Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Enjte, 18 Pri 2024
E Shtunë, 08 Tetor 2011 20:40

Katërqind vjet letratyre shqipe

Një zonjushë fisnike më pyeti, më parë se te filloja këto mësime hyrëse mbi historigrafinë e letratyrës shqipe, a gjendet sot në shitje një histori italishte e kësaj letratyre. Jam i lumtur t i pergjigjem kësaj zonjushe se më së fundi kemi edhe

italisht në treg një histori të tillë, e thom jam i lumtur, pse sa herë që ju më kini pyetur a gjënden në shitje libra mësimi për shqipen, si gramatika këndime, fjalorë etj., unë mjerisht kam qënë gjithnjë i shtrënguar t ju përgjigjem negativisht. Këtë libër të rrallë ia detyrojmë një studiuesi të thellë e të njohur të kësaj letratyre, due të them prof. Zef Schiro-it J., i cili, siç e tregon emëri, ësht edhe ai arbëresh (1). Po kritika zyrtare sipas mendimit tim, nuk ka qënë aq e butë dhe e paanëshme me këtë botim. Përpiluesat e Historisë së Letersisë Shqipe të Universitetit të Tiranës - Histori mbi të cilën do të flasim gjatë më posht - në v.I f.XXVI e kanë qërtuar Schironë pikësëpari se gjykimet e tija, si pas atyre, janë shpesh të përcipta dhe të nxituara, idealiste dhe subjektive,me fjalë të përgjithshme dhe pa argumentime ; së dyti, pse aty nuk bëhen perpjekje për të vënë në dukje domethënien shoqërore të veprave, edhe pse, herë pas here, autori flet për karakterin patriotik të letërsisë sonë... ; dhe së treti, pse ai e permend letërsinë shqipe të realizmit socialist sa per të shkuar rradhen në pak vija...

 

Për sa u perket dy vrejtevet të para, d.m.th.aty ku flitet për gjykime idealiste e subjektive dhe domethënie shoqërore të vepravet, këto do t'i rrahim së bashku më tutje. Un, përkundrazi, kam patur përshtypjen se mungon në këtë Histori një pamje e përgjithshme e përpiktë e zhvillimit historik të letërsisë shqipe. Kjo mungesë bije në sy pikërisht në rolin dhe vendin që i ka caktuar Schiro-i secilit prej shkrimtarëvet tanë, gjë që ndofta mund të rrjedhë edhe prej preferencavet letrare të autorit. Kështu shohim, p.sh., se Çajupit i është kushtuar po a jo një faqe, ca më pak Konicës, pa venë në dukje rëndësine e pamatshme të këtij autori në zhvillimin e letratyrës shqipe gjatë dhe pas Rilindjes; vetëm një gjysëm faqe kolosit Fan Nol dhe një gjysëm faqe poetit lirik modern nga më të mëdhenjtë që kanë pasur gjer më sot Shqiptarët, Lasgushit. Lumo Skendua as që është përmendur.