Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 19 Pri 2024
E Dielë, 09 Tetor 2011 08:50

Esenca jonë identitare dhe kanibalizmi kulturor

Para pak kohësh, në zgjedhjet lokale që u bënë në Angli, së bashku me humbjen e rëndë të Blair-it, ra në sy edhe një fenomen më anësor, por që u komentua jo pak në shtypin botëror: rritja e partisë së ekstremit të djathtë British National Party që është partia raciste.

Ndonëse, pakrahasimisht më e dobët se partia e Le Painit në Francë, për shkak të traditave të Britanisë së Madhe, që e kanë bërë atë një vend shumë më multikulturor e shumë më të hapur ndaj tjetrit sesa Franca, përsëri rritja e kësaj partie pati jehonë. Duke i shkruar për këtë fenomen një mikut tim anglez, në shkëmbimet me email më erdhi prej tij një e dhënë vërtet befasuese. Pasi më konfirmoi se kjo nuk është assesi një parti me peshën e asaj të Le Painit, ai më solli një fakt që i kishte bërë përshtypje edhe atij si njohës dhe dashamirës i shqiptarëve. Më shkruante se në lagjen fqinje të tij në Londër, ku gazetarët kishin shkuar e kishin bërë hulumtime, sepse atje banonin shumë emigrantë, votues të British National Party të intervistuar në gazetë kishin thënë se nuk kishin asgjë kundër zezakëve, por e kishin me shqiptarët (që atje i njohin si kosovarë, por ne e dimë se shpesh pretendimi se janë kosovarë është përdorur edhe nga shumë shqiptarë të Shqipërisë për të fituar azil atje). Nuk mund të mos më kujtohej ky fakt duke ndjekur polemikën e nxehtë mbi identitetin e shqiptarëve, që filloi me atë të Qoses ndaj Kadaresë dhe u pasua e po pasohet nga një numër jo i vogël komentesh e debatesh.

 

Pse m'u kujtua pikërisht ky fakt? Sepse në tërë atë çka po thuhet e shkruhet për identitetin e shqiptarëve nuk mund të mos shquash si shtysë kryesore aspiratën për të qenë evropianë, dhe sepse polemikën, në këtë kontekst, e ka nxitur idea kadarejane se identiteti i krishterë i shqiptarëve është një vlerë në këtë projekt, kurse ai mysliman një antivlerë - çka pastaj çon nga ideja se bëjmë mirë ta theksojmë atë të parin dhe ta zbehim sa të mundim atë të dytin, deri në atë të zhdukjes fare të këtij të dytit. Nuk mund të mos më kujtohej, po ashtu, se pikërisht në Britani Presidenti ynëMoisiu mbajti një fjalim për t i dhënë një dorë këtij projekti duke thënë atje, midis të tjerash, se: « Shpesh shqiptarët quhen një popull musliman, ose me shumicë muslimane. Ky është një lexim shumë sipërfaqësor i realitetit shqiptar. Së pari, sepse islamizmi në Shqipëri nuk është fe burimore, as fe e përhapur në kohën e origjinës, as besim rezidencial, por një dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli. Islamizmi në Shqipëri është një islam me fytyrë europiane.