Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Thursday, 18 Apr 2024
Sunday, 09 October 2011 19:10

Një shtypje e njerëzishme

Bernar Noël poet dhe romancier i avangardës Franceze ka lindur në 1930. Konsiderohet poeti i trupit, i përbrëndësisë së tij, i turbullirave dhe emocioneve të tij. Pa dyshin është shpirti ai që ndyn trupin thotë Noël.Ndër veprat e tij përmendim

"Extrais du Corps"; "la Face de
silence"; "A vif enfin la nui"; "Une messe blanche"; "Château de Cène"; "le Livre de Coline"; "l Eté languemorte"; "Souvenirs du Pâle"; "la Chute d Icare" etj.

Cili jam unë? është pyetja që shtron Noël pothuajse në të gjitha veprat e tij që zgjatet në pyetjet Cili jam unë kur flas? Cili jam unë kur dëgjoj? ... Mirëpo "uni", sipas tij, nuk arrin gjë nga ky kërkim nëpërmjet fjalëve sepse ai e gjen veten në konflikt me kodifikimin e gjuhës. Pra, uni, duke kërkuar të shprehet nëpërmjet fjalës nuk është më trupi që flet për të zbuluar të vërtetën e tij, por një gjë e uritur për fjalë, që përfundon nën pushtetin e fjalës. (La Face de silence). Çdo fjalë është një gjuhë e Tjetrit dhe formulimi i saj s'është tjetër veçse shenja e përshtatjes së një trupi të veçantë me trupin shoqëror. Prandaj dhe në tekstet e Noël-it gjejmë vazhdimisht trupin dhe fjalën që kërkojnë njëri-tjetrin, që kompletojnë njëri-tjetrin, që ndeshen me njëri tjetrin. Pjesë e këtij kërkimi është edhe erotizmi, që gjendet shpesh në veprën e tij, pasi, sipas tij, letërsia erotike është ajo që e thotë trupin, që bën të dukëshme brendësinë e tij. Sipas shkrimtarit fjalët janë të vonuara në raport me sytë. Tek shikimi Uni dhe Tjetri shkrihen. Prandaj tek Noëli gjejmë vazhdimisht një fantazme shumë të shtrenjtë për të, seksin që gjatë skenës erotike bëhet sy, bëhet shenjë shkëmbimi e dy brendësive. Të thuash, të shkruash, sipas Noëlit nuk do të thotë të fiksosh dije; do të thotë të kërkosh pa mundur të arrish, ta jetosh trupin pa mundur ta njohësh. T'u japësh gjërave një emër do të thotë në një farë mënyre të pranosh pamundësinë për t'u dhënë atyre jetë. E vërteta mbetet midis rreshtave, jashtë të shkruarës, tek e pakapshmja...
Kjo është me dy fjalë thelbi i veprës së Noëlit. Kuptohet se sa i ndjeshëm do të jetë ndaj medias, ndaj prirjes së saj simplifikuese dhe standartizuese ky poet, i cili në tërë veprën e tij tenton të hyjë aq thellë, të rrokë të parrokëshmen, misterin ku artikulohet trupi dhe shpirti. Artikulli i mëposhtëm trajton pikërisht qëndrimin e Noëlit ndaj kulturës së medias. Ai iu dërgua revistës sonë, ku botohet për herë të parë, nga miku i poetit dhe miku ynë Ton Vink, i cili organizon sivjet në Die të Francës Festivalin e Kulturës shqiptare.