Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Martë, 16 Pri 2024
E Premte, 25 Shkurt 2011 10:16

Migrimi i shqiptarëve të pas 90-ës në Londër

Studimet për migracionin dhe integrimin e minoriteteve etnike kanë vënë në dukje mungesën e kërkimeve për emigrantët “e rinj” që mbërritën pas fillimit të viteve ’90 në Britani.

Gjithashtu, është dokumentuar “pragmatizmi” i politikës për imigracionin në Britaninë e Madhe dhe përgjigja e mangët ndaj pranisë së këtyre valëve të reja të migracionit, edhe pse deri më sot provat janë të pakta. Ky artikull përqëndrohet tek një grup imigrantësh i lënë veçanërisht mënjanë – imigrantët shqiptarë dhe fëmijët e tyre – dhe jep dëshmi rreth migracionit dhe procesit të ngulitjes së tyre në Britani.

Punimet e pakta deri në ditët tona për shqiptarët (si dhe shqiptarët etnikë të Kosovës) kanë dhënë dëshmi rreth procesit të migracionit në Britani, përbërjes se komunitetit dhe karakteristikave të tij në vitat e para qëndrimit në vend. Britania u bë vend destinacioni për emigrantët shqiptarë në fund të viteve ’90. Përmasat e komunitetit janë të vështira për t’u vlerësuar dhe janë raportuar shifra të ndryshme nga burimet zyrtare dhe informatorët kyç. Raporti i IPPR për komunitetet e reja të imigrantëve që janë vendosur në Britani në vitet ’90 vlerësoi se komuniteti shqiptar kishte gati 2.300 pjesëtarë në 2001, krahasuar me 150 në 1991. Nga ana tjetër, Qeveria Shqiptare raporton se komuniteti shqiptar në Britani është i treti në Evropë për nga madhësia, pas atij të Greqisë (600.000) dhe të Italisë (250.000), duke e vlerësuar prej rreth 50.000 vetash. Mendohet se shumica e shqiptarëve në Britani janë nga Shqipëria e Veriut, megjithëse një numër i tyre kanë qenë më përpara emigrantë në Greqi dhe Itali dhe vendosën të shkonin në Britani për të gjetur mundësi më të mira pune dhe për t’i ikur diskriminimit në dy vendet e mëparshme. Prandaj, shumica e imigrantëve shqiptarë në Britani fillimisht përbëhej nga burra të rinj në të 20-t dhe 30-t; gratë erdhën më vonë. Si arsye të migracionit në Britani janë raportuar varfëria dhe mungesa e punës në Shqipëri, rënia e skemave të dështuara piramidale të investimeve dhe trazirat që pasuan në vend, mungesa e sigurimit për shkak të gjaqeve, kriza e refugjatëve në Kosovë dhe, vetëm më vonë, bashkimi familjar.  

Konkluzionet e këtij artikulli tregojnë se mungesa e rrugëve ligjore për migrim në Britani ka ndikuar shumë tek trajektoret e migracionit të këtij grupi. Këtu fjalën e kam jo vetëm për rrugët gjeografike dhe mjetet e hyrjes, por, që ka më tepër rëndësi, edhe për trajektoret personale të migrantëve. Po ashtu, politika e çakorduar britanike për azilin dhe mangësitë e zbatimit të saj kanë ndikuar në shëndetin e migrantëve dhe strategjitë e tyre për integrim, dhe kanë kanë ndikuar negativisht në trashëgiminë nga brezi në brez. Në kërkimin e tyre për t’i bërë vetes vend nga ana sociale dhe etnike në një shoqëri pritëse multietnike dhe të shtresëzuar nga ana sociale, përmbushja e projektit të migrimit nga ana e migrantëve shqiptarë në Londër bëhet përmes një trullosjeje kulturore, një hendeku midis brezave në zgjerim e sipër, si dhe përmes pasigurisë përsa i përket shtetësisë dhe përkatësisë, dhe lidhjeve me Shqipërinë.