Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 19 Pri 2024
E Dielë, 09 Tetor 2011 08:38

Evropa e ngurtë e Kadaresë

Në këtë artikull përdorim konceptet modernitet i ngurtë dhe modernitet i lëngët të sociologut Zygmunt Bauman për të analizuar dhe kritikuar përdorimin identitar të Evropës prej Ismail Kadaresë, në tekstet Koncert në fund të dimrit (Kadare, 1988) dhe Identiteti evropian i shqiptarëve (Kadare, 2006). Argumenti ynë është se Evropa përdoret prej Kadaresë për të përforcuar iluzionin e një identiteti të ngurtë dhe të pandryshueshëm të shqiptarit, brenda kuadrit të ndërtimit të shtetit dhe shoqërisë moderne shqiptare gjatë komunizmit dhe paskomunizmit.

Artikulli ndahet në disa pjesë. Në pjesën e parë paraqesim analizën që Baumani i bën kulturës së modernitetit me tendencat e saj homogjenizuese që përjashtojnë të huajin . Në pjesën e dytë skicojmë përfytyrime të Evropës në kohë të ndryshme dhe për periudhën bashkëkohore përvijojmë dy tendenca: njëra që synon drejt një identiteti të ngurtë evropian, me një thelb të përcaktuar qartë që e mban larg të huajin dhe tendenca e dytë e Evropës së mikpritjes dhe dialogut të vazhdueshëm mes kulturave të ndryshme. Në pjesën e tretë argumentojmë se përfytyrimet mbi Evropën dhe evropianitetin e shqiptarëve që gjenden në dy tekste të Kadaresë, të shkruara gjatë sistemeve të ndryshme politike dhe shoqërore, i përkasin tendencës së parë. Duke menduar se tendenca e dytë e identitetit evropian është ajo që nevojitet në realitetet globale të sotme dhe se i përgjigjet më mirë dëshirës për paqe, mirëkuptim dhe respekt midis kulturave, që ishte në rrënjë të idesë së Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, në përfundim të kësaj pjese, i mëshojmë idesë së një Evrope shumëkulturore dhe të hapur ndaj të huajit.