Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Njoftime » Displaying items by tag: Editoriale
E Shtunë, 20 Pri 2024
Displaying items by tag: Editoriale

Editorial: Shqiptarët dhe nacionalizmi

E Mërkurë, 12 Tetor 2011 07:52 Publikuar në Nr. 4

A janë shqiptarët nacionalistë?

Një studente franceze që merret me historinë e Shqipërisë, mbeti e zhgënjyer kur disertacioni i saj, i mbështetur mbi tezën se shqiptarët nuk janë nacionalistë, iu hodh poshtë nga profesori frëng i cili solli argumente të kundërta duke i përmendur kohën e Enver Hoxhës kur, sipas tij, komunizmi nuk ishte tjetër veçse një veshje e nacionalizmit. Duket se jo vetëm të huajt, por edhe ne shqiptarët mbetemi ndërdyshës kur shtrojmë çështjen e ndjenjave tona nacionaliste, pasi ende pak përpjekje kemi bërë për ta shqyrtuar atë me seriozitetin e duhur e për t'i dhënë përgjigje në tërë gjërësinë dhe kompleksitetin që meriton. Duke u rrekur të përimtosh faktet që lidhen me këtë temë e sheh veten përpara shumë kundërthëniesh që të bëjnë të thuash në mënyrë paradoksale se shqiptarët janë, por s'janë nacionalistë. Po të shëtitësh nëpër rrugët e Tiranë e të vëresh emrat e kioskave dhe të dyqaneve që janë hapur vitet e fundit, do të shohësh se mbajnë pothuajse të gjithë emra të huaj. Në dy anët e një rruge buzë Lanës, që gjendet brenda harkut të dy urave, sheh se kafebaret dhe restorantet përanësh saj mbajnë vetëm këto emra: Caffe&Bar Mediterraneo, Caffe Bar Pinokio, Pall Mall Exprt (smoke with pleasure), Bar Restorant Trieste, Multiclub Flamenco, Golden Eagle Restaurant, Bar Cardinal, Caffe Bar Tripoli, Bar Eldorado, Bar Restorant Christ, Bar Restorant John Belushi, Bar Venezia, Kafe Stil. Afërmendsh konkluzioni i parë është se këta pronarë kafesh dhe restorantesh duhet të jenë qëniet më kozmopolite në botë. Aq më tepër kur dëgjon prej andej muzikë nga e gjithë bota, madje shumë shpesh edhe muzikën e fqinjit jugor grek, aq i shpallur nëpër historiografinë shqiptare si një nga kërcënuesit e kombit shqiptar. Veçse duke hedhur vështrimin përreth apo thjeshtë duke parë klientelën e tyre (mbi 90% burra), pakkush do të besonte se kjo hapje ndaj të tjerëve vjen në sajë të një emancipimi qytetar e kulturor. Pasi mbërrin këtë konkluzion të parë kërkon t'i hysh më thellë çështjes së nacionalizmit shqiptar dhe atëhere sheh se po t'i referohesh të tjera gjërave, mundtë arrish në të tjera përfundime. Skënderbeu, Lidhja e Prizerenit, Shpallja e Pavarësisë, Lufta e Vlorës, Lufta Nacional-Çlrimtare, qëndresa ndaj jugosllavëve, çështja e Kosovës, vite te lavdishme 60 me shkëputjen ndaj socialimperializmit, janë trajtuar në shtypin e përditshëm, periodikët dhe historiografinë komuniste shqiptare me një ndjenjë të ekzaltuar kombëtare. Madje edhe në botimet aktuale disa prej atyre momenteve i sheh të trajtohen me të njëjtën gjuhë të përdorur asokohe ... Po t'u shtosh këtyre letërsinë dhe artin që paraluftës ka qenë kryesisht e mbrujtur me frymën nacional romantike të rilindasve dhe pas luftës me romantizmin nacional-komunist, këngët e pafundme të trimërisë në emër të adheut ... faktin se Enver Hoxha, të gjithë kundërshtarët e tij kryesorë i akuzonte dhe eliminonte me akuzat e tradhëtisë ndaj atdheut e deri atë se përsëri akuza të cilës i tremben më shumë shqiptarët është etiketimi s iagjent i serbit apo i grekut, s'ka se si të thuash që nacionalizmi mungon në Shqipëri...

 

Për t'iu kthyer përsëri kundërthënieve, të vjen ndërmend se shumë nga politikanët shqiptarë që kanë mbrujtur këtë gjedhë propagandistike nacionaliste, qysh kur është krijuar shteti shqiptar, në mënyrë të vazhdueshme, kanë treguar se, për hir të interesave të tyre, pushtetit politik, famës apo të tjera interesash vetiake, kanë qenë të gatshëm të sakrifikonin interesat e vendit. Shembujt janë të shumtë gjatë gjithë këtij shekulli der inë ditët tona. Po ti shtosh këtij fakti arratiakët e 91-shit, plaçkitjen e thesareve kombëtare, shkatërrimin e pyjeve, shëmtimin e qyteteve me ndërtime vend e pavend, ndërrimin e emrave e shumë veprime të tjera që s'mbajnë as erën e përgjegjësisë dhe krenarisë kombëtare, s'ka se si të mos arrish në përfundimin se, në thelb, ne na mungon motivimi bazë i nacionalizmit, ai që thotë atdheu mbi të gjitha. Aq e hidhur është kundërthënia mes asaj që deklamohet dhe asaj që ndjehet në të vërtetë, sa të vjen të perifrazosh Shopenhauerin e të thuash se shqipëtari, kur është nacionalist, është në nivelin e një kafshe nacionaliste dmth., që e përdor nacionalizmin sa herë i duhet për të kënaqur instinktet e veta. Ilustrimi më i përkryer i këtij përkufizimi janë bunkerët që shëmtojnë sot trupin e Shqipërisë. Ata që i kanë jetuar ato kohë e dinë se ai shëmtim i atdheut nuk u bë për ta zbukuruar trupin që ishte shumë më i bukur pa ato pafta hekuri dhe betoni, as për ta forcuar, por thjesht si një pretekst ideologjik në luftën për pushtet, çka i bëri të mundur diktatorit asokohe eliminimin e një kaste ushtarakësh, ndaj të cilëve ai nuk ushqente më besimin e mjaftueshëm.

Na duket me vend ta prekim disi ndaras çështjen e nacionalizmit në Kosovë. Pa dyshim atje ndjenja nacionaliste, e kuptuar si nevojë e çlirimit nga shtypja serbe, është më e fortë, por edhe atje ikja masive prej truallit dhe përçarja tradicionale mesvetit, nuk të bën të mendosh se kjo ndjenjë është ashtu dhe aq e fortë. Madje ka studiues kosovarë që edhe nacionalizmin e shqiptarëve të Kosovës e kanë quajtur "të rrejshëm". Në fillimet e tij në shekullin XIX nacionalizmi, si një ideologji që shpallte të drejtën sovrane të popujve për vetvendosje, kishte një karakter emancipues dhe liberal. Ai nisej nga koncepti se të gjithë kombet dhe lëvizjet nacionaliste të tyre janë të barabarta dhe karakterizohej nga solidariteti midis kombeve. Këtë nacionalizëm një pjesë studiuesish e kanë quajtur nacionalizmi i risorxhimentos, duke iu referuar lëvizjes italiane për pavarësi dhe çlirim nga sundimi austriak. Profetët e tij, si Mazini, besonin se popujt, aq të ndryshëm në gjuhë dhe karaktere, kishin një detyrë të vetme: të ndërtonin humanizmin botëror dhe, për këtë, sejcili kishte një mision të caktuar. Kjo filozofi ishte vazhdë e nacionalizmit Francez të kapërcyellit të shek 18 dhe fillimit të shek 19. Revolucionarët francezë e justifikonin nacionalizmin e tyre me termat e misionit për të propaganduar idealet universale të lirisë, barazisë dhe vllazërisë në Evropë. Në këtë frymë lindën gjatë shekullit 19-të lëvizjet çliruese të shumë vendeve të Evropës mjaft prej të cilave sollën atë që quhet shteti komb.
Një tjetër aspekt i nacionalizmit të risorxhimentos është i ashtuquajturi nacionalizëm reformist, si ai që lindi në gjysmën e dytë të shekullit 19 në Japoni për të eliminuar pabarazinë me Perëndimin, veçanërisht pas demostrimeve të forcës që bëri flota amerikane në gjirin e Tokios më 1852. Ai i motivoi japonezët për ta reformuar shtetin e tyre nga një shtet i dobët feudal në një shtet të fuqishëm industrial dhe ushtarak që brenda disa dekadash, më 1905, qe në gjendje të mposhtëte një fuqi të madhe evropiane si Rusia. Me frymën e nacionalizmit reformist ishte edhe politika e Ataturkut në Turqi, që synonte modernizimin dhe evropianizimin e Turqisë pas kalbëzimit të Perandorisë Otomane. Edhe ajo, ashtu si reformizmi japonez i shekullit 19, u motivua fort edhe nga një lloj ksenofobie dhe frike nga kërcënimi i jashtëm. Mirëpo vetëm pas një shekulli zhvillimesh historike, ndër të cilat dy luftra botërore, evropiano-perëndimorët, kur përmendet nacionalizmi e sjellin atë ndërmend si diçka negative, pak a shumë ashtu siç e karakterizon atë më 1952 publicistidheautoriinjohuranglezVictorGollancznëautobiorgafinëetij: Nga të gjitha të këqiat që urrej, thotë ai, nacionalizmi është ai që urrej më shumë. Nacionalizmi d.m.th. egoizmi nacional, të menduarit në termat e një kombi e jo në termat e humanizmit, është i keq sepse ai përqëndrohet në gjëra jothelbësore (ku jeton një njeri, çfarë lloj gjuhe flet, cilës kulturë i përket, çfarë gjaku ka etj.) duke injoruar atë që është thelbësorja, faktin që ai është njeri. Nacionalizmi e bën një popull ta urrejë një popull tjetër sapo t'i shfaqet rasti më i vogël për të urryer; ai të çon në xhelozi, ekspansionizëm, shtypje, grindje dhe deri në luftë.
Ky gjykim i Gollanczit mbi nacionalizmin, të ashtuquajtur integral, dominon sot opinionin perëndimor dhe është shprehës i ekstremit tjetër që ka përshkuar trajektorja e nacionalizmit në Evropë gjatë këtyre dy shekujve. Brenda një shekulli, pra, nacionalizmin në Evropën Perëndimore e shohim të shndërrohet nga formues i shtetit komb në shprehës të krizëz së këtij dhe jo rrallë nga faktor kombformues në faktor kombshkatërrues. Një pyetje s'ka se si të mos shtrohet: mos vallë kjo trajektore duhet të përshkohet nga një popull, pra, mos vallë është e nevojshme të kalohet në një formë apo në një tjetër ethja e nacionalizmit që një popull të mpikset si komb, përndryshe ky rrezikohet? Në shekullin e XIX-të, duke trajtuar çështjen e nacionalizmit, Engelsi flet për popuj historikë dhe popuj johistorikë. Sipas tij të parët, ku ai fuste shtetet më të mëdha të Evropës perëndimore dhe qendrore, kishin ditur të ndërtonin shtete viabël dhe prandaj do të tregoheshin të aftë për të ndërtuar të tillë edhe në të ardhmen. Kurse të dytët, ndër të cilët Engelsi fuste sllavët e jugut, disa minoritete të Evropës perëndimore

si dhe disa vende të botës së tretë, të cilëve u kishte munguar aftësia dhe energjia, duhej të zhdukeshin, sipas tij, nga skena e historisë për të lehtësuar zhvillimin e kombeve historike. Asokohe, sipas Mazinit, Anglisë i njihej misioni i industrializimit të kolonive përtej detit, Rusisë civilizimi i Azisë, Gjermanisë zhvillimi i filozofisë kurse Italisë që të udhëhiqte botën si një Romë e tretë. Kjo s'është as më shumë as më pak veçse përsëritje e një ideje të Hegelit i cili shkruan se: Kush ka thënë Shtet ka thënë komb, dhe kush ka thënë komb ka thënë unitet i gjuhës, i religjionit, i zakonit, i ideve. Shteti që fut në trupin e vet një komb të ndryshëm nga i veti, nga të gjitha këto pikpamje, dhe e mban atë, kundër dëshirës së tij, nën një zgjedhë të urryer, bën një atentat kundër natyrës ... Megjithatë, aneksimi përbën një krim që jep të drejtën e revoltës vetëm në atë rast kur populli i aneksuar përfaqëson një ide po aq të madhe, po aq pëllore dhe viabël sa dhe ideja e personifikuar nga pushtuesi. Ka kombe që, duke mos përfaqësuar asnjë ide dhe duke pas humbur arsyen për të qënë, janë të dënuar përfundimisht të
treten.
Qysh prej atëhere historia na ka treguar se kombet të cilët, sipas Engelsit, duhet të zhdukeshin si të pa histori kanë mbijetuar. Veç se ndërkaq ata, kush më shumë dhe kush më pak, kush më herët dhe kush më vonë, kanë bërë historinë e tyre, kanë zhvilluar nacionalizmin e tyre, janë çliruar dhe, me sa duket, pikërisht kjo bërje historie ka qenë për ta faktori kryesor i kombformimit. Shembujt për këtë janë të shumtë, jo vetëm në Evropë, por edhe në ato vende që dikur ishin koloni të fuqive evropiane. Çka po ndodh në Ballkan dhe në përgjithësi në Evropën qendrore dhe Lindore duket sikur e vërteton tezën se formimi i një kombi është një proces i gjatë dhe se nacionalizmi është një nga hallkat e këtij procesi. Mirëpo këtu ndeshemi me një kundërthënie të fortë. Përvoja historike e këtyre dy shekujve tashmë ka treguar se ekziston rreziku që nacionalizmi të transformohet nga një lëvizje emancipuese në një ideologji të ekstremit të djathtë që i kundëvihet humanizmit dhe liberalizmit. Aq më të frikëshme janë pasojat e tij kur sheh se ai jo rrallë çon në ekstremizëm, deri në luftra, të cilat sot nuk zhvillohen më me
armatimet e shekullit 19-të, madje as me ato të Luftës së Dytë Botërore, por me armë shumë më shkatrrimtare. Kështu kjo hallkë e domosdshme shfaqet në fund të shekullit XX anakronike në raport me zhvillimet në Evropën Perëndimore dhe SHBA, jo si lëvizja pararojë drejt një bote më të mirë, por si një lëvizje e diskredituar nga historia. Në këtë kontekst të ri çështja e nacionalizmit dhe e raportit të ne shqiptarëve me të duket se meriton vëmendje të veçantë, pasi në Ballkan, ethja e nacionalizmit është në pikun e saj.


Pikëpyetjet shqiptare
Kush ka lexuar në revistën tonë artikullin e njërit prej etërve të nacionalizmit shqiptar, Lumo Skëndos, sheh aty se në 1912 Shqipëria ka qenë
një vend tipik johistorik, sipas përkufizimit të Engelsit, tepër i vonuar në ngjizjen e identitetit kombëtar. Asokohe, sipas Skendos, shqiptarët ndodheshin përpara imperativit që nga një grumbuj fisesh të krijonin një komb. Nëse do të bëjmë një krahasim me nacionalizmin e fqinjve, Greqisë dhe Serbisë, do të shohim se nacionalizmi i tyre, ka nisur afro një shekull përpara nacionalizmit shqiptar, atëhere kur atje filluan dhe u konkretizuan lëvizjet për çlirimin politik nga Turqia. Princ Ypsilanti, një nga heronjët e pavarësisë greke, u drejtohej grekëve më 1821 pak
a shumë me këto fjalë: Ka ardhur koha ta flakim tej zgjedhën e padurueshme dhe ta çlirojmë atdheun dhe fenë tonë nga blasfemitë e paganëve ... Le të dominohemi më së pari nga ndjenja e bashkësisë.. Të pasurit të japin një pjesë të pasurisë, priftërinjtë të inkurajojnë njerëzit me shembullin e tyre, kurse grekët që punojnë në oborre të huaj të largohen prej tyre... Ngrihuni të gjithë si një trup i
vetëm dhe tregojeni veten se jeni pasardhës të vërtetë të heronjve të kohëve klasike! Pra, megjithëse grekët asokohe kishin pasur avantazhe të mëdha ekonomike për shkak të mundësive të gjëra të lëvizjes në Perandorinë Otomane, aspiratat për liri politike zjenin si diçka më e lartë. Ishte kjo frymë, që nacionalizmin e shihte si pararoja e lëvizjeve të njerëzimit në rrugën drejt një bote më të mirë dhe më të drejtë, që e shtyu Bajronin të luftonte për pavarësinë greke. Një lëvizje e ngjashme kishte paraprirë në Serbi ku luftrat guerrile dhe revoltat kishin sjellë
më 1815, fitoren e një autonomie të kufizuar të serbve. Ndërkaq, për arsye të një prapambetjeje historike, shkaqet e së cilës i kalojnë caqet e këtij shkrimi, në fillim të shekullit 19-të lëvizja nacionaliste shqiptare ishte ende e palindur. Shqiptarët, në pjesën më të madhe të
myslimanizuar, ndjeheshin pjesë e Perandorisë Otomane që u siguronte krerëve të tyre poste dhe privilegje. Nacionalizmin shqiptar e shohim të zërë fill më vonë dhe në një tjetër kontekst historik. Ai shfaqet me mbarimin e Luftës Ruso-Turke, dhe më gjerë me degradimin e shpejtë të Perandorisë Otomane, si nevojë e ruajtjes së trevave shqiptare nga sllavët dhe grekët. Pra, ndërsa nacionalizmi i fqinjve ka filluar të ngjizet më së pari si nevojë e çlirimit nga sundimi otoman, i mbështetur mbi një identitet fetar kristian, nacionalizmi i shqiptarëve asokohe në pjesën më të madhe myslimanë, ka nisur më së pari si nevojë e çlirimit nga rreziku i fqinjëve. Madje duhet shtuar se ai ishte mjaft i dobët dhe se ndoshta nuk do të kishte arritur të krijonte shtet pas luftrave ballkanike sikur të mos kishte qenë ndërhyrja e fuqive të mëdha interesat e të cilave mplekseshin ashtu që doli e nevojshme që shteti shqiptar të formohej.

Viti 1913 i gjeti kështu shqiptarët të ndarë, dhe kjo ndarje është një tregues i dobësisë së nacionalizmit të tyre. Një palë me një shtet me kufij të përcaktuar, por të pangjizur si komb, kurse palën tjetër të mbetur nën qeverisjen serbe, objekt diskriminimi, me kushte më të vështira kombformimi, por dhe me motivime më të forta nacionaliste. Nëse do t i referohemi idesë se kombi nuk mund të konceptohet në mënyrë statike, pra, si bashkësi e njëkohëshme e gjuhës, kulturës, racës, fesë, por në mënyrë dinamike, pra, si proces i vazhdueshëm kombformimi, mund të themi se, së paku që nga 1913-ta, meqënëse fati i shqiptarëve këndej dhe andej kufirit politik nuk ka qenë ashtu dhe aq i përbashkët, edhe rrugët e zhvillimit të nacionalizmave të tyre kanë qenë të ndryshme, me pika takimi, por edhe me mjaft divergime. Po të shpreheshim në mënyrë disi të thjeshtëzuar, duke iu referuar koncepteve mbi nacionalizmin të përmendura në pjesën e dytë të këtij shkrimi, do të thonim se pas 1912-tës e deri në Luftën e Dytë na duket se në Shqipëri tentohej frymimi i njerëzve me një nacionalizëm reformues të tipit qemalist kurse në Kosovë kërkohej të zhvillohej fryma e nacionalizmit të risorxhimentos. Megjithatë na duket se ndjenja primitive e mbijetesës individuale tek njerëzit e thjeshtë dhe ajo e pushtetit të klanit tek prijësit ka qenë më e fortë se ajo e përbashkimit në emër të interesave të kombit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore mund të thuhet se nacionalizmi shqiptar arriti një nivel të ri dhe ndoshta qe edhe një pikë takimi midis fateve të shqiptarëve këtej dhe andej kufirit, pasi lufta hapi kufijtë, ngjalli shpresën e Shqipërisë etnike dhe më në përgjithësi ngjalli një lloj dashurie dhe përgjegjësie më të madhe për vendin. Ndërkaq, pas Luftës së Dytë, fitorja e socializmit në Jugosllavi dhe Shqipëri nuk i zgjidhi problemet nacionale, por në një farë mënyre i komplikoi apo i la pezull ato. Kështu ndodhi edhe me shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni, ku na duket se megjithë parullat e bashkimvëllazërimit të popujve është ruajtur dhe zhvilluar, në thelb, fryma e nacionalizmit të risorxhimentos. Në Shqipëri, për shkak të diktaturës së egër 50 vjeçare të Enver Hoxhës, ku shtypja nga shqiptarët ishte shumë më e egër se ajo që u kishte ardhur shqiptarëve nga të huajt dhe ku njerëzit u zhveshën nga prona, nacionalizmi degjeneroi në një frazeologji demagogjike të cilit i shkonte fort thënia e Gëtes se "Rrënimi i oborrit të fshatarit, po, është një fatkeqësi dhe katastrofë e vërtetë, kurse vdekja e atdheut, vetëm një fjalë boshe", çka u provua më së miri me fundin e diktaturës.


Pas rënies së komunizmit dhe dizintegrimit të shtetit jugosllav, çështja enacionalizmit dhe i raportit të shqiptarëve me të shfaqet tepër i komplikuar. Gjendja duket se paraqitet kështu: Ndërsa në Kosovë dhe Maqedoni ndjehet fryma e një nacionalizmi të risorxhimentos që pa dyshim nënkupton më së pari ndjenjat negative ndaj serbve dhe maqedonasve, me të cilët urat e komunikimit po priten gjithnjë e më shumë për t'i lënë vendin humnerave të keqkuptimit dhe të mosbesimit, në Shqipëri, e cila nuk është e pushtuar, duket i vështirë transplantimi i ndjenjave të tilla. Shqiptarët e këtejshëm, të rrazbitur nga diktatura dhe nga urrejtja për njeri tjetrin, pa pronë të sigurtë dhe pa katandi, sikur ndjejnë turbull nevojën e një lloj nacionalizmi reformues, por mbi të gjitha tek ata mbizotëron e njëjta ndjenjë primitive e mbijetesës individuale që i ka karakterizuar ndër shekuj. Ndërkaq tek klasa politike mbizotëron, si dikur, lufta për pushtetet klanore të organizuara tani në parti, e cila rrallë karakterizohet nga armëpushime në emër të interesave mbarëkombëtare apo nga përgjegjësia e vërtetë për vendin. Në mjetet e kësaj lufte nuk mungon demagogjia nacionaliste, ksenfobia dhe urrejtja ndaj fqinjve, thirrjet për të mbrojtur çështjen e Kosovës, por ato nuk bëhen dhe aq me fanatizëm nacionalist sesa me një lloj gjestikulacioni dhe pozimi pseudonacionalist. Duket, prandaj, sikur tek shqiptarët e Shqipërisë nuk paraqitet, hëpërhë, rreziku i një nacionalizmi etnik d.m.th. i një nacionalizmi me frymë kundër humanizmit, internacionalizmit dhe liberalizmit, aq më tepër kur gjendja e vendit si një vend i vogël dhe i dobët ekonomikisht, i detyron shqiptarët t'i mrrudhin këto ndjenja. Mirëpo, nga ana tjetër, kushtet social politike për lindjes e tij në të ardhmen janë shumë të favorshme. Ndër këto kushte do të përmendnim: krizën e mosbesimit në kombin, e cila, për t'u kompesuar, ka nevojë për një ideologji të tillë siç është nacionalizmi, ekzistencën tek shqiptarët e një ndjenje të fortë identiteti etnik, deri racor, rrezikun e jashtëm, kryesisht rrezikun e nacionalizmit serb, që kërkon pastrime etnike në Kosovë, luftën e ashpër politike brenda vendit e cila jo rrallë mbështetet në sllogane nacionaliste dhe akuza ndaj partive opozitare për agjentë të serbit apo të grekut.
Çështja shtrohet, a i duhet sot shqiptarëve një nacionalizëm etnik, i kuptuar si motivim përbashkimi për shkak të frikës apo urrejtjes ndaj etnisë tjetër, apo duhen gjetur rrugë të tjera? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje është shumë e vështirë. Sidoqoftë ndaj alternativës së frikës dhe urrejtjes është më lehtë të thuash Jo!  Kurse kërkimi i alternativave pozitive vjen i vështirë jo vetëm pse ato nuk mund të jenë të njëllojta për të gjithë shqiptarët në të gjitha treva ku banojnë, por edhe pse ato nuk varen vetëm nga vullneti i tyre, por edhe nga qëndrimet e fqinjve ndaj shqiptarëve. Nuk pretendojmë të japim përgjigje nëpërmjet këtij shkrimi ku më shumë jemi rrekur të shtrojmë problemin. Megjithatë, në kërkim të zgjidhjeve, na duke e nevojshëshme të vemë në dukje disa shtylla kufizuese të patundëshme dhe të sqarojmë disa koncepte. Së pari duam të vemë në dukje që në kërkimin e alternativave duhet të mësojmë jo pak nga historia e popujve evropianë të cilët në një farë mënyre u kanë prirë proceseve historike. Një nga mësimet që vjen prej tyre është se nacionalizmi ka qenë pozitiv sa kohë dhe aty ku ai ka ndihmuar kombformimet duke u mbështetur jo mbi bazën e pastërtisë etnike, racore, por mbi bazën e një marrëveshjeje shoqërore e cila ka mbrojtur të drejtat njerëzore të të gjithë pjesëtarëve të saj. Me fjalët të tjera aty ku ai ka marrë formën e të ashtuquajturit patriotizëm qytetar. Një mësim i dytë është se prirja e sigurt e njerëzimit, megjithë zigzaket, nuk është drejt mbylljes së etnive dhe kulturave, por drejt hapjes së tyre, integrimit, drejt humanizmit. Ne jetojmë sot në një botë me mundësira të mrekullueshme kontaktesh, me interesa të gjëra ekonomike kulturore të përbashkëta që na pasurojnë shpirtërisht dhe ekonomikisht. Është absurde t'i mbyllim apo kufizojmë ato. Padyshim serbë, kroatë e bosnjakë, pasi t'i përcaktojnë e mbyllin mirë e mirë kufijtë sot - nëse do t'ia arrijnë kësaj - nesër do të përpiqen të gjejnë mënyrat se si t'i hapin ato ... Qarkullon një mendim midis një numri jo të vogël shqiptarësh, i pashprehur fort publikisht, se, sikur të ishim në gjendje të bënim luftë me serbët, do të ishte mirë tia nisnim asaj. Ne mendojmë se edhe sikur të ishim në gjendje për luftë duhet të mendojmë për paqen dhe për gjetjen e rrugëve të realizimit të lirive dhe personalitetit të individit shqiptar e më gjerë të zhvillimit të identitetit kombëtar në frymën e mirëkuptimit dhe të humanizmit. Përndryshe do të rrezikonim të binim në atë gjendje për të cilën Banjamin Constant thotë: "Në emër të qënies abstrakte sakrifikohet qënia reale; në emër të popullit si masë ofrohet holkausti i popullit si individë."
Gjetja e rrugëve të zhvillimit drejt humanizmit, nëpërmjet dashurisë për atdheun dhe respektit për lirinë dhe të drejtat e individit do të të jetë në fokusin e numrit tjetër të revistës sonë.

Editorial: Për frymën kritike (II)

E Dielë, 09 Tetor 2011 16:53 Publikuar në Nr. 3

"Nuk mund të jetë kurrë aq i urtë ai që s'ka provuar marrëzinë." La Roshfuko

A ka të rinj Shqipëria?

"A ka të rinj në Shqipëri? Unë përgjigjem se jo. Të riut i ndizet méndia me ëndërra fisnike; i riu është gati të vazhdojë mendime të bukura pa interesë vetiak, është i zoti të vuajë për ideale, dridhet nga padrejtësia dhe mbrapset nga dinakëritë posi nga murtaja; i riu di edhe gëzimin e zémërave të pastëra; të riut i qesh shpirti dhe i qesh buza. Në Shqipëri për kundrë shohim djem të ngrysur me sy të turbulluara nga djallëzitë, të krrusur nga barra e mendimeve hesapesh dhe ngatërresash. Edhe çiliminjtë në djep duken të mvrojtur dhe të thartë. Shqipëtari

lint plak. Nukë ka shqipëtarë të rinj, po vetëm ca shqipëtarë të lindur më parë, ca të lindurmë pastaj - të gjithë pleq, të thatë nga zemra e tyre, e cila s ka njohur kurrë enthuziasmë për gjësendi"

Këto rreshta i ka shkruar Konica në 1937-n, por duket se, sikur të mos ishte gjuha dhe stili i tij i njohur, shumëkushi prej nesh, duke i lexuar, do të pandehte se i përkasin rinisë shqiptare të viteve 90. E themi këtë pasi përshtypja që kemi krijuar nga kontakti me masën e të rinjve, madje me pjesën më të kultivuar të saj, është se preokupimi i tyre kryesor sot sillet rreth argëtimit, parasë, sigurimit të ndonjë udhëtimi jashtë shtetit dhe se jo rrallë janë gati të bëjnë çdo djallëzi për t'i arritur këto pikësynime. Pak, shumë pak ëndrra fisnike dhe vuajtje për ideal kemi gjetur në mendjet dhe në zemrat e tyre, pak shumë pak luftë për drejtësi, pak shumë pak kërkesa për të afirmuar origjinalitetin dhe personalitetin... Por, mbi të gjitha, ajo që na duket karakteristikë e përbashkët e rinisë shqiptare është se pak, shumë pak ndjehet tek ajo ndjenja e rebelimit ndaj autoriteteve. Kur themi autoritete nuk e kemi fjalën vetëm për autoritetet politike, por për autoritetet në të gjitha ato fusha të veprimtarisë artistike dhe shkencore, ku rinia, së bashku me energjinë dhe rebelimin, sjell me vete edhe idetë e reja. Dhe jo për autoritetet si persona fizikë, por kryesisht për traditën që ata mishërojnë apo kanë krijuar.

Të jesh i ri do të thotë të përpiqesh për origjinalitet, për aktivitet të lirë, të kesh shpirt pavarësie, të jesh zot i fatit tënd, ndryshe nga plaku, i cili, përkundrazi, është më pasiv dhe dominohet kryesisht nga një shpirt përshtatjeje ndaj gjërave e rrethanave. Por ajo që vihet re tek rinia shqiptare është pikërisht ky shpirt përshtatjeje ndaj një tradite dhe zakonesh nga më konservatoret. I riu shqiptar fatin e tij e ka lënë në dorë të pleqve të cilët e kanë udhëzuar si të futet në shina të sigurta e si të mos ia hedhin. Kështu që, kujdesi i parë që ka i riu shqiptar është si t'ua hedhë të tjerëve i pari. Prandaj dhe na duken shumë të vërteta fjalët e Konicës se rrallë gjen të rinj shqiptarë që të vuajnë për ideale. Të kesh një ideal dhe të luftosh për të do të thotë, në njëfarë kuptimi, të mos kesh atë eksperiencën e hidhur që ka plaku, i cili tashmë e di se ideali është një pikë që nuk arrihet kurrë. I riu, përkundrazi, beson tek ai, lufton për të pamundurën, hedh mbi supe më shumë sesa ç mund tëmbajë, fluturon drejt synimit pamarrë parasyshmjetet dhe etapat e pikërisht këto karakteristika sjellin në më të shpeshtën e herëve ndryshimet dhe zhvillimet në një shoqëri, e cila përndryshe do të mbetej në vend. Në një nga esetë e tij filozofike të quajtur "Mbi dobinë dhe padobinë e historisë për jetën", Niçe flet, midis të tjerash, për dy mënyra të jetuari: mënyrën historike dhe atë johistorike. Me mënyrë historike të të jetuaritNiçe kupton atë ku njeriu në çdo hap që hedh ka parasysh këshillat e më të moshuarve dhe, në një kuptim më të gjërë, traditën, historinë. Ky lloj njeriu vërtet ecën i sigurt në jetë, nuk bën gabime, porse, nga ana tjetër, jeta e tij është e varfër në spontaneitet dhe krijimtari. Çfarë ka parasysh Niçe me mënyrën e të jetuarit  johistorike? Për ta bërë më të qartë këtë ai na fton të imagjinojmë një burrë të mbërthyer nga një pasion i fuqishëm, p.sh. ndaj një gruaje apo ndaj një ideje, dhe transformimin që pëson bota në sytë e tij. Tek ai të gjitha vlerat ndryshojnë dhe shpërfytyrohen. Kur e kthen kokën prapa, ai është i verbër; shumë gjëra nuk i mendon dot, pasi as nuk mund t'i ndjejë, por atë çka ndjen, ai nuk e ka ndjerë kurrë në një mënyrë aq të vërtetë, aq pranë shqisave të tij, aq kumbuese, aq të ndritshme sikur të perceptohej e ndjehej nga të gjitha shqisat njëherësh.... Kjo është një gjendje nga ato më të padrejtat në botë, meskine, mosmirënjohëse ndaj të kaluarës, e verbër përballë rrezikut, e shurdhër përballë qortimeve..., megjithatë nga kjo situatë johistorike, gurrojnë jo vetëm veprime të padrejta dhe të gabuara, por kryesisht çdo veprim i drejtë. "Asnjë artist nuk do ta realizojë imazhin e tij, asnjë kapiten fitoren, asnjë popull lirinë, pa e kërkuar dhe dëshiruar atëmë së pari në këtë situatë johistorike, - përfundon Niçe.



A ka pleq Shqipëria?


Nëse shumica e të rinjve shqiptarë arrijnë moshën e pjekurisë pa kaluar ethen e rinisë, pra, pa qenë asnjëherë të rinj ashtu siç e konceptuam më lart të riun, atëhere afërmendsh atyre do t u mungojë një tharm shumë i rëndësishëm për krijimin e personalitetit. Prandaj duket se është me vend të shtrohet edhe pyetja A ka pleq Shqipëria?, e cila ndryshe mund të shtrohej në trajtën A ka personalitete Shqipëria?, në kuptimin e personalitetit si mishërim i një individualiteti të lirë dhe të ndërgjegjshëm për lirinë dhe individualitetin e tij. Përgjigja do të ishte se Shqipëria nuk është e varfër vetëm në të rinj, ashtu siç i përshkruam karakteristikat e të riut, por edhe në pleq të urtë. Pjesa dërrmuese e pleqve shqiptarë pikërisht se u ka munguar origjinaliteti dhe liria në rininë e tyre, pra pikërisht se nuk kanë qenë kurrë të rinj, kur plaken bëhen pleq të dështuar, me fjalë të tjera pa ndonjë personalitet të spikatur. Për të kompensuar këtë mungesë ata zhvillojnë anën tjetër të mekanizmit sadomazokist, fillojnë t'i shtypin të rinjtë duke kërkuar me insistimqë këta t'u nënshtrohen dhe jo rrallë të kujtojnë Erazmin
kur thotë se "rinia ëngjëllorë pjell pleq satanikë". Ky rreth vicioz shtypje-nënshtrim është mekanizmi kryesor që dominon marrëdhëniet tona shoqërore. Ai është aq organik saqë nuk mund të kuptohet se kush është primar, pasiviteti dhe nënshtrimi i të rinjve apo sundimi i pleqve, madje mund të thuash se diferenca e vetme midis tyre qëndron vetëm në atë që thotë Konica se disa kanë lindurmë parë e disamë pastaj, pra, se janë e njëjta gjë.
Na duket se shkaqet e mungesës së të rinjve në shoqërinë tonë duhet t'i kërkojmë, mbi të gjitha, në traditën e saj paternaliste, ku i pari i fisit, i klanit mbetej autoriteti vendosës deri në fund të jetës dhe, për ta mbajtur fort pushtetin e tij, kujdesej gjithnjë të ishte mishëruesi dhe mbrojtësi i traditës. Ndërkaq, i biri e fitonte parësinë vetëm pas vdekjes së tij, duke i ardhur kështu radha të bëhej mbrojtës i traditave dhe i zakoneve të të parëve. Nëse do të bëjmë një krahasim me shoqëritë perëndimore e veçanërisht ato anglo-saksone, do të thonim që, ndërsa ato janë të bazuara tek individi, sepse historikisht, si pasojë e Reformës, njeriu u edukua të mbante lidhje direkt me Zotin dhe jo nëpërmjet autoriteteve kishtare, dhe si pasojë e Iluminizmit u edukua t'i besontemë së pari arsyes së tij, shoqëria jonë ende vazhdon të jetë një shoqëri
e bazuar në thelb mbi autoritetin e patriarkut, të cilin, në një kuptim më të gjerë e zevendësojnë shteti, polici, drejtori, dekani, etj., të cilët, nën vernikun e mbrojtjes së traditës, në thelb, ushtrojnë dhe mbrojnë autoritetin e tyre sundues. Në një shoqëri të tillë marrëdhëniet e të rinjve me autoritetin karakterizohen nga një mekanizëm nënshtrim-urrejtje ku, ndonëse në dukje ka mbizotëruar nënshtrimi, thellë-thellë inkoshientit ka vluar urrejtja, e cila, duke qenë e pafuqishme për të luftuar me objektin që e ka shkaktuar, shpesh ka devijuar përdrejt më të dobtëve, më të vegjëlve deri tek ata fëmijët që na i nxorri Amelio në filmin e tij duke keqtrajtuar kafshët apo pleqtë lypsarë.Në thelb ata s'bënin tjetër veçse shkarkonin tek këto qënie më të dobëta, agresvitetin dhe urrejtjen e akumuluar ndaj etërve që i rrihnin në shtëpi dhe, më në përgjithësi, ndaj një shoqërie që s ka ditur t'u krijojë kushtet për ta shkarkuar energjinë e moshës në forma krijimtarie dhe dashurie. Kjo duket se ka vazhduar brez pas brezi, prandaj dhe shoqëria jonë nuk ka përftuar njerëz të lirë, pionierë, personalitete, por vetëm ca qënie simbiotike skllav-tiran, konservatore dhe tradicionaliste.
Është elementi komplementar i nënshtrimit, sundimi, ai që, sipas mendimit tonë shpjegon faktin që gjatë këtij shekulli, atëhere kur i është dhënë mundësia për t'u çliruar nga autoriteti i etërve, rinia shqiptare në thelb s'ka bërë tjetër veçse ka imituar autoritetin shtypës të tyre duke i shërbyer të njëjtës traditë. Kjo shpjegon pse aspiratat për modernizimin e Shqipërisë politikani i ri Ahmet Zogu ia nënshtroi, në thelb, nevojës për të përjetësuar pushtetin me çdo mjet, sipas mendësisë së zotit absolut të Malësis së Matit, që e kalonte pushtetin nga i ati tek i biri... Kjo shpjegon çudinë e atyre që panë të shndërrohej në një diktator aq të tmerrshëm një njeri si Enver Hoxha, të cilin në rini e kishin njohur si një djalë gazmor... dhe në një nivel më të gjërë, se si, me gjithë mohimin e madh që pretenduan se i bënë komunistët zakoneve të vjetra, në fund të fundit ia përshatën ideologjinë e tyre revolucionare bash këtyre zakoneve dhe modeleve konservatore të të jetuarit. (Le të sjellim ndërmend se si lufta e klasave, që në teorinë marksiste konceptohej si një mekanizën kontradikte midis një klase të re që lindte dhe një klase të vjetër, u aplikua tek ne në trajtën e një mekanizmi me tipare të theksuara hakmarrjeje klanore, për asgjësimin e të gjithë atyre që ishin kundër klanit komunist apo që dilnin prej tij.) ... Kjo shpjegon se pse një president i angazhuar për ndërtimin e një shteti ligjor e demokratik, si Berisha, kur ia do puna e sundimit i drejtohet popullit me termat e kanunit mesjetar të Lek Dukagjinit dhe më gjerë pse në këtë fundshekulli, pas përmbysjes së regjimit komunist, pamë shumë bij besnikë, të urtë e të devotshëm, të shndërroheshin në urrejtës të pamëshirshëm dhe shumë nga viktimat e hakmarrjes fisnore të ushqenin të njëjtën traditë nën slloganet e demokracisë dhe pluralizmit.
Në mënyrën e vet më të rëndë, gjatë këtij shekulli, mekanizmi nënshtrim - sundimu shfaq në periudhënmidis luftës nacionalçlirimtare dhe viteve 90. Në këtë periudhë ai që quhet konflikti midis brezave , një fenomen i natyrshëm universal që e vërejmë të paktën që nga koha e Platonit e deri në shekullin tonë, u shua thuajse plotësisht. Zonat e dallimit midis brezave gjatë këtyre viteve kanë qenë thuajse të padukshme. Gjithçka u kontrollua dhe u sundua rreptë nga tradita dhe nga autoriteti i padiskutueshëmi baballarëve komunistë.Të rinjve autoriteti ua siguronte të ardhmen duke u kërkuar nënshtrimin ndaj ligjeve të tij të shkruara dhe të pashkruara, ndaj ideologjisë, hierarkisë që kishte vendosur ay, deri edhe duke u kërkuar që të bëheshin agjentë të Sigurimit. Bashkë me këtë presion të rinjtë pësonin edhe presionin nga familja, në emër të traditës familjare dhe në emër të asaj se prindërit nuk donin të kishin telashe. Dhe kështu baballarët jetonin të kënaqur me përshtypjen se kishin krijuar një shoqëri si ajo e barinjve të Arkadisë, me rininë më të lumtur në botë.
Në fillim të viteve '70, kur u godit liberalizmi, një nga akuzat që u bë ishte edhe ajo ndaj idesë-fantazmë se elementët liberalë kishin nxitur konfliktin e brezave. Në propagandën e asokohshme së bashkume kërkesën për kultivimin e traditave e folklorit, trajtohej edhe kjo herezi e madhe të cilën nuk mund ta pranonte askush, e dënueshme njëlloj si antiatdhetarizmi. Si përfundim, fjala konflikt brezash u varros, humbi nga fjalori dhe të gjithë sikur u ndjenë të kënaqur që baballarët mbetën atje ku ishin, të pacënuar në madhështinë e tyre.
Më shumë sesa një fenomen i lidhur me ideologjinë komuniste ky mohim i konfliktit të brezave ishte një fenomen i lidhur me mendësinë paternaliste shqiptare të cilën e përkrahnin të gjithë. Kjo ka bërë që në fushën e kulturës të mbisundojë ndrydhja e pasioneve dhe tautologjia e ideve. Për të treguar se sa i zbehtë ka qenë ky konflikt mjafton të kujtojmë faktin se në fushën e letërsisë i vetmi moment ku na shfaqet janë vitet '60, kur Kadareja, Agolli dhe Arapi sollën diçka të re në poezinë shqipe, që i tronditi etërit tradicionalistë të letrave. Mund të thuhet
se kemi të bëjmë me të vetmin rast kur të rinjtë fituan, por ky konflikt, megjithatë, nuk ishte një konflikt midis etërish dhe bijsh, por midis vëllezërish më të mëdhenj e më të vegjël. Të vegjëlit fituan vetëm kur baballarët u dhanë bekimin. Komunistët vërtet u rrekën të shkulnin nga shoqëria shqiptare ato që ata i quanin zakone prapanike , siç ishte gjakmarrja, trajtimi i gruas sipas normave të kanunit dhe të kuranit, ndër të cilat si më tipike do të përmendnim të drejtën e burrit për ta rrahur, të drejtën e burrit që ajo t i lante këmbët atij dhe gjithë meshkujve të familjes, aq e përhapur në familjet muslimane etj, mirëpo struktura tradicionaliste dhe maçoiste e komunizmit shqiptar më shumë mori nga këto zakone, iu përshtat atyre, sesa i ndryshoi ato. Poende, duke tentuar t i hiqte ato me forcën e dhunës dhe jo me atë të kulturës, ajo në thelb i la shqiptarët ashtu siç ishin, dmth thellësisht të dhunshëm dhe të paqytetëruar. Këtë e tregon jo vetëm fakti se ato zakone mbijetuan në një formë apo në një tjetër në praktikat komuniste (a nuk ishte dënimi i gjithë familjes për shkak të një individi refleks i zakonit të gjakmarrjes), por edhe fakti se këto tradita vazhdojnë edhe sot në pjesën më të madhe të popullsisë jo vetëm të fshatit, por edhe të qytetit. Nëse sot në Shqipëri gjen shumë nxënës, adhurues, vazhdues, dishepuj, idhtarë pas të cilëve rreshtohet një masë amorfe të rinjsh pa asnjë individualitet dhe fare pak rebelë e të revoltuar me ide të reja, kjo tregon se, në thelb, kemi mbetur në të njëjtën gjëndje. Nëqoftëse deri dje ishte frika ajo që dominonte në marrëdhëniet tona, e cila jo rrallë e bllokonte krejt komunikimin e natyrshëm midis individëve, sot, ndonëse komunikimi është më i lirë, karakteristikë e tij mbetet mosbesimi, dyfytyrsia, bizantinizmi, të cilat, në thelb, nuk janë tjetër veçse refleksi i një shoqërie ku vazhdojnë të mbizotërojnë marrëdhëniet sundim-nënshtrim, ku në vend të energjive që çliron dialogu i hapur ne përjetojmë tensionin që krijojnë këto marrëdhënie dy nivelëshe që kërkojnë energji të dyfishta për t'u mbajtur.
Siç e thamë edhe më lart, pikërisht sepse individi shqiptar duke qenë nën diktatin e patriarkut, klanit, ka pasur hapësirëmë të pakët për t u shprehur, shpesh ai ka shfaqur në jetë ose nënshtrimin, çka ka krijuar shoqërinë e mbyllur, ose rupturat e dhunshme, atvrasjet apo birvrasjet të cilat kanë qenë thellësisht shkatërruese. Në hullinë e kësaj tradite duket se u tjetërsuan edhe energjitë që çliruan idealet e studentëve të kryevitit '90. Megjithatë s'mund të mohoet se shembja e një sistemi thellësisht autoritar, siç ishte ai komunist, ka sjellë çlirim pozitiv të energjive të rinisë shqiptare. Mjafton të përmendim faktin se një grusht gazetarësh, me kurajon e tyre qytetare jo vetëm hodhën bazat e një gazetarie të re shqiptare të çliruar nga urrejtjet ideollogjke, por kanë dhënë një kontribut të veçantë për ruajtjen e mendimit të lirë në Shqipëri, veçanërisht në momente të tilla siç ishte ajo e kohës së parareferendumit, kur hija e diktaturës po rishfaqej kërcënuese, kur shumë prej baballarëve intelektualë, me traditën e lashtë të nënshtrimit, nënshkruanin një dokument servil që e dorëzonte lirinë në duar të rrezikëshme. Megjithatë ngulmojmë se ky soj të rinjsh përbën një pakicë të pamjaftueshme për emancipimin e jetën kulturore, politike e shoqërore të Shqipërisë, madje se ekziston rreziku që ata t'i asimilojë tradita e vjetër autoritariste. Nuk duket se ka një rrugë të shpejtë për ta shndrruar energjinë e moshës rinore të Shqipërisë nga një energji që derdhet dhe ngrin në shtretërit e vjetër tradicionalë, në një të tillë që ngrihet drejt sintezave të reja pas dialogut me traditën. Sot flitet shumë për mungesën e një ideali përbashkues tek rinia. Por, nëse duam të ndërtojmë një shoqëri të hapur s'ka si të synojmë bashkimin e energjive të rinisë rreth një ideali të vetëm. Madje një synim i tillë do të ishte i rrezikshëm. Në një shoqëri të hapur idealet janë të shumta, shpesh herë edhe individuale, prandaj dhe ndërtimi i tyre është shumë më i vështirë dhe kërkon shumë më tepër kohë. Duket se do të kalojnë disa breza përpara se të ndërtojmë një shoqëri të tillë, por guximi i një brezi, guximi i një grupi, krijon tharmin për emancipimin e një shoqërie të tërë. Prandaj, pa mohuar personalitetet e afirmuara, në revistën tonë do të përpiqemi, me sa të jetë e mundur, të inkurajojmë dhe botojmë sa më shumë protagonistë të rinj të kulturës shqipare, siç po bëjmë edhe në këtë numër.

Editorial: Ç'synon "Përpjekja"

E Premte, 30 Shtator 2011 21:12 Publikuar në Nr. 1

Fac sapias et liber eris

(Bëhu i ditur të jesh i lirë)

Kjo krizë na duket se bëhet edhe më e spikatur nga fakti se shqiptarët, duke qenë një popull që nuk i përket asnjërit prej grupimev të mëdha të familjes së popujve indo-evropianë, dhe duke qenë relativisht i vogël në numur, e kanë edhe më të

Editorial: Emigracioni zhvillim apo varfërim

E Hënë, 06 Qershor 2011 13:09 Publikuar në Nr. 26-27

Këtë vit Parlamenti Evropian aprovoi, më në fund, heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen. Në Tiranë kjo u festua në mënyrë të veçantë. U hodhën fishekzjarre dhe u mbajtën fjalime të zjarrta politike. Kolonat e fasadës së Pallatit të Kulturës, në Sheshin Skënderbej, u mbushën me flamuj të mëdhenj (të gjithë jo rastësisht në ngjyrën blu të partisë në pushtet) ku, në atë të qendrës, shkruhej: Pa viza në Evropë kurse nëpër të tjerët shkruheshin emrat e kryeqyteteve të mëdha të Evropës krahas kohës së fluturimit përdrejt tyre, duke transmetuar kështu idenë se tashmë, brenda një harku kohor prej një, dy, maksimumi tre orësh, shqiptarët do të mund të gjendeshin në Paris, Berlin, Romë, Athinë, Vjenë, Madrid, Zyrih e me radhë. Në semaforët e rrugëve të kryeqytetit u vendosën disa tabela ku shkruhej: Evropë e ku rrumbullakja e semaforit ku del drita jeshile koincidon me germën o të fjalës Evropë. Kryeministri Berisha shkoi posaçërisht në Krujë për ta quajtur këtë ngjarje si më të rëndësishmen në historinë e shqiptarëve, që nga koha e Skënderbeut.

 

Ndërkaq në shtypin perëndimor heqja e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen ose nuk u përmend fare ose u përkthye nëpër artikujt e gazetave si një shqetësim jo i vogël. Shumë shpejt u bë e qartë se qeverisë shqiptare i janë kërkuar nga qeveritë evropiane garancira të forta se qytetarët e këtij vendi nuk do të veprojnë si maqedonasit kur u hoqën vizat. Duket se edhe për shkak të këtij presioni nga jashtë televizionet në vend përsërisin pareshtur njoftime të paguara nga qeveria ku shqiptarëve u thuhet se kush do të shkelë rregullin, dmth. do të qëndrojë përtej afatit apo do të kërkojë punë në Perëndim, do të penalizohet. Po ashtu Ministri i Brendshëm ndërmorri një fushatë informimi nga e cila doli se kërkesat për daljen në Evropë pa viza për qytetarët shqiptarë do të jenë shumë të rrepta: duhet paraqitur një biletë vajtje ardhje, duhet të vërtetohet pasja e një shume të mjaftueshme të hollash që të provojë se udhëtari i ka mjetet financiare, duhet të tregohet vendi se ku do të qëndrohet, e me radhë gjëra që nuk i kërkohen një qytetari perëndimor.

Kësisoj, ajo që bije në sy është një lloj skizofrenie shqiptare lidhur me këtë ngjarje: më një anë kemi propagandimin e heqjes së vizave si provë e realizimin të ëndrrës evropiane të shqiptarëve dhe, më anë tjetër, për shqiptarët dalja në Evropë vazhdon të ketë kuptimin e daljes në një botë tjetër. Me fjalë të tjera ky festim i ekzagjeruar ka, si anë tjetër të medaljes, gjendjen e një realiteti në Shqipëri që e trajton heqjen e vizave jo si një sukses brenda vendit, por si një mundësi emigrimi. Madje ka komentatorë që propagandën festive të organizuar nga qeveria me flamujt e kudondodhur e tabelat tek semaforët që tregojnë dritën jeshile për në Evropë i interpretojnë edhe si nxitje indirekte që shqiptarët të marrin rrugët në mënyrë që ky emigrim i ri të shërbejë si valvol shkarkimi e tensioneve në rritje që po shkakton kriza ekonomike e politike ashtu siç ka shërbyer edhe në vitet 90-91 për qeverinë e fundit komuniste e siç ka shërbyer edhe në kriza të tjera pas këtyre viteve. Në kohën e këtij debati të hapur mbi atë se çdo të thotë kjo heqje e vizave po botojmë këtë numër të Përpjekjes kushtuar migrimit të shqiptarëve gjatë këtyre njëzet vjetëve. Mendojmë se ky do të jetë jo vetëm një dokument për historinë e migrimit shqiptar në 20 vjetët e fundit, por, duke sjellë analizën e kësaj përvoje njëzetvjeçare, do të shërbejë edhe si kontribut në këtë debat e, po ashtu, si mundësi reflektimi për atë se ku janë realisht shqiptarët, brenda dhe jashtë kufirit, në raport me ëndrrën e tyre të vitit 1990.

Siç del qartë nga punimet e autorëve të këtij numri periudha komuniste 1944- 1990 ishte një ndërprerje e shkurtër në historinë e migrimin të shqiptarëve, çka flet për faktin se ata kanë pasur gjithherë një jetë të vështirë në vendin e tyre. Ajo që ndodhi pas vitit 1990 ishte një moment kulminant në këtë histori. Duket se izolimi funksionoi si një digë brenda të cilës u akumulua potencial i madh emigrimi, e cila pastaj shpërtheu duke i dhënë emigracionit shqiptar trajtat e një përmbytjeje dramatike me karakteristika që e bëjnë të dallohet nga emigracioni në vende të tjera të botës. Në këtë kontekst emigrimi si sëmundje kronike e shqiptarëve dhe veçanërisht dramaciteti i migrimit pas viteve 90 ngre një çështje të rëndësishme për shqiptarët, që Russell King e artikulon kështu në shkrimin e tij: A nxit migrimi nëpërmjet mekanizmave të tij dobiprurës të supozuar nga ekonomistët, siç janë ulja e papunësisë, ngritja e nivelit të pagave, prurja e dërgesave, kthimi i migrantëve i orientuar drejt investimeve zhvillimin në vendin e origjinës së migrantëve? Apo mos duhet që marrëdhënia të rifrazohet ndryshe: për shembull, që është zhvillimi i dobët ai që shkakton migrimin; ose që migrimi i tepërt nuk sjell aq shumë zhvillimin e vendit të origjinës sesa varfërimin e mëtejshmëm të tij për shkak të rrjedhjes së tepërt (ikjes jashtë) të kapitalit njerëzor?

Për trajtimin e kësaj çështjeje e shumë të tjerave që lidhen me emigrimin e këtyre njëzet vjetëve Përpjekja sjell kontributin e një numri specialistësh nga më të njohurit ndërkombëtarë si dhe disa nga firmat e njohura shqiptare që kanë trajtuar këtë temë, edhe ata vetë emigrantë. Realizimi i tij u bë i mundur në sajë të përkushtimit të Eda Derhemit, që punoi për Përpjekjen si guest editor. Është ajo që, prej SHBA ku jeton, ka grumbulluar shumicën e materialeve, ka mbajtur kontaktet me autorët dhe përkthyesit, e ka paraqitur materialet. Kjo është një përvojë e re e Përpjekjes, jo pa lidhje me dramën e emigracionit. Sepse ky numër, i përgatitur thuajse i gjithi me kontribut nga jashtë, më një anë është provë e faktit se emigrantët shqiptarë gjithsesi mbeten të lidhur me vendin e tyre, se ata janë një burim i vyer për vendin, por, më anë tjetër, është edhe një dëshmi se ikja e trurit, si varfërim i mëtejshmëm i vendit, po ia bën gjithnjë e më të vështirë, në këtë Shqipërinë e çoroditur nga kultura sipërfaqësore e konsumizmit, që i vjen aq për shtat elitës së korruptuar në pushtet, studimeve serioze brenda vendit si dhe botimeve të karakterit të Përpjekjes.

Faqja 3 nga 3