Revista PERPJEKJA

LOADING
PREV
NEXT
http://revistaperpjekja.org/components/com_gk3_photoslide/thumbs_big/333134Banner_.png

Fac sapias et liber eris

  Bëhu i ditur që të jesh i lirë

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Displaying items by tag: Editoriale
E Enjte, 23 Nën 2017

Kultura shqiptare dhe peshqit pilot

E Martë, 11 Dhjetor 2012 20:14 Publikuar në Nr. 7

Për frymën kritike

E Martë, 11 Dhjetor 2012 19:45 Publikuar në Nr. 2

Mbi dashurinë për atdheun

E Hënë, 10 Dhjetor 2012 10:21 Publikuar në Nr. 5

 

 

Editorial: Pse ky numër mbi Skënderbeun

E Martë, 28 Gusht 2012 17:55 Publikuar në Nr. 28-29

Ideja e botimit të këtij numri të Përpjekjes me titull “Skënderbeu i kërkimit shkencor” na lindi pas reagimeve që pasuan në Shqipëri daljen e monografisë “Skënderbeu” të Oliver Jens Schmitt, përkthyer nga Ardian Klosi dhe botuar në Tiranë më 2008 nga Shtëpia Botuese “K&B”.

Një valë akuzash u ngrit kundër autorit, prej një numëri të madh polemizuesish, ndër të cilët edhe firma të njohura specialistësh të fushës, autorësh të letrave shqipe, politikanësh të rangjeve më të larta, ku ndër më të spikaturit përmendim historianin Kristo Frashëri, shkrimtarin Ismail Kadare, Presidentin e Republikës Bamir Topi. Akuzat silleshin  kryesisht rreth temës se Schmitt është antishqiptar, gati gati sikur ai të bëjë pjesë në një konspiracion për të na “marrë”, “rrëzuar”, “dhënë serbëve” Skënderbeun, dhe se ka punuar për arritjen e këtij “misioni” nëpërmjet deformimit të historisë së heroit, të origjinës së tij dhe motiveve të kryengritjes së tij.

Na duket e vështirë të ndajmë akuzat që kanë ardhur nga specialistët e fushës prej reagimeve vulgare të shkruesve të ndryshëm nëpër faqet e internetit, që herë herë degraduan deri në kërcënime me jetë të autorit, pasi na duket se ushqehen nga e njëjta frymë nacionalizmi që po gjen një terren të shtruar në Shqipërinë e sotme e për të cilën përgjegjësia kryesore, sipas nesh, bije mbi elitën kulturore dhe politike në vend.

Në analizën tonë janë të shumtë faktorët që shpjegojnë shtrimin e këtij terreni nacionalist. Një aspekt të veçantë meriton kriza e fortë identitare që përjetoi shoqëria shqiptare pas rënies së komunizmit. Gjatë kësaj krize nacionalizmi  – ashtu si edhe në vendet e ish Jugosllavisë – mbeti dega “e shëndoshë” e ideologjisë nacional – komuniste (“socializmi patriotik” e quanin në ish Jugosllavi) që kishte manipuluar masat për thuajse gjysëm shekulli, çprej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në këta vende. Kjo degë njohu  një lulëzim agresiv, ushqyer edhe me synimin e mbarimit të procesit të ndërtimit të shtetit etnik, i konsideruar i ndërprerë gjatë periudhës komuniste. Ky fenomen duhet parë i lidhur ngushtë edhe me faktin se legjitimiteti i elitës shkencore e politike që ka drejtuar e drejton ende vendin vinte prej jetës dhe veprës në të shkuarën, çka e bënte atë dy herë agresive në mbrojtje të pushtetit të saj politik dhe kulturor. Do të veçonim, po ashtu, si faktor të këtyre reagimeve anakronike nacionaliste, edhe rënien e madhe të nivelit të arsimimit në Shqipërinë e pas viteve 90 në kushtet e një eksodi masiv të shqiptarëve, të një rrjedhjeje dramatike të trurit dhe të një kulture konsumizmi që rëndon tejet mbi nivelin e shkollave e të universiteteve brenda vendit. Edhe kjo ka ndikuar jo pak që shoqëria shqiptare, e izoluar dhe manipuluar për gjysëm shekulli nga propaganda dhe kultura nacional – komuniste, të ndjehej e paaftë, prandaj dhe e frustruar, përballë shock-ut kulturor të takimit me vlerat dhe metodologjinë shkencore që u zhvillua në Perëndim veçanërisht pas Luftës së Dytë botërore - çka e tregon edhe ballafaqimi me librin e Schmitt-it.

Polemikat e specialistëve të fushës ndaj Skënderbeut të Schmitt-it, ashtu sikurse edhe ato të ndërhyrësve të shumtë në faqet e ndryshme të internetit, treguan se historiografia, dhe në tërësi shkenca e quajtur “albanologjike”, trajtohen ende nga pjesa dërrmuese e studiuesve shqiptarë, e thuajse nga të gjithë ata që punojnë në institucionet shtetërore, të tilla si Akademia apo Institute të ndryshme, si instrumente në shërbim të ndërtimit të kombit dhe të krenarisë kombëtare dhe jo si instrumente të kërkimit të mirëfilltë shkencor. Ato treguan gjithashtu për një izolim dhe vetëizolim të studiuesve shqiptarë nga arritjet dhe metodologjitë e reja shkencore të shkencës së historisë.
Në këto kushte, në vazhdën e botimeve të numrave të Përpjekjes që kanë si moto futjen e frymës kritike në kulturën shqiptare dhe hapjen e kësaj kulture ndaj kulturave të tjera, menduam të botojmë këtë numër për Skënderbeun, ku më një anë t’i bëhet kritika një historiografie shqiptare skajshmërisht të ideologjizuar dhe, më anë tjetër, të hidhet dritë mbi kontribute shkencore që e sjellin më afër kohës së tij Skënderbeun.

Në pjesën e parë të këtij numri jemi marrë me debatin e provokuar nga botimi i librit të Oliver Jens Schmitt. Shkrimi i parë, ai i historianit gjerman Michael Schmidt Neke, na jep një pasqyrë përmbledhëse të temave kryesore që inspiruan polemikat e ashpra ndaj Schmitt-it. Shkrimet e Artan Putos dhe Fatos Lubonjës shprehin qëndrimin e Përpjekjes në debatin në fjalë. Kjo pjesë mbyllet me një intervistë ekskluzive për Përpjekjen të Oliver Jens Schmitt-it në të cilën autori i monografisë së Skëndebeut, veç të tjerave, shtjellon argumente edhe rreth temave më të nxehta që ka provokuar libri i tij.

Në pjesën e dytë të numrit kemi përfshirë një numër esesh dhe studimesh kritike të autorëve shqiptarë e të huaj rreth aspekteve të ndryshme të mitit të Skënderbeut  në jetën dhe veprën e shqiptarëve. Enis Sulstarova merret me “mashkulloritetin” apo “burrërinë” si tipar i nacionalizmit shqiptar, i brumosur ky veçanërisht nëpërmjet figurës së Skënderbeut, çka ai e ve në dukje duke marrë në analizë poemën e Naim Frashërit Istori e Skënderbeut. Ervin Hatibi tregon, duke ironizuar, luftën ideologjike të shqiptarëve për sheshin Skënderbej ku ndodhet shtatorja e heroit kombëtar. Nicole Nixon, që, duke cituar Jane Sugerman, e quan këtë shtatore një “formë të pacipë të maçizmit nacionalist”, merret me ripërpunimin ideologjik të mitit të Skënderbeut në kohën e sotme në funksion të afirmimit evropian të shqiptarëve. Ajo argumenton se shfrytëzimi i mitit të Skënderbeut për t’i paraqitur shqiptarët si “always already European” (ngaherë e tashmë evropianë) nuk është “kredenciali” i duhur për anëtarësimin në BE pasi, duke qenë larg frymës së kohës së sotme, ka gjasa që kjo qasje të kontribuojë, ironikisht, në ekzoticizimin e vendit. Doan Dani i bën një analizë kritike librit të Aurel Plasarit Skënderbeu: një histori politike (Botuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve, 2011). Ai shtjellon argumentet e tij se pse ky nuk është një libër historik i çliruar nga darët e ideologjizimit të vjetër dhe të ri, duke ngritur pikëpyetje serioze për atë se sa janë të afta elitat shqiptare për një konceptim mirëfilli shkencor të historiografisë.

Në pjesën e tretë kemi sjellë specialistë të fushës, historianë që janë marrë me epokën dhe figurën e Skënderbeut. Jemi interesuar veçanërisht të sjellim zërin e historianëve modernë turq. Halil Inalcyìk, specialist i njohur i historisë osmane, që njihet si historiani me serioz turk që është marrë me Skënderbeun, na sjell në shkrimin e tij, nëpërmjet dokumentesh, kohën kur lindi kryengritja. Feridun M. Emecan, gjithë duke mbajtur qëndrim kritik ndaj manipulimit ideologjik nacionalist të historisë së Skënderbeut, si nga historiografia shqiptare ashtu dhe ajo turke, na kthen përpara kësaj kohe, në fillimet e kontakteve të shqiptarëve me osmanët/turqit. Oliver Jens Schmitt, me stilin e tij tashmë të njohur për lexuesin shqiptar, ku historia e kërkimit shkencor, e faktuar me referenca të panumërta, ruan edhe dramaticitetin e një rrëfimi thuajse letrar, të pasur me detaje që sjellin atmosferën e kohës, na sjell një Krujë të kohës së Skënderbeut dhe të pas vdekjes së heroit, deri në rënien e qytetit përfundimisht në duart e osmanëve, të ndryshme nga ajo që është rrënjosur në imagjinatën e shqiptarëve nga historiografia dhe letërsia nacional – komuniste.

Gjithashtu, në këtë kapitull, vijnë  në shqip materiale që kanë të bëjnë me mënyrën se si e ka parë historiografia dhe letërsia turke, greke, sllave Skënderbeun. Ata na tërheqin vëmendjen, veç të tjerash, për atë se historia jonë nuk mund të shihet e izoluar nga konteksti më i gjerë ballkanik në të cilin është zhvilluar, sikurse jemi mësuar ta shohim deri më sot për shkak të izolimit të gjatë kulturor, që fatkeqësisht vazhdon. Historiani Bülent Bilmez jep një pasqyrë të literaturës turke mbi Skënderbeun, duke arritur në përfundimin se, përsa i përket kërkimin serioz shkencor, me përjashtime të pakta – ku hyjnë dy autorët e sipër përmendur Inalcyìk dhe Emecan – ajo vlen pako gjë. Ndërkaq shkrimi i Titos P. JochalasTitos P. Jochalas na jep një pasqyrë të bibliografisë së Skënderbeut në historiografinë dhe letërsinë greke duke nxjerrë në pah se si figura e tij si hero anti-osman, është përdorur, edhe përpara se të përdorej nga nacionalizmi shqiptar, nga lëvizja nacionaliste greke për të çliruar Epirin që ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane në shek. XIX, madje, në më të shpeshtën, edhe duke i veshur atij origjinë greke. Pandeli Pani na jep një pasqyrë të Skënderbeut në letërsinë e sllavëve të jugut tek e cila na tërheq vëmendjen, veç të tjerash, fakti se si në një periudhë të parë lëvizjet nacionaliste të shekullit XIX në popujt e ballkanit  kanë qenë shumë më afër njëra tjetrës për shkak të synimit të përbashkët dhe se si Skënderbeu në këtë kontekst shihej si hero edhe i sllavëve të jugut edhe i shqiptarëve.

Numri mbyllet me një studim kritik të Elio Miraccos  i cili ka ballafaquar botimin e parë të romanit Kështjella të shkrimtarit Ismail Kadare më 1972, që ka për subjekt rezistencën e Skënderbeut, me botimin e pas viteve ‘90 duke vënë në dukje se si autori është përpjekur të fshijë, deri nëpërmjet ndryshimeve leksikore, metaforën e Shqipërisë “kështjellë ndaj imperializmit dhe social-imperializmit” të botimit të parë në funksion të një metafore të re, që gjejmë tek i dyti.

Shpresojmë se ky numër do të jetë një kontribut për zhvillimin si të mendimit kritik që di të ndajë mitin dhe nevojën për mite nga historia - kusht ky i domosdoshëm i njohjes si rrugë drejt lirisë - ashtu edhe për të pasuruar historiografinë tonë me studime të mirëfillta shkencore.

Shtatorja e Nolit, kioskat dhe monumentalizmi shqiptar

E Shtunë, 05 Nëntor 2011 16:08 Publikuar në Nr. 8

(Edhe një herë për frymën kritike)

Pas botimit të numrit shtatë të Përpjekjes tek një kategori lexuesish janë shtuar disa vërejtjeve dhe pakënaqësi të shprehura prej tyre qysh me daljen e numrave të saj të parë. Disa prej tyre me dashamirësi, disa me cinizëm dhe disa deri edhe me armiqësi janë shprehur se revista ka një frymë nihilizmi pa cak, se
mohon ose përçmon vlerat e së kaluarës, se denigron mjaft figura me të cilat gati-gati identifikohet kombi,
se, duke e lexuar atë, të kap dëshpërimi... Ka edhe nga ata që e kanë quajtur antishqiptare, pasi në
faqet e saj bashkëkombasit na u paraqitkan nën dritën më të keqe...

Përpara se t'u japim përgjigje këtyre kritikave le të tregojmë një nga bëmat e fundit që ka ndodhur në kryeqytetin tonë, jo për të justifikuar në mënyrë banale kritikat e Përpjekjes ndaj shqiptarëve, por pasi mendojmë se kemi të bëjmë me një ngjarje tepër kuptimplotë, që, duke e karakterizuar par excellence 
kohën që po jetojmë, do të na ndihmojë të jemi shumë më të qartë në shtjellimin e argumentave tanë.

Para disa kohësh parlamenti shqiptar kishte marrë vendim që në një nga sheshet e parkut para godinës së tij të vendosej shtatorja e Nolit. U caktua edhe vendi nga Bashkia, ndërkohë që skulptorët filluan punën e thadrimit. Shtatorja më në fund mbaroi, mirëpo ç'ndodhi, kur erdhi koha për ta vendosur, doli se tek
vendi i paracaktuar nga Bashkia na kishte mbirë një kioskë. Mësuam se deri më sot alarmet e mbrojtësve të shtatores prej bronxi kanë qenë të pafuqishme përpara mbrojtësve të ngrehinës me hekur dhe plasmas dhe, si rezultat, Noli vazhdon të dergjet në një depo.
 Besojmë se na lejohet ta quajmë shtatoren që do të vendosej aty simbol të historisë shqiptare, të përpjekjeve kulturore të shqiptarëve dhe të aspiratave të tyre demokratike. Po për kioskën çfarë mund të 
themi? Edhe kioska që triumfoi mbi shtatoren është një simbol. Dikush mund të rrudhë buzët e të thotë, 
Ç'lidhje ka kioska me simbolet? Simboli është diçka që vihet në vende të veçanta kurse kioskat i sheh në
çdo cep e shesh të kryeqytetit. Por nuk është ashtu. Shqiptarët, kur ndërtonin bunkerët ndoshta nuk e kuptonin se po ndërtonin thelbin e Shqipërisë së asaj kohe: simbolin e ksenofobisë, paranojës, kompleksit
të inferioritetit. Edhe kioskat parqezaptuese janë simboli më domethënës i Shqipërisë së sotme: ato janë simbol i barbarisë së re shqiptare, i frymës që përçon ajo mori bashkëkombasish që jetojnë pa histori, pa
kulturë, pa vizione dhe aspirata për të ardhmen, pa frymë komuniteti; i atyre gjallonjësve që jetojnë 
vetëm duke mbllaçitur të tashmen, me dhëmbët gati për të shqyer çdo lloj bisku të gjelbër që mbin mbi tokë pasi nuk janë në gjendje të përfytyrojnë se ai duhet lënë të bëhet pemë. Përsiatjet e Përpjekjes lidhur me kritikat e lartpërmendura do t'i shtjellojmë në kontekstin e luftës midis këtyre dy simboleve, shtatores dhe kioskës.

Në një artikull me titull "Mbi dobinë dhe të keqen e historisë për jetën" Niçja flet për tre mënyra vështrimi të historisë, që burojnë nga tre karakteristika të natyrës njerëzore: njeriu si qënie aktive dhe me aspirata; njeriu si qënie që ruan dhe nderon dhe, së fundi, njeriu si qënie që vuan dhe ndjen nevojën të çlirohet Nisur nga këto tre karakteristika, njeriu ka tre mënyra të vështruari të historisë, atë monumentale, atë antikuare  dhe atë kritike.
 Të vështrosh historinë në mënyrë monumentale, sipas Niçes, do të thotë që momentet e mëdhenj të luftës së individëve në histori t'i shohësh si një zinxhir majash të larta që të frymëzojnë, të mësojnë dhe të ngushëllojnë në jetën tënde të së tashmes. Ta shikosh historinë në mënyrë antikuare do të thotë t i shikosh rrënjët nga ke dalë me dashuri, nderim dhe mirënjohje. Deri këtu, me një vështrim të përciptë, kritikët tanë mund të thonë: Ja ku po i formuloni vetë ato çka i mungojnë Përpjekjes. Mirëpo ata harrojnë se Përpjekja, me vetëdije dhe duke u shprehur haptazi, i ka lënë në plan të dytë këto dy vështrime të historisë dhe jetës shqiptare në favor të vështrimit kritik. Megjithatë duam të vemë në dukje se edhe vështrimi monumental edhe ai antikuar nuk është bërë në Shqipëri ashtu siç e kërkon Niçja, që t'i shërbejnë të tashmes, jetës. Kjo pasi shpesh monumentet e ngritur kanë qenë të rrejshëm apo të stërfryrë, ngase vepra e tyre nuk është trajtuar dhe bërë e njohur ashtu si duhet, apo ngase ata janë shpërdoruar dhe zhvleftësuar në gojën e matrapazëve dhe mashtruesve politikë.

Përpara se të kalojmë tek vështrimi kritik niçean, që është dhe fryma mbizotëruese e Përpjekjes, duam të 
vemë në dukje së paku dy të këqija të mëdha të vështrimit monumental të historisë, i cili, ndonëse
 shpesh i rrejshëm, ka qenë, gjithsesi, mbizotërues në trajtimin që i kanë bërë dhe vazhdojnë t'i bëjnë 
shqiptarët të kaluarës së tyre:
 Së pari, shpesh shpirtrat mediokër dhe meskinë, të armatosur dhe korracuar me historinë monumentale,
 në vend që të frymëzohen prej saj, e përdorin atë kundër shpirtrave të fortë të së tashmes, kundër atyre individëve që janë të aftë të mësojnë nga ajo histori diçka të vërtetë, të dobishme për jetën, si dhe ta transformojnë atë që kanë njohur në diçka më të lartë. Duke hedhur vallen e idolatrisë servile dhe 
miope rrotull një monumenti, ata bërtasin: Nuk lejojmë të na e prekë kush figurën tonë kombëtare, artistin, shkencëtarin, shkrimtarin e madh... , por në fakt s'bëjnë tjetër veçse mbrojnë strehën e paaftësisë, meskinitetit dhe inferioritetit të tyre.

Së dyti, monumentalizmi e ka dëmtuar shpesh vetë historinë, pasi ka ndikuar të lihen jashtë saj, të harrohen apo përçmohen pjesë të tëra të saj, që mund të jenë tepër të rëndësishme për të kuptuar të kaluarën dhe të tashmen e një populli. Si shembull le të përmendim vetëm vakumin 500 vjeçar të historisë së shqiptarëve nën perandorinë osmane. Përsa i përket sensit antikuar, mund të themi se ai nuk ka qenë i zhvilluar tek shqiptarët në formën e ruajtjes me dashuri dhe kujdes të objekteve të së kaluarës, siç e gjejmë sot në Evropë. Megjithatë, në një farë mënyre, ai ka ekzistuar i përzier me vështrimin monumental, shpesh, jo për ta ruajtur, gjallëruar e ushqyer jetën, por për ta mumifikuar atë. [Urrej çdo
gjë që vetëm më mëson, pa ma shtuar aktivitetin, apo pa ma ngjallur atë menjëherë. Gëte.]
 Sidoqoftë, ne të Përpjekjes, që e ndjekim me vemendje dhe interes të veçantë jetën kulturore shqiptare, vemë re se revista nuk ka arritur ta cënojë delirin momumental të shqiptarëve mediokër të rrezatuar
në median elektronike dhe të shkruar. Shqiptarët ende vazhdojnë të jetojnë me atë monumentalizmin e rrejshëm të trashëguar nga epoka nacional-komuniste kur e mendonin veten në qendër të botës, kur në çdo dy figura të shquara botërore njërin e gjenin me origjinë shqiptare, kur në historinë e tyre të përbashkët me turqit kërkonin vetëm vezirët dhe pashallarët, kur letërsinë e tyre e konsideronin më të mirën në Ballkan dhe aktorët e tyre më të mirët në Evropë...
 Nga ana tjetër është fakt që ky monumentalizëm nuk i ka frymëzuar dot shqiptarët për të ndërtuar me
pasion vendin e tyre dhe as për të ruajtur me dashuri vlerat e tyre. Shembulli me shtatoren e Nolit është një nga të panumërtit që mund të gjesh për të provuar dështimin dhe zbrazësinë e monumentalizmit shqiptar.

Kjo zbrazësi, sipas Përpjekjes, nuk rrjedh vetëm pse monumentalizmi dhe dashuria për të parët kanë qenë të rrejshëm apo pse janë keqpërdorur, por edhe pse shqiptarëve u ka munguar tërësisht vështrimi kritik i historisë së tyre. 
Atij që mjerimi i të sotmes i shtyp gjoksin e i merr frymën, atij që don ta flakë tej me çdo kusht këtë mjerim; atij i lind nevoja e një vështrimi kritik mbi historinë, domethënë e një vështrimi gjykues dhe dënues. thotë Niçja. Ky vështrim kritik i historisë shqiptare ka qenë shpesh mbizotërues tek Përpjekja.
 Çdo e kaluar ka punët e saj të ulëta prandaj meriton edhe të dënohet. Në më të shpeshtën e herëve në punët njerëzore, qoftë edhe të vendeve më të qytetëruara, ka dominuar dhuna dhe dobësia njerëzore. Në Shqipëri akoma më tepër. Përpjekja është nisur nga ideja se duke qenë rezultatat i brezave paraardhës ne jemi edhe rezultati i gabimeve të tyre, i pasioneve, keqkuptimeve, padijes dhe krimeve të tyre. Nuk kemi 
pretenduar ta veçojmë veten prej tyre. Nëse i kemi dënuar dhe kemi kërkuar të çlirohemi prej gabimeve, 
këtë e kemi bërë në emër të një të ardhmje më të mirë. Pa mohuar faktin se rrjedhim prej tyre, kemi synuar të arrijmë diçka që na duket e rëndësishme në rrugën drejt ndërtimit të një kulture tjetër shqiptare: të bëjmë dallimin midis asaj që kemi trashëguar dhe asaj që mësojmë e njohim përditë. Ndodh shpesh ta dish ç'është e mira pa arritur ta bësh atë; ta njohësh më të mirën pa mundur ta arrish atë.

Ndofta edhe Përpjekja shpesh ka mbetur në këtë stad, por ky nuk na duket një stad dekurajues, përkundrazi, nxitës. Qasja kritike ka mbizotëruar edhe në trajtimin që i ka bërë Përpjekja së tashmes social-kulturore shqiptare ashtu sikurse dhe politikës. Edhe kjo qasje burimin e ka tek vuajtja dhe nevoja për t'u çliruar. Nëse Përpjekja ka vajtuar e klithur këtë e ka bërë pasi nuk ka pasur zemër për të kënduar. Megjithatë mendojmë se prapa klithmave të saj shkatërruese është ndjerë gjithherë një instikt i fortë ndërtues, madje ka qenë vetë instikti ndërtues i autorëve të Përpjekjes që i ka lëshuar ato klithma. Vetë vazhdimi i ndërtimit të Përpjekjes e provon këtë. Po si mund të këndosh me entuziazëm kur sheh çdo ditë barbarët të të shkatërrojnë vendin, kur sheh se televizori i vetëm shqiptar nuk i hap vend mendimit alternativ jo vetëm në politikë, por edhe në kulturë, kur sheh se pushteti po rikthen me të shpejtë në vendet drejtuese të institucioneve kulturore elementët më konservatorë, përfaqësuesit tipikë të mediokritetit, servilizmit dhe burokracisë të epokës nacional-komuniste?
 Le të tregojmë përsëri një ngjarje të ndodhur vetëm pak ditë më parë.

Edi Rama, piktori, publicisti, shkrimtari, pedagogu luftarak i Akademisë së Arteve, që në vitin '90 e shndrroi sallën e saj në vendin e
parë të tubimeve antikomuniste të rinisë universitare, që ka punuar më shumë se kushdo që Akademia e Arteve të edukojë krijues të lirë dhe jo skllevër të traditave e të pushteteve, që gjatë këtyre pesë vjetëve u ka sjellë studentëve disa personalitete të artit dhe kritikës botërore, mes të cilëve edhe kritikun e njohur italian Akile Bonito Olivën, që jo vetëm ua ka sjellë, por shpesh ka bërë edhe përkthyesin gjatë 
leksioneve të tyre, u largua nga Akademija e Arteve. Ditën e largimit, në prani të dekanit, teksa kalonte 
nëpër rruginat e asaj Akademije për të cilën ka dhënë aq shumë, e shoqëruan sharjet dhe fyerjet banale të tre muaj, janë provë se Shqipëria ende ndjen, ende nuk është dorëzuar përfundimisht në duart e studentëve ngelës nga provinca.

Sot vëzhguesit e jetës shqiptare thonë se kur i pyet mbi të ardhmen e vendit pjesa më të madhe e të rriturve përgjigjen se ky vënd nuk bëhet; kurse pjesa më e madhe e të rinjve se duan të ikin në Perëndim... Ndërkaq të vegjëlit rriten në kopshtet dhe shkollat e zbrazëta e të shëmtuara që këta disfatistë i mbajnë të hapura deri sa t'u dalë ndonjë vizë për jashtë shtetit. Më tepër se kurrë në Shqipërinë e sotme ndjehet humbja e shpresës. Besojmë se këtë gjendje nuk e kanë krijuar 700 kopjet e Përpjekjes dhe as ay grusht intelektualësh që disa politikanë dhe intelektualë shqiptarë i akuzon si shkatërrues, denigrues etj etj.... por, paradoksalisht, pikërisht ata që bërtasin se Përpjekja po shkatërron vlerat. 
Këta janë:

- Demagogët, që e përdorin nacionalizmin për avantazhe meskine politike;

- Të indoktrinuarit, që ndjehen keq po u cënove disa simbole identiteti;

- Turma e të pavetëdijshmëve, që, ashtu si delet e Panyrgut, shkon pas të parëve;

- Ata që kanë frikë nga tre kategoritë e lartpërmendura.

Kjo luzmë është e paaftë t'i njohë e çmojë me të vërtetë vlerat. Kur i bijen në dorë, ajo u heq atyre shpirtin dhe jetën duke i tabuizuar, mumifikuar apo shpërdoruar. Padija dhe fanatizmi i tyre ndaj vlerave janë dy anë të së njëjtës medalje, dy ekstreme që puqen tek një pikë e vetme, antivlera. Për ta shtatorja e Nolit, si në depo si në piedestal, ka të njëjtën vlerë dhe gjithmonë më të vogël se një kioskë që u mbush atyre xhepat. Këto qënie monstruoze pa kokë dhe pa sy, por vetëm me gojë dhe xhepa, na dalin kudo përpara, duke na e trishtuar pamjen dhe duke na e kthyer këngën në britmë.

Përpjekja është e vetëdijshme se, ashtu si gjendja e përshkruar më lart ashtu edhe mëshimi vetëm tek gjykimet dhe kritikat rrezikon ta paralizojë instiktin e mbetur krijues të shqiptarëve, së bashku me gëzimin që çliron ai. Ajo është munduar t'i shmanget kësaj nëpërmjet përzgjedhjes për botim në faqet e saj të krijimeve dhe përkthimeve sa më cilësore, punës kultivuese me gjuhën shqipe, inkurajimit të të rinjve etj.. Në këtë numër po fillojmë edhe rubrikën "Ç'duhet bërë", ku ftojmë të sugjerohen ide pozitive. Ndërkaq,
 e përsërisim, nëse i jemi qasur me dëshpërim dhe revoltë historisë apo aktualitetit shqiptar, këtë e kemi bërë për t'u ngjallur njerëzve nevojën e çlirimit dhe ndryshimit dhe jo për t'i bërë ata ta braktisin punën krijuese apo vendin. Ne jemi të bindur se çdo lexues serioz, i kulturuar dhe patriot nuk do të gjejë te dëshpërimi dhe revolta e Përpjekjes disfatizëm dhe antishqiptarizëm, por mundin dhe kurajon intelektuale të atyre bashkëkombasve që e duan shoqërinë dhe kulturën shqiptare të qëndrojë me dinjitet në familjen evropiane.

Hyrje në përmbajtjen e këtij numri

E Hënë, 31 Tetor 2011 18:39 Publikuar në Nr. 26-27

Ky numër i revistës Përpjekja përshkruan dhe analizon emigrantët e pas 90-ës nga këndvështrime të ndryshme, jetët e tyre paralele, problemet e tyre të zanafillës, ato të sotmet, dhe ato që priten në të ardhmen.

Editorial: Filmi socrealist dhe qasja ndaj së shkuarës

E Martë, 25 Tetor 2011 15:12 Publikuar në Nr. 25

Kinematografia vlerësohej shumë, sepse konsiderohej si arma më e fuqishme e artit, shpesh citohej thënia e Leninit se kinemaja është artileria e rëndë e artit. (cituar nga Esat Musliu, regjisor dhe anëtar i bordit të Qendrës Kombëtare të Filmit). Duke lexuar esenë Kinematografia shqiptare midis nostalgjisë, groteskut dhe të ardhmes të autorëve Artan Puto dhe Eldon Gjikaj, botuar në këtë numër të Përpjekjes, më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë kjo metaforë e Leninit. Ajo na fton ta përfytyrojmë artin si një ushtri në të cilën kinematografia luan rolin më të fuqishëm, por edhe më shkatërrimtar: atë të artilerisë së rëndë. Ajo e fton imagjinatën tonë të përfytyrojë një bombardim rrënues mbi pozicionet e armikut dhe pastaj sulmin e kalorësve dhe këmbësorëve që e pushtojnë tokën armike dhe vendosin aty ligjet e tyre. Dhe duhet të përfytyrojmë se kjo tokë armike nuk është tjetër veçse shoqëria. E pastaj, duke e afruar edhe më objektivin, do të gjejmë se shënjestra e predhave është bash mendja e zemra e njerëzve që e përbëjnë atë.

A ka një kontradiktë vetë metafora? A mund të thuhet se mendja dhe zemra e njeriut pushtohet me dhunë? Apo çfarë roli ka arti? A ka ai një rol shkatërrues apo ndërtues? Apo bash tek përdorimi i një metafore të tillë duhet të gjejmë edhe një nga problemet më të mëdha të artit socrealist? Të gjitha këto pyetje të vijnë menjëherë ndërmend sapo ndeshesh me metaforën që ka udhëhequr frymën e artit socrealist për afro gjysëm shekulli në Shqipëri. Nuk mund të thuhet se arti nuk hyn fuqishëm në mendjen dhe shpirtin e njeriut. Mjafton të kesh parasysh konceptin aristotelian të katarsisit sipas të cilit spektatori (i një tragjedie) largon/pastron nga vetja tendencat brutale apo kriminale që flenë tek ai duke i parë ato të mimetizuara në skenë. Në fakt është e vështirë të përkufizohet arti dhe po aq e vështirë të përcaktohet edhe funksioni i tij. Ai është konsideruar edhe si idealizues i realitetit edhe si tregues i realitetit. Ai ka pretenduar edhe për autonomi të plotë nga politka (arti për art), por edhe për të qenë protagonist i revolucioneve. Po ashtu nuk mund ta hedhësh poshtë rolin e artit, si provokues i shoqërisë, si shkatërrues tabush. Kohët e fundit një artist gjerman ka shfaqur idenë që të vendosë në një muzeum një njeri që është duke vdekur në mënyrë që njerëzit të mund të vizitojnë dal vivo aktin e vdekjes. (Është në kërkim të pacientit që do t'ia pranonte këtë). Ata që e mbështesin e konsiderojnë këtë si një provokim ekstrem ndaj njërës prej tabuve më të fundit, aktit të vdekjes; por edhe si një akt i përthellimit të njohjes njerëzore. Prandaj kur të gjykojmë thënien e Leninit ndoshta duhet të jemi më të kujdesshëm ndaj prirjes që na vjen natyrshëm për ta përqeshur atë menjëherë. Në historinë e njerëzimit lidhja e artit me politikën më saktë me institucionet e pushtetit është e vjetër. Për shoqëritë politike arti ka qenë gjithnjë problem. Sepse është e njohur që, nëpërmjet fuqisë së tij, arti vepron mbi njerëzit duke i transformuar ata dhe shijet e tyre. Platoni duke dëbuar poetin nga qyteti (Republika) inauguron lidhjet midis artit dhe zakoneve të një shoqërie. Duke filluar që nga Rilindja e këtej shohim se kemi një lidhje edhe më të fortë midis pushtetit dhe artit. Shohim gjenitë të përdoren rëndom për të transmetuar imazhin e një pushteti njëherësh të rafinuar dhe të fuqishëm. Po me Ilurninizmin dhe Romanticizmin hyjmë në kohën kur Shileri e bën artin organin e çlirimit të epërm dhe artistin mësuesin dhe mjekun e qytetërimit. Duke ardhur në shekullin e XX shohim se, në kohën kur vdiq Lenini, Majakovski nuk kishte vrarë ende vetën, por glorifikonte revolucionin, Ejzenshtejni bënte Karrocata Potiomkin e shumë shkrimtarë e artistë si këta ende besonin se po luftonin për ndërtimin e një njeriu të ri në një botë të re. Kur analizojmë metaforën duhet, pra, të kemi parasysh se përhapja dhe lindja e kinematografisë përkon me kohën e lëvizjeve të mëdha të masave, kur njeriu, me besim tek arësyeja e tij dhe tek bashkimi në një masë të fuqishme, ndërtoi dy ideologji revolucionare me pasojat më katastrofike, nazizmin dhe komunizmin. Edhe arti si pjesë integrale e këtyre ideologjive shihej edhe si pjesë integrale e revolucionit. Madje dihet se kritika marksiste, duke e futur artistin në aksionin politik, e bashkon militantizmin edhe me revolucionin formal.
E megjithatë në tërë këtë histori të lidhjes së politikës me artin ajo e lidhjes së pushtetit totalitar me të ka veçoritë e veta, ato veçori që kanë bërë t u jepet emërtimi totalitarizëm këtyre diktaturave. Totalitarizmi dallohej për faktin se pushteti politik zotërohej ekskluzivisht nga një parti e vetme që ishte e armatosur me një ideologji që ishte e vërteta zyrtare e shtetit dhe së cilës i vishej një autoritet absolut. Partia-shtet kishte monopolin e dyfishtë të përhapjes së kësaj ideologjie: nëpërmjet tërësisë së mjeteve të masmedias: radioja, televizioni shtypi, nëpërmjet sistemit arsimor, institucioneve të artit e kulturës si dhe me mjetet e forcës. Dhe arti socrealist ishte pjesë integrale e këtij sistemi, i lindur prej tij dhe në funksion të tij. Në përpjekjet për ta kuptuar deri në fund këtë fenomen është bërë edhe krahasimi i ideologjisë me fenë dhe i partisë me Kishën. Ka pa dyshim elementë të përbashkët midis ideologjisë dhe fesë dhe mënyrës se si këto janë përdorur si instrumente të pushteteve. Mjaft të kihet parasysh se kur kristianizmi u bë, më në fund, fe shtetërore në shekullin e IV ata që vazhdonin të besonin në ritet pagane të Romës dënoheshin deri edhe me vdekje. Por ka edhe ndryshime të rëndësishme midis tyre që mundësojnë edhe dallimin midis Mikelanxhelos që pikturonte katedralen e Shën Pietrit dhe artistëve të realizmit socialist.

Ky editorial nuk synon të analizojë dallimet midis ideologjisë dhe fesë dhe, për pasojë, ndryshimet e ngjashmëritë midis artit fetar e atij socrealist. Ai synon të ngrejë vetëm disa pikëpyetje e të japë ndonjë përgjigje duke u ballafaquar me materialet studimore në vazhdim. E përgjigjet që mund të jepen nuk mund të mos përqendrohen tek ai që quhet rezultati. Pas eksperimentit ne shohim e gjykojmë rezultatin e tij dhe është bash ai që na bën të na duket krej e natyrshme ta përçmojmë metaforën e Leninit që e  krahason artin me një ushtri ku kinematografia përbën artilerinë e saj të rëndë. Nëse do ta vazhdojmë metaforën duke e lidhur me hapësirat kohore dhe vendore shqiptare do të themi se ushtria e artit socrealist erdhi duke u shtuar në numër e në mjete, e pushtoi territorin dhe e mbajti nën sundim atë për një kohë të gjatë, me dekada, gjithë duke luftuar me armikun, duke eliminuar edhe tradhëtarët e dezertorët në rradhët e saj. E, megjithatë, një ditë befas e pa veten të mundur, të shkatërruar mbi rrënojat që kishte shkaktuar vetë.
Po cili ishte armiku që fitoi - lind pyetja. Me një fjalë të vetme mund të përgjigjesh: e vërteta. Por kur flasim për të vërtetën në art çështja vjen e bëhet e komplikuar. Mund të thuash edhe liria, ose më saktë liria e krijimit që nuk të lejon kurrsesi ta shohësh artin si një ushtri dhe artistin si një ushtar të saj. Arti ashtu si njeriu u çlirua nga disa pranga që e tjetërsonin deri në marrje fryme. Por gjithë duke e lënë të hapur çështjen nëse arti dhe njeriu paskomunist në përgjithësi shpëtoi nga rrënojat mbi të cilat u rrit dhe nëse fitoi vërtet lirinë për të mos u tjetërsuar. Në fakt sot më shumë sesa vlerësimi mbi atë lloj arti çështja që shtrohet është: çfarë ndodhi me gërmadhat? Sepse nuk bëhet fjalë për toka të mbjella me bunkerë të cilët edhe mund të shkulen. Bëhet fjalë për mendje njerëzore ku bunkerët e mbjellë nuk mund të hiqen me operacion kirurgjikal. Ato janë mënyra të menduari, të krijuari, mekanizma autocenzure, mungesë dijeje dhe njohjeje. Dhe çfarë mjetesh po përdoren për z'ii pastruar ato, është një pyetje tjetër që shtrohet.

Përpjekja paraqet në këtë numër një version të historisë së kësaj lufte të jetuar nga ushtarët e artit ose, nëse do t'i referohemi metaforës së Leninit, një histori e rrëfyer nga topçinjtë. Një numër protagonistësh të kinematografisë së asaj kohe: regjisorë, aktorë kryesisht kanë dhënë kujtimet dhe vlerësimet e tyre për kinematografinë në kohën e komunizmit. Historia e përshkruar nga ata afërmendsh është vetëm një version i kësaj historie tragjike. Historia e gjahut do të ishte krejt tjetër sikur ajo të tregohej nga luanët, jo nga gjahtarët thotë një proverb afrikan. Pra ajo do të ishte e ndryshme sikur të tregohej nga ata që kanë pësuar bombardimin e topçinjve. Sikurse shpjegohet në materialin hyrës kemi të bëjmë me një studim metodologjia e të cilit në shkencat shoqërore konsiderohet si metoda e oral history (historisë gojore); një përpjekje për të kuptuar zhvillimin e kinematografisë përmes kujtimeve të disa prej protagonistëve të kinemasë së djeshme e të sotme dhe të rëndësisë që kanë kujtimet e tyre për ata vetë. Është një dokument që flet për atë kohë dhe për këtë kohë, për atë se si i qaset në kohën e sotme shoqëria shqiptare të kaluarës komuniste, por edhe se si e interpreton të tashmen duke u nisur nga ajo përvojë. Është pra një kontribut edhe në debatin mbi nevojën e rishkrimit të historisë së letërsisë dhe arteve në përgjithësi. Sikurse duket edhe nga materiali është njëherësh e lehtë dhe e vështirë t'i futësh të gjithë në një kategori topçinjtë e artit të shtatë shqiptar. Më një anë duket se janë individualitete të ndryshëm me qasje të ndryshme ndaj asaj të kaluare e megjithatë, më anë tjetër, nuk mund të mos gjejmë disa emërues të përbashkët. Kur flitet për veçantitë nuk mund të mos vesh re se tek disa mbizotëron një lloj nostalgjie, madje edhe mburrje e asaj kohe: Një nga veprat më të mira të kohës ka qenë themelimi i kinemasë shqiptare. Thuhet se partizanët luftonin, sakrifikonin, por nuk kishte asnjë dokument për ta vërtetuar, ndërkohë që me kinemanë kjo është bërë e mundur. Lana është sistemuar në vitet 1945-46 nga vullnetarët dhe provat i kemi. Apo mbi ardhjen e ujit të pijshëm në Tiranë. Flas për gjëra që kam parë nga afër. Të gjitha sakrificat që janë bërë, gjithë historia është fiksuar në dokumentarë. Dhe nuk mund të ndryshohet. (Hysen Hakani, regjizor). Kinemaja ka marrë nga letërsia shqiptare gjërat më të mira dhe që janë vlerat e vërteta shqiptare. Veprat e shkrimtarëve më të njohur shqiptarë janë bërë filma. [ ... ] Çmimet që kemi marrë nëpër botë janë marrë sepse shfaqin identitetin kombëtar shqiptar. (Esat Musliu, regjizor dhe anëtar i bordit të Qendrës Kombëtare të Filmit).
Duke lexuar këto dëshmi/kujtime gjen edhe përgjigje ndaj pyetjesh që lindin natyrshëm: a ka pasur një ndërgjegjësim për çka ishte regjimi tek këta krijues apo ka pasur një shkrirje organike me të në funksion të tij? Pse shkonin ata të punoni atje? Çfarë i shtynte, besimi në ideologjinë, një vetëdije e dobët mbi atë se cili është roli i artit në një shoqëri, apo ndjenja e shërbimit në emër të një karriere më të suksesshme në jetë? Cili është më i moralshmi, ai që e ka bërë me vetëdije apo ai që e ka bërë duke përdorur një gjuhë të dyfishtë? Cila është trashëgimia që na ka lënë kjo gjuhë e dyfishtë?

Nëse do të kërkojmë të përbashktën në kujtimete thuajse të gjithë protagonistëve kjo do të përmblidhej në dy aspekte kryesore që janë si dy anë të së njëjtës medalje. Së pari njohja se edhe në ato kushte është bërë art: Edhe pse ekzistonte censura, mund të thuash se nuk mungonte arti në të. Kinematografia dhe piktura, si edhe artet vizuale, përfshirë edhe teatrin, ishin sektoret e kulturës që u prekën më shumë nga rregullat e realizmit socialist, nga doktrina zyrtare. Teatri, pastaj skulptura dhe kinematografia. Këto ishin artet që pësuan më shumë nga realizmi socialist, shumë më tepër se letërsia. (Bashkim Shehu, shkrimtar). Së dyti mungesa e një qëndrimi vetëkritik për përgjegjësitë e sejcilit në bombardimin shkatërrimtar, përkundrazi strehimi thuajse i të gjithëve tek përqindëshi i vogël i vlerave. Edhe kur ndonjëri thotë Ka një përpjekje jo të vogël për të minimizuar të keqen e për të maksimalizuar vlerat (Ndriçim Xhepa, aktor) nuk flet sadopak për përgjegjësitë vetiake. Në kujtimet bije ne sy pafuqia ndaj regjimit si justifikim: Komunizmi ynë ishte sui generis, shumë i ashpër, nuk mundemi ne tani, në kohë demokracie të flasim për disidencë, nuk kishte as në Kinostudio dhe as në sektorët e tjerë të artit. Duhej të ishe budalla të bëje një film kundër regjimit, gjë që polakët, çekët mundeshin ta bënin [ ... ] Ne i rregullonim kaq mirë filmat saqë ato nuk kapeshin nga censura. (Piro Milkani, regjizor). Flitet gati gati sikur zgjedhja e tyre të ketë qenë e paracakuar, sikur të mos ketë pasur asnjë vetëdije në vend se ato çka bënte letersia dhe kinematografia socrealiste i shërbenin propagandimit të së keqes. Por bie në sy edhe pafuqia intelektuale për të analizuar përgjegjësinë sot. Thuajse të gjithë pranojnë se kanë qenë të vetëdijshëm për cenzurën duke pohuar direkt ose tërthorazi se tjetër ishte ajo që mendonin dhe tjetër ajo që bënin. Por askush nuk flet për koston që ka patur kjo jetë e dyfishtë për shoqërinë dhe për ata vetë si pjesë e saj. Ky aspekt i materialit të bën të përdorësh shprehjen Divorci i butë me të kaluarën . Një divorc ku gjen shumë mirëkuptim ndaj saj edhe atëhere kur ai nuk është i mbushur me nostalgji. Thënia e regjisorit Kujtim Çashku nuk dua të flas për atë kohë mban shumë të vërteta të pathëna. Të vërtetën e një divorci të paanalizuar, të vërtetën e mungesës së vetëdijes se nga e kaluara nuk ndahemi dot, se ajo na ndjek prapa duke kushtëzuar të tashmen dhe të ardhmen tonë. E kjo ngre pyetjen: a mund të shpresohej se ata, që për paradoks drejtojnë sot kinematografinë shqiptare, do të mund të ngrinin një gjë tjetër?

Editorial: Përpjekja e jonë

E Martë, 25 Tetor 2011 09:14 Publikuar në Nr. 24

Njerëzit që mungojnë sot duhen krijuar dhe ata që flenë duhen zgjuar. Këto fjalë i ka shkruar Vangjel Koça 73 vjet më parë, kur shoqëria shqiptare sapo kishte filluar të formësohej në kuadrin e një shteti të pavarur kombëtar. Shkrimi i tij me titull Përpjekja jonë, që po e botojmë të plotë në këtë numër, është në formën e një përgjigjeje që i jep Koça konstatimit të hidhur të një miku, i cili i ka thënë se përpjekja e tyre intelektuale në jetën shqiptare që po kalonin ishte një mundim i kotë, sepse sipas tij - mungon rrethi që ta kuptojë dhe të vihet nën flamurin e saj.

Për çfarë njerëzish e ka fjalën Vangjel Koça në vitin 1934? E ka fjalën për njerëz që të kenë heroizmin e një shpirti që përpiqet për një gjë të bukur e të drejtë, kundër çdo kovencioni, poshtërsie, egoizme dhe vulgariteti. E ka fjalën për njerëz prototipin e të cilëve ai e gjen tek Don Kishoti të cilin - ve në dukje Koça - nuk duhet ta shikojmë si një figurë qesharake, por si një hero të idealit. Koça sjell në ndihmë edhe Miguel de Unamunon duke cituar thënien e tij se historia e Don Kishotit është një Ungjill për ata që dëshirojnë shpëtimin nga konvencionalizmi dhe nga urtësia meskine.

Na ka tërhequr vëmendjen edhe një polemikë e Tajar Zavalanit me shkrimin e Koçës, të cilin po ia sjellim, edhe atë, të plotë lexuesit të Përpjekjes. Në shkrimin e tij Don Kishotë apo pionierë Zavalani polemizon me interpretimin që i bën Koça Don Kishotit lidhur me njerëzit që i duhen Shqipërisë. Interpretimi i tij na kujton edhe një parathënie të mirënjohur të Fan Nolit, për vëllimin e parë të librit të Servantesit, përkthyer po prej tij, e cila është dhënë si i vetmi çelës i leximit të veprës së shkrimtarit të madh spanjoll në shkollat e mesme të kohës së komunizmit. Është një interpretim në frymën deterministe e progresiste të materializmit dialektik e historik. Don Kishoti, sipas këtij interpretimi, shihet si një figurë që shikonte prapa, që ëndërronte një botë që s'kish të nesërme, si njeriu i së shkuarës, si përfaqësuesi i klasave të rëna nga vakti. Kurse, sipas Zavalanit, ata që lëftojnë kundër orientalizmës këtu në Shqipëri, kundër idarei-masllahatit, kundër plagëve që s'na lënë të vemë përpara, ata shikojnë përpara, kasnecojnë një botë që do të triumfojë më doemos, janë njerëzit e së ardhmes. Duke ditur pikëpamjet komuniste të Zavalanit nuk mund të mos mendosh se ai e ka fjalën pikërisht për ata të paktë që kishin filluar të përqafonin idetë marksiste në Shqipëri, të cilët, gjithë sipas Zavalanit, nuk verbohen me ëndrat e fantazis së tyre, nuk dehen me utopira të parealizueshme. Ata janë realistë në kuptimin e lartë të fjalës, ata shikojnë më lark se të tjerët, e ndjejnë se ku po na shpie rryma historike e palëftuarshme dhe duan të shpejtojnë këtë evolucion, këtë të ecur përpara. Jo Don Kishot, po militant të frymës së ré, kështu do ta quanja unë typin e Përpjekjes sonë, replikon Zavalani. Por edhe ai nuk mungon të verë në dukje se në Shqipërinë e asaj kohe këta të paktë lëftohen, përbuzen, shikohen me një buzëqeshje ironike dhe quhen njerës që s'i përshtaten kohës, ambientit dhe nuk dinë të përfitojnë nga rrethanat.

Pa u futur në analizën e kësaj polemike, që meriton një përthellim filozofik jo të lehtë, pasi në thelbin e saj do të gjejmë ballafaqimin e dy filozofive të ndryshme të historisë, do të thonim se një lexim jo ad literam i Don Kishotit, por si metaforë universale, nuk e kundërve njeriun që kërkon Koça me atë që kërkon Zavalani pasi që të dy janë dy forma të njeriut idealist. Në thelbin e librit të Servantesit, që barabitet me veprat e Shekspirit për nga rëndësia dhe ndikimi, qëndron lufta e reales me idealen në këtë botën tonë dhe në vetë shpirtin e njeriut. Libri ka, prandaj, një plan të dyfishtë, të humorit dhe dhimbjes. Por të qeshurit me Don Kishotin, - satira më e tmerrshme ndaj ekzaltimit njerëzor e ka quajtur Hajne - nuk është i mbarsur me përçmim ndaj personazhit, ai nuk na bën të përqeshim një klasë të përmbysur, siç thonë Noli dhe Zavalani. Avantyrat e tij na bëjnë të qeshim me dashuri dhe dhemshuri njëherësh. Dashuri, pasi tek marrëzia e tij gjejmë mënçurinë dhe guximin e idealizmës; dhemshuri, pasi ai del gjithnjë i mundur. Don Kishoti është ai që kërkon të pamundurën, ndërkohë që shumica kërkon të mundurën, që kërkon moralitetin në një shoqëri të zhbërë moralisht, që kërkon të vërtetën në një botë ku mbretëron gënjeshtra dhe kjo e bën të duket imarrë. (Shih dhe F. Lubonja: Don Kishoti, Fan Noli dhe Korrieri, Shekulli mars 2002) Përpjekja i ka ribotuar shkrimet eKoçës dhe të Zavalanit sepse, duke lexuar ato, nuk mund të mos mendosh për kohën tonë e të konstatosh se edhe pas katër pesë brezash, Shqipëria e sotme e fillimshekullit XXI ka shumë karakteristika të ngjashme me atë periudhë. Dhe ajo që e bën ngjashmërinë nuk janë anët materiale të jetës. Ato kanë ndryshuar shumë. Ajo që i bën të ngjashme të dy kohët është pikërisht mungesa e Don Kishotëve apo pionierëve që kërkojnë Koça dhe Zavalani, e atyre që ndërtojnë shpresën dhe besimin tek e ardhmja, tek vlerat më të larta shpirtërore, e njerëzve që luftojnë, ashtu si Don Kishoti, për triumfin e drejtësisë mbi këtë botë. Dikush mund të bëjë vërejtjen se kështu ka qenë e do të jetë gjithmonë bota, një republikë e mediokërve, ku Sokratët e vuejtun kanë qenë gjithnjë të paktë në krahasimme derrat e kënaqun. Koça kërkon Don Kishotë, por a nuk është një nga tiparet kryesore të këtij heroi qënia e tij i vetmuar përballë shumicës së dominuar nga egoizma, vulgariteti, konformizmi, apo urtësia meskine.

Megjithatë nuk mund të mos bëjmë dallimin midis atyre shoqërive ku mazhorancat vulgare mbretërojnë të pashqetësuara dhe atyre shoqërive ku ato sfidohen, apo dhe udhëhiqen nga njerëzit e botës shpirtërore, të idealit e të heroizmës së mendimit, nga Don Kishotët apo pionierët. Madje, nëse do të kërkonim një kriter matës të përparimit të disa shoqërive, në krahasim me të tjera, një ndër ta, në mos ai më kuptimploti, do të ishte pikërisht ai që tregon rritjen e numrit të Don Kishotëve, apo pionierëve në ato shoqëri si dhe aftësinë e shoqërisë për të ndjekur ata dhe jo mësuesit e nënshtrimit e konformizmit, të urtësisë meskine dhe egoizmit vulgar. Tek e fundit, kjo diferencë ka të bëjë me diferencën midis shkallëve të lirisë dhe demokracisë së një shoqërie.

Prandaj nuk mund të mos shtrojmë pyetjen pse shqiptarët i tallin e i përqeshin në vend që t'i duan Don Kishotët? Pse edhe vetë librin e famshëm nuk kanë arritur ta lexojnë si duhet. Pse nuk ka idealizëm në Shqipëri, pse ka aq pak njerëz që t i qëndrojnë koherentë ideve apo idealeve të tyre, me koston e humbjes së të sotmes, por me aspiratën e fitimit të së ardhmes dhe pse ka kaq shumë nënshtrim, konformizëm dhe egoizëm vulgar?

Nëse do të kërkojmë shkaqet e kësaj mungese nuk mund të mos ia gjejmë origjinën, tek nëna e të gjitha të këqijave injoranca. Dhe kur themi injoranca nuk kemi parasysh thjesht mungesën e dijeve shkencore. Kemi parasysh mungesën e tërë atij ushqimi të mendjes e zemrës së njeriut, tërë atyre vlerave më të mira e më të larta të vlerësuara e nderuara nga historia - për të cilat lëfton edhe Don Kishoti - pa të cilat njeriut i mungon ajo që e bën atë, ndryshe nga kafshët, një qënie që nuk përsërit vetveten, por që ka aftësinë të përmirësojë pareshtur vetveten dhe kushtet e jetës së tij. Edhe mungesa e leximit dhe kuptimit të librave si Don Kishoti është pjesë e kësaj injorance.

Dikush mund ta përgënjeshtrojë Koçën dhe Zavalanin, duke na thënë se vetëm shtatë tetë vjet pasi ata shkruan artikujt e tyre doli një brez të rinjsh që qe i gatshëm të shkonte në luftë e të jepte jetën për lirinë e atdheut, apo për idealet e komunizmit. Nuk mund të mohoet as idealizmi dhe as sakrifica e një pjese shqiptarësh gjatë Luftës së Dytë. Por ajo çka ndodhi edhe gjatë, edhe fill pas asaj lufte i jep më shumë të drejtë Koçës dhe Zavalanit. Ajo çka i karakterizon idealistët është koherenca dhe paepshmëria në mbrojtjen e idealit të tyre, kurse ajo çka ndodhi tregoi se pak, shumë pak, kishin qenë nga ai brez idealistë të tillë - një pjesë e të cilëve u eliminuan mu për këtë, - kurse ajo çka triumfoi ishte poshtërisa, egoizmi, nënshtrimi, konformizmi. Regjimi totalitar në duart e këtyre pseudoidealistëve e reduktoi njeriun shqiptar në një qënie të depersonalizuar, që në vend të edukimit me luftën pa kompromis për idealet, u detyrua të përvetësojë, për të mbijetuar, artin e skllavit, gënjeshtrën. Një mungesë e ngjashme e njeriut idealist po ndodh edhe tani, pas rënies së komunizmit, ndonëse në një kontekst tjetër. Idealistët e pakët që aspironin në fillimvitet 90 një Shqipëri ndryshe, të demokracisë dhe lirisë, të meritokracisë dhe të vlerave më të larta njerëzore, shumë shpejt u shkrinë si kripa në ujë në një totalitarizëm të ri: atë që e ka reduktuar njeriun thjesht në një qënie ekonomike, ku e vetmja vlerë është paraja dhe e vetmja kënaqësi konsumimi i saj; ku individi nuk ka asnjë ideal shoqëror përveç idealit të rregullimit të qënies së vet meskine, për realizimin e të cilit nuk ndalet përpara asnjë lloj poshtërsie. Shqipëria është shndërruar në vendin ku çdokush që refuzon t'u përshtatet ligjeve të kësaj shoqërie luftohet si kundërshtar, ose përbuzet si i paaftë, apo shikohet me një buzëqeshje ironie, si njeri që s'i përshtatet kohës, ambientit dhe nuk di të përfitojë nga rrethanat. Jemi përballë një thesi me njerëz që nuk mund të quhet kurrsesi shoqëri, pasi këta njerëz e kanë të bjerrur dimensionin e tyre social. Një thes me njerëz të cilët nuk dinë asgjë prandaj nuk dyshojnë për asgjë, të cilët, mu pse janë të paditur, po t'i këshillosh, të bëjnë armik, e që paditurinë e tyre të thellë e mbulojnë me gënjeshtrën, demagogjinë e tonet dogmatike. Kemi të bëjmë me një shoqëri ende të shtrirë përtokë pas tërmetit shoqëror që shkaktoi rënia e komunizmit. Megjithatë nukmund tëmos pajtohemimeKoçën, sipas të cilit, kjo s'do të thotë se njeriu nuk duhet të përpiqet që të përgatitë udhën për një tjetër periodë jete më të lartë dhe me kuptim më të gjerë; se ideja s'mundet të triumfojë me një herë, po, më parë duhet të shkojë nëpër disa faza gjer sa të arrijë në fazën që të kuptohet, të çmohet, të ndjehet dhe të mbretërojë në mendjet dhe shpirtrat e të gjithëve.

Si na shohin

E Hënë, 24 Tetor 2011 08:00 Publikuar në Nr. 22

Si na shohin është një nga rubrikat e hershme të Përpjekjes, ideja e çeljes së të cilës ka lindur në një kohë e në koherencë me tërë frymën kritike që e përshkon Përpjekjen qysh nga numri i parë deri tek i fundit.

Faqja 1 nga 3