Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Ernest Renan
E Premte, 19 Pri 2024

Ernest Renan

Çfarë është një komb

E Hënë, 17 Tetor 2011 11:35 Publikuar në Nr. 20

Revista Përpjekja në këtë numër po boton leksionin e famshëm të Ernest Renanit* me titull Çfarë është një komb, mbajtur në Sorbonë më 11 mars 1882. Përse bëjmë një botim të një teksti që ka gati 125 vjet që është shkruar? Për dy arsye kryesore. Së pari, sepse Renani ka qenë nga të parët historianë që sulmoi bazat e teorive, ose të asaj që sot në shkencat historike quhet edhe mitologji kombëtare, se kombi është një entitet i bazuar mbi gjakun, racën, gjuhën, territorin, etj. Autorët më të njohur sot të teorive të nacionalizmit siç janë Eric Hobsbawm, Benedict Anderson, Ernest Gellner, Anthony Smith, Miroslav Hroch, etj i janë referuar atij si një prej të parëve që kanë hapur një gjedhë të re në historiografi në lidhje me konceptimin e kombit si një dukuri e re, dhe aspak të lashtë, në historinë e njerëzimit. Një dukuri që vjen me periudhën e modernitetit dhe kryesisht pas Revolucionit Francez të 1789. Pavarësisht se disa prej
mendimeve të tij sot mund të riformulohen plotësisht, gjithësesi ai mbetet i rëndësishëm pikërisht si një nga pionierët e ideve të reja mbi kombin. Së dyti, dhe ajo që është më e rëndësishme, sepse në Shqipëri, teoritë mbi kombin dhe lëvizjet kombëtare apo nacionalizmin, që erdhën si pasojë e rrugës së hapur nga Renani me shokë, pothuaj nuk njihen fare.