë. Qëndrimet, mitologjitë dhe spekulimet e ndryshme të zhvilluara nga media të informuara keq për situatën në Shqipëri do të përhapeshin në atë masë sa të përcaktonin perceptimin nga ana e publikut italian të fenomenit të refugjatëve shqiptarë, me të cilët duhej të ballafaqohej. Në fund të fundit, ndryshimi i qëndrimit nga dashamirësia e vetëkënaqur në armiqësi do të ndikonte edhe për të ardhmen e atyre shqiptarëve që u vendoën me banim në mjedisin italian dhe u bënë objektiv i agjencive të ndihmave dhe iniciativave të bamirësisë, nga njëra anë, dhe krimit të organizuar nga ana tjetër. Duke e hedhur vështrimin prapa, ajo që u ndodhi refugjatëve shqiptarë në Itali midis marsit dhe gushtit të vitit 1991, pati një ndikim vendimtar për hartimin e politikave të imigracionit të Italisë dhe Bashkimit Evropian, sidomos duke pasur parasysh portat e digave të Evropës Lindore që ishin gati për të shpërthyer.