Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Njoftime » Nr. 1 » Editorial: Ç'synon "Përpjekja"
E Premte, 19 Pri 2024
E Premte, 30 Shtator 2011 21:12

Editorial: Ç'synon "Përpjekja"

Fac sapias et liber eris

(Bëhu i ditur të jesh i lirë)

Kjo krizë na duket se bëhet edhe më e spikatur nga fakti se shqiptarët, duke qenë një popull që nuk i përket asnjërit prej grupimev të mëdha të familjes së popujve indo-evropianë, dhe duke qenë relativisht i vogël në numur, e kanë edhe më të

vështirë gjetjen e një kushëriri të madh në kërkim të identitetit. Shpesh e më shpesh në shtypin shqiptar sot shtrohet dilema se nga do të anojë Shqipëria, për kah Perëndimi apo për kah Lindja? Me fjalë të tjera kjo mund të përkthehet në pyetjen: për kah do të orientohet identiteti kulturor dhe, më gjerë, qytetërues i shqiptarëve këtej e mbrapa? Kjo dilemë ka të bëjë me atë se, në njërën anë Shqipëria synon të bëhet pjesë e kulturës dhe e qytetërimit perëndimor, të vendosë institucionet perëndimore, kurse më anën tjetër klima dhe atmosfera ku duhet "të mbillen" këto institucione, kjo kulturë dhe ky qytetërim nuk duket aspak e përshtatshme për zhvillimin dhe lulëzimin e tyre. Ndërkohë që thirrjet e elitës intelektuale, të studentëve dhe profesorëve të tyre ishin E duam Shqipërinë si gjithë Evropa, thirrjet e traditës, të mënyrës së jetesës e të qeverisjes janë mjaft të ndryshme. Elita politike, po e përjeton dramatikisht krizën e identitetit shqiptar, sepse, më një anë, zgjodhi idealet evropiane, kurse, më anën tjetër, gjithnjë e më shumë po ndjen vështirësi për të qeverisur pa përdorur mënyrën tradicionale të qeverisjes, të bazuar mbi mendësinë turko-bizantine të ngulitur në shekuj tek shqiptarët. Dhe më gjerë akoma, shoqëria shqiptare, e dalë nga një homogjenitet amorf, e ka të vështirë të strukturohet në një heterogjenitet koherent e organik. Kjo kontradiktë shpesh duket sikur e ka futur kombin në një marramendje dëshpëruese. Çështja e shtruar për zgjidhje herë trajtohet sikur Shqipëria sot duhet të vendosë shpejt e përfundimisht zgjedhjen e saj e herë duke e trajtuar zgjidhjen e kësaj dileme si një proçes të gjatë, të mundimshëm e gati të pa shpresë.

 

Ajo që Hantingtoni e quan vend i përçarë na duket se është shprehur në Shqipëri spikatshëm në formën e konfliktit midis elitës kulturore me formim perëndimor më një anë dhe mendësisë së theksuar turkobizantine që ka zotëruar masën e popullit dhe politikanët më anën tjetër. (Është rasti të vemë në dukje që nuk i gjejmë të drejta mendimet e shprehura këtu-atje në shtyp të cilat e identifikojnë traditën perëndimore të Shqipërisë me pjesën katolike apo me origjinën e krishtere të shqiptarëve në mesjetën e hershme. Elita evropiano-perëndimore e Shqipërisë, në kuptimin tonë të identitetit Perëndimor, ka dalë nga përfaqësues të shquar të të tre komuniteteve fetare gjatë fundit të shekullit të kaluar dhe gjatë këtij shekulli.) Pra, ndërkohë që elita kulturore, qysh nga rilindasit e këtej, është mëqakur të ruajë idealin evropian, ka bërë thirrje për oksidentin, elita politke, në luftën për pushtet, i është larguar gjithnjë e më tepër këtij, derisa ka hyrë në konflikt me elitën kulturore dhe, për fat të keq, e ka nxjerë atë jashtë ndikimit efikas në orientimin e vendit.

Tradicionalisht, Shqipëria ka përjetuar, qysh kur u krijua shteti shqiptar e këtej, ndeshjen e elitës politike me atë kulturore. Kështu, elita kulturore shqiptare e kohës së Zogut u mënjanua nga elita politike. Atë çka mbeti prej saj e eliminuan më vonë komunistët. Elita e re që u formua në regjimin komunist ishte për një kohë të gjatë nën sundimin e politikanëve, për të mos thënë se politikanët komunistë e konsideronin deri diku veten edhe elitë intelektuale e kulturore. Në fillim të viteve 90 elita kulturore komuniste u çlirua nga presioni i politikës dhe filloi të luajë njëfarë roli në orientimin e opinionit publik, por shpejt ajo ose u tjetërsua nga lufta për pushtet ose u nxorr jashtë sferës së influencës për shkak të "valëve të dyta" e "të treta" të revolucionit demokratik. Për më tepër, një pjesë e saj ishte e mbresuar thellë nga metodat e marksizëm-leninizmit. Ajo i kishte shpenzuar energjitë më të mira në shërbim të një ideologjie të humbur, dhe, mbi të gjitha, u gjend papritur në varfëri të madhe shpirtërore dhe ekonomike, e ezauruar ose shpesh e gatëshme për t u vënë në shërbim të politikanëve të rinj; tek e mbramja, e paaftë për të luajtur një rol në orientimin e Shqipërisë për kah qytetërimi evropian. Pati shpresa që këtë vakuum intelektual të brendshëm do ta zevendsonte diaspora, por u duk shpejt se ata pak diasporas që zbarkuan, nuk ishin në gjendje, për shkak të ndarjes së gjatë, të kuptonin se çfarë kishte ndodhur në Shqipëri gjatë 50 vjetësh. Me të drejtë sot mund të shtrosh pyetjet: Cila është aktualisht elita kulturore shqiptare? Cili është raporti i saj me elitën politike? A përputhen ato për orientimin e Shqipërisë për nga një kaje e caktuar ose më saktë për kah ngjizja sa më parë e një identiteti të ri? Përgjigja vjen e turbullt ashtu siç vjen e turbullt përgjegja e pyetjes: Kah po shkon Shqipëria? Një gjë është, megjithatë, e qartë. Shqiptarët ndjehen dhe duan të bëhen evropianë (Perëndimorë) ndërkohë që kjo dëshirë mbete tepër e vagullt dhe tepër e papërcaktuar. Në shërbim të kësaj dëshire e të përcaktimit të saj duam të rreshtohemi edhe ne me revistën tonë.


Ç'do të thotë të bëhemi evropianë?


Pikërisht në këtë pikë, pra, kur shprehim dëshirën se duam të bëhemi evropianë, na lindin disa pikëpyetje. E para, çfarë duhet të kuptojmë me kulturë apo, më gjerë, frymë evropiane? E dyta, çfarë do të thotë për ne të bëhemi evropianë, d.m.th. a duhet dhe a mund ta mohojmë apo margjinalizojmë atë pjesë të traditës tonë kulturore joevropiane në favor të asaj evropiane apo duhet të kërkojmë rrugë të tjera, më pozitive ndaj saj? Të dyja këto pyetje na duken të lidhura me njëra-tjetrën. Duke i dhënë përgjigje të parës mendojmë se do t i japim përgjigje edhe të dytës. Fryma Perëndimore dhe kultura evropiane mendojmë se nuk duhet konsideruar si një entitet historik, fetar etj etj., tek i cili duhet të shkrihemi duke u identifikuar me të. Qytetërimin evropian duhet ta shikojmë si zhvillim që ka ndodhur në një pjesë të rruzullit, ku ekziston, më shumë se kudo gjetkë, bashkekzistenca në paqe dhe harmoni e sistemeve të ndryshme të vlerave (shih edhe "Refleksione në vitin e katërt të tranzicionit" në këtë numër), si një qytetërim ku individi është më i lirë të zgjedhë e të vetëpërcaktojë identitetin e tij. Kulturën evropiane ta shohim si një kulturë metodat e mendimit të së cilës, të vërtetat që ajo na mëson, nuk janë vetëm evropiane, por universale, njerëzore, të afta për t ju qasur popujve dhe kulturave nga më të ndryshmet. Për të karakterizuar kulturën evropiane do të perifrazonim Andre Zhidin kur flet për kulturën franceze: Meqënëse nëpërmjet saj çdo qënie njerëzore njeh vetveten, mund të themi se ajo nuk punon për përçarjen dhe konfliktin, por për bashkimin dhemirëkuptimin.

Dhe tani, përpara se t'i përgjigjemi pyetjes se çfarë do të thotë përne të bëhemi evropianë, na duket me vend të shprehim ndonjë mendim tonin që i bije ndesh ideve të Hantingtonit Ndeshja e qytetërimeve. Kur flet për vija ndarëse dhe për përleshje të qytetërimeve na duket se ai e shtron problemin në një formë mjaft sempliste, duke neglizhuar diferencat e ndërmjeme dhe po ashtu duke e konceptuar botën në terma konfliktuale dhe jo duke e vështruar lëvizjen e qytetërimeve nga një optikë më afatgjatë dhe në terma dialogu. Tendenca për t'u futur në strehën e një qytetërimi, e shfaqur si pasojë e krizës së identitetit, na duket se shoqërohet sot fuqishëm edhe me tendencën e këtyre qytetërimeve për t'u hapur ndaj njëri-tjetrit, për të marrë dhe për t'i dhënë njeri-tjetrit, ashtu siç ka ndodhur gjithëherë në histori (mjafton të kujtojmë për këtë vetë historinë e qytetërimit evropian). Po ashtu, mendojmë se ka ikur koha kur idnetiteti i një kombi apo grup kombesh ndërtohej mbi bazën e armiqësisë me tjetrin e ndryshëm dhe se ka ardhur koha e ndërtimit të identiteteve me idenë se në një koncert të madh ka zëra të ndryshëm. Prandaj nuk na duket me vend që ta shtrojmë pyetjen se nga do t'ia mbajnë shqiptarët tani që shfaqet konflikti i qytetërimeve, veçanërisht nëse kjo çështje shtrohet sikur bëhet fjalë që shtëpia nuk mund të ndërtohet mbi një humnerë, por se duhet të dalim në njërin skaj apo në tjetrin të saj. Në të vërtetë lind pyetja: A ndodhemi vërtet mbi një humnerë apo kemi të bëjmë me një vijë ndarëse shumë më tokësore?

Ne na duket se shqiptarët do të mbeten në humnerën ku janë, dmth. në kryqëzimin e tre qytetërimeve, por fatkeqësinë e përçarjes ata duhet ta kthejnë në avantazhin e qenies fatlumë që kanë brenda tyre tharmin e tre qytetërimeve të mëdha. Fatkeqësia jonë qëndron në atë se ende nuk kemi ditur të përftojmë unitetin e këtij diversiteti, çka mendojmë se mund të realizohet vetëm nëpërmjet frymës evropiane. Pra, nuk jemi për konfliktin e qytetërimeve, por për zhvillimin e vlerave të tyre ashtu që ato të bëhen sa më të hapur ndaj njeri-tjetrit. Dhe mendojmë se kjo është plotësisht e mundur pasi universalja, si potencialitet, ekziston në çdo kulturë. Dikush mund të thotë se kjo është një ëndërr e bukur, por e paarritshme. Gjithsesi ka një mjet shumë efikas për të punuar në këtë drejtim. Ky mjet është përpjekja për t'i zëvendësuar identitetet e rrejshme kolektiveme identitetin individual të njeriut të ditur. Ne jemi të bindur se elita shqiptare, ajo serbe, ajo turke, ajo greke apo ajo evropiane kuptohen shumë mirë me njëratjetrën, ndonëse secila ka identitetin e vet. Kjo vjen ngase tek ata është më e zhvilluar fryma e dialogut dhe mirëkuptimit ndaj kulturave të tjera, kapja e thelbit racional të tyre që përkon me thelbet universale të natyrës njerëzore. Çdo përpjekje për t u bërë evropianë, e ndryshme nga kjo, mendojmë se do të ishte një identitet i rrejshëm evropian. Epërsia e qytetërimit evropian qëndron në atë se ai është më i hapur ndaj qytetërimeve të tjera, më krijues dhe më vetëkritik. Mund të shtojmë gjithashtu, për të karakterizuar frymën evropiane, se atë nuk e përbën vetëm pluraliteti, por dialogu i pluralitetit; se ajo nuk konsiston thjeshtë në përftimin e të resë si e tillë, por në antagonizmin e të vjetrës me të renë. Pra, në qendër të identitetit kulturor evropian ne gjejmë dialogun, i cili e ka bërë atë gjithëherë krijues. Mendojmë se vetëm një kulturë e tillë e bën njeriun më të hapur, më krijues dhe më vetëkritik, prandaj dhe më të ditur, prandaj dhe më të lirë.

Nën këtë frymë synojmë të punojmë në përpjekjen modeste për të dhënë një kontribut për ngjizjen e identitetit kulturor shqiptar. Synojmë pikërisht që revista Përpjekja të jetë një ndërmundet e shumta, që duhet të bëjnë shqiptarët, për të shtuar tribunat ku elita kulturore shqiptarë të mund të shprehë veten dhe, nëpërmjet kësaj, të luajnë atë rol që duhet të luajnë elitat kulturore të çdo kombi në përcaktimin dhe zhvillimin e identitetit kulturor, në krijimin e ideve si dhe në orientimin e opinionit publik drejt një kulture më të hapur, më krijuese dhe më vetëkritike. Nën këtë frymë mendojmë se devizës së revistës sonë do t i shkonte më shumë se çdo tjetër thënia latine: Fac sapias et liber eris. (Bëhu i ditur të jesh i lrë.)

Kur themi se në jemi në proçesin e ripërcaktimit të identitetit tonë, e mendojmë këtë:
- si një rikthim dhe riinterpretim të disa vlerave të harruara që janë ngjizur në frymën evropiane;
- si një rizbulim të vlerave të së kaluarës të cilave izolimi 50 vjeçar u mbylli dyert pikërisht sepse kishin këtë frymë (këtu mendojmë se një vend të rëndësishëm duhet të zenë edhe ata autorë të huaj të cilët janë marrë dhe kanë bërë studime rreth kulturës dhe historisë shqiptare.);
- si krijim vlerash të reja në këtë frymë;
- si përzgjedhje të asaj pjese të kulturës evropiane që i shërben këtij qëllimi.

Nuk mund të pretendojmë se do t i japim ngjyrën dhe fizionominë këtij identiteti të ri. Ne synojmë vetëm të jemi në koherencë me frymën që përcaktuam. Do të përpiqemi, gjithashtu, në një farë mënyre, të rimarrim frymën e revistës Përpjekja Shqiptare të Branko Merxhanit të botuar në vitet 1936-1939, e cila në thebin e saj na duket se ishte përpjekja e vendosjes së një ure midis Shqipërisë së prapambetur anadollake dhe Evropës. Mendojmë që revistën tonë ta quajmë thjeshtë Përpjekja për të shmangur një frymë nacionalizmi romatik që i jep epiteti shqiptare si dhe për të theksuar disi më shumë tek ideja e përpjekjes mundin individual.

Emri nuk tingëllon shumë poetik, por na duket se ngërthen në vetvete forcën, durimin dhemodestinë, që na duken aq të nevojshme në punën e proçesit të gjatë e të mundimshëm të përftimit të identitetit të ri qytetërues mbarëkomtëtar. Kjo revistë do të shprehë gjthashtu përpjekjen e botuesit dhe të bashkëpunëtorëve për të ngjallur në zemrat edhe mendjet e shqiptarëve, pak më shumë mendim, dashuri, dhimbje, shqetësim për kulturë në përgjithësi dhe ca më shumë kurajo ideale. Kulturën e një vëndi e shohim si pasuri e të gjithëve, prandaj synojmë të tërheqim bashkëpunimin e tërë atyre që mund t'i sjellin diçka në këtë kahe kulturës shqiptare. Koherencën e revistës, përveç ruajtjes së kësaj kahjeje, mendojmë ta ruajmë duke u përkujdesur vazhdimisht edhe për dy gjëra: e para për cilësinë intelektuale të shkrimeve; e dyta, atje ku do të rrihen probleme ku mendimet mund të jenë kontradiktore, të përzgjedhim dhe pranojmë ato shkrime që do të jenë të hapur dhe mirëkuptues ndaj të tjerëve.

Më së fundi duam të shtojmë se synojmë gjithashtu që ajo të jetë një urë komunikimi mes elitës intelektuale dhe asaj politike shqiptare.

Më tepër në këtë kategori: Ende në liri të kërcënuar »