Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Rreth nesh
E Premte, 24 Nën 2017

Rreth nesh

Fac sapias et liber eris

Bëhu i ditur që të jesh i lirë - Me këtë citim do të fillonte editoriali i parë i Përpjekjes në nëntor të vitit 1994. Qysh nga ky moment e në vazhdim Përpjekja do të jetë e pranishme në sfidën e saj për të përcjellë në shoqërinë shqiptare frymën e një kulture “ndryshe”. Përhapja e kësaj kulture – që përmes dëshirës për dije rrit sensit kritik ndaj asaj ç’ka na rrethon, që na ndihmon të çlirohemi prej komplekseve të vjetra, apo të reja, që na jep dinjitet dhe kurajo për të ç’mitizuar, që na përgatit për të riformuluar mbi baza serioze përkatësinë tonë identitare e për të interpretuar proceset historike, së fundi, që na aftëson për t’u ballafaquar me problematikat aktuale të tranzicionit – ka qenë dhe mbetet motivi i thellë i ekzistencës së revistës Përpjekja. Kjo është baza që e bën këtë revistë të jetë unike në llojin e vet.

Krijuar dhe drejtuar nga Fatos Lubonja, sot revista Përpjekja ka një grup editorial që përcakton tematikat kryesore ku fokusohet vëmendja e secilit prej numrave. Vetë struktura e revistës është “e hapur” dhe temat që rrihen në të kanë shtrirje të gjerë: ato shkojne nga politologjia tek letërsia, nga historia tek filozofia, nga sociologjia tek gjuhësia, etj.

Një grup bashkëpuntorësh përbëjnë kontribuesit e herëpashershëm të revistës Përpjekja, por faqet e saj janë të hapura, gjithashtu, ndaj kontribuesve të rinj dhe politikat editoriale të saj mundohen vazhdimisht të stimulojnë pjesëmarrjen e këtyre të fundit.

Tre boshtet kryesore rreth të cilave shtrukturohet revista janë:

  1. Aktualitet-shoqëri
  2. Letra shqipe
  3. Ndërgjegje historike

Në rubrikën e parë botohen shkrime që kanë të bëjnë me tema të aktualitetit, të cilat prekin shoqërinë postkomuniste shqiptare; rubrika e dytë synon një vjelje cilësore të prodhimit letrar bashkëkohor shqiptar, si edhe botimin e artikujve kritik mbi letërsinë; rubrika e tretë përfshin shkrime mbi historinë e Shqipërisë, që synojnë ta shohin historinë e vendit nëpërmjet një optike kritike, duke qenë, kësisoj, një alternativë e historisë “zyrtare” romantiko-nacionaliste.

Perpjekja është një mjet i vlefshëm për të gjithë ata që rreken ta kuptojnë më thelle realitetin shqiptar, atë që ndodh përreth nesh, për ata që nuk mjaftohen me “zhurmën” e përditëshme mediatike për formësimin e opinioneve të tyre, për ata që edhe pse nuk kanë përgatitjen e nevojshme akademike, ndjejnë nevojën të formulojnë një interpretim më serioz rreth problematikave bashkëkohore.

Fryma kritike, në përputhje me parimin e Karl Poperit: “Përmjet ligjërimit mundësohet kritika dhe përmjet kritikës zhvillohet kultura”, mbetet thelbi mëvetësues i revistës Përpjekja. Kjo frymë substanciale, deri dje, ka munguar pothuaj krejtësisht në mendimin historik, sociologjik, letrar dhe kulturor shqiptar në përgjithësi, ndërsa sot artikulimi i saj është në fazë belbëzimi. Qëllimi kryesor i Përpjekjes është nxitja dhe përhapja e kësaj fryme kritike në mënyrë që kultura shqiptare, të ketë fytyrën e saj “kombëtare” në një sfond kozmopolit, të pranojë diversitetin kulturor, të gatitet për shkëmbime me kulturat e tjera, pa paragjykime ideologjike dhe kulturore, e aftë të vetpërtërihet.

Shoqëria shqiptare e periudhës paskomuniste po përjeton një krizë identiteti, që nuk lidhet vetëm me bjerrjen e kulturës së vjetër nacional-komuniste dhe të moralit të saj, por edhe me tensionin midis dëshirës për t’iu bashkuar Evropës së qytetëruar dhe një realiteti socio-kulturor që është shumë larg atij. Në këtë kuptim revista Përpjekja ka synuar nxitjen e debateve dhe transmetimin e mesazheve lidhur me domosdoshmërinë e njohjes së historisë dhe kulturës sonë larg frymës romantike e panegjirike. Një karakteristikë tjetër e revistës Përpjekja është fakti se në vëllimin e saj krijimtaria e mirëfilltë dominon mbi përkthimet. Në ndryshim nga disa revista dhe gazeta kulturore të kësaj periudhe, që mbështeten kryesisht mbi përkthime, ose koleksione përkthimesh, ajo i ka sjellë lexuesit artikuj të shkruar enkas për revistën, si edhe shkrime të autorëve të rëndësishëm të kulturës shqiptare dhe të asaj të huaj që ishin pak të njohur nga publiku ynë. Duke qënë një organ i bazuar mbi krijimtarinë autentike dhe mbi një këndvështrim kritik mbi të kaluarën e të tashmen tonë, ajo u ka ofruar një mundësi shprehjeje shkrimtarëve, poetëve, historianëve dhe në përgjithësi studjuesve të brezit të ri, të cilët e kishin të vështirë të hynin me krijimet e tyre në tregun e kulturës shqiptare, që sot më shumë se kurrë po zaptohet nga prodhimet komerciale. Megjithë vështirësitë e shumta ekonomike, botimi i revistës Përpjekja ka arritur të mbulojë me praninë e saj pothuajse tërë periudhën e tranzicionit dhe ka vazhduar (me ndonjë ndërprerje, apo vonesë në daljet e përtremuajshme) të përcjellë mesazhin e saj të padiktuar prej përkatesive të çfarëdolloj natyre qofshin. Në këtë sens, Përpjekja ka qenë dhe do të mbetet përçuese e lirisë dhe e kurajos intelektuale.

Më tepër në këtë kategori: Numrat për t'u shkarkuar »